“Liria e medias, e mirë publike, themeli i demokracisë” ishte mesazhi kryesor i Konferencës për Mediat në Evropën Juglindore, ku përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, gazetarë, studiues dhe ekspertë të medias diskutuan mbi sfidat që po përball gazetaria në një mjedis gjithnjë e më të polarizuar dhe të dominuar nga transformimi dixhital.
Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Jan Braathu, paralajmëroi për rritjen e presioneve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, duke theksuar se dobësimi i gazetarisë cenon drejtpërdrejt demokracinë dhe llogaridhënien publike.
“Gazetarët po përballen me rritje të kërcënimeve, siç janë presioni publik e politik, sulmet fizike dhe sulmet online. Kur gazetaria dobësohet pasojat cënojnë cilësinë e debatit publik, mundësinë që politikanët të jenë llogaridhënës dhe cënon rezistencën e institucioneve tona dhe sigurinë kombëtare” – tha Braathu, ndërsa shtoi se gazetarët po përballen gjithnjë e më shumë me “presion publik e politik, sulme fizike dhe sulme online”.
Sipas tij, zhvillimet teknologjike dhe inteligjenca artificiale po transformojnë mënyrën se si prodhohet dhe shpërndahet informacioni, ndërsa polarizimi dhe rënia e besimit tek institucionet po e bëjnë edhe më të vështirë punën e medias.
“Liria e shtypit është themeli i drejtësisë dhe demokracisë në vend. Për këtë gazetaria është një e mirë publike. Kushtet që e kanë lejuar gazetarin për të përmbushur këtë rol po sfidohen gjithnjë e më shumë. Në këtë mjedis që po evoluon shumë, po formësohet nga transformimi dixhital, shtrëngimet ekonomike dhe kërcënime të tjera. AI dhe platformat dixhitale po riformësojnë mënyrën si informacioni prodhohet, shpërndahet dhe konsumohet. Edhe pse është rritur aksesi, ka debate për pronësinë dhe etikën dhe qëndrueshmërinë. Polariteti po thellohet në të gjitha shoqëritë tona, besimi tek institucionet përfshirë edhe mediat është nën kërcënim.
Në fokus të konferencës ishin disa nga çështjet më të ndjeshme që lidhen me të ardhmen e medias dhe sigurinë e gazetarëve në rajon” – tha Braathu.
Diskutimet trajtuan ndikimin e dezinformimit, përmbajtjeve sintetike dhe algoritmeve të platformave dixhitale në formësimin e debatit publik dhe besimit tek media. Një tjetër temë kryesore ishte survejimi dixhital dhe ndikimi i tij mbi lirinë e medias, ku ekspertët diskutuan rreziqet që lidhen me identifikimin e burimeve, vetëcensurën dhe komprometimin e sigurisë së gazetarëve.
Në konferencë u diskutua gjithashtu për shëndetin mendor të gazetarëve dhe presionin psikologjik me të cilin ata përballen në raportimin e ngjarjeve të ndjeshme dhe në mjedise gjithnjë e më armiqësore.
Një pjesë e diskutimeve iu kushtua edhe transparencës së pronësisë së mediave dhe ndikimit që pronësia e fshehur apo përqendrimi i tregut mediatik ka mbi pluralizmin dhe pavarësinë editoriale.
Po ashtu, ekspertë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare diskutuan mbi ndikimin e platformave të mëdha teknologjike dhe inteligjencës artificiale në lirinë e medias, si dhe nevojën për politika rajonale që mbrojnë gazetarinë në epokën e “Big Tech” dhe AI.
Konferenca vuri theksin edhe tek nevoja për mekanizma më të fortë mbrojtjeje për gazetarët në Evropën Juglindore, përfshirë reagimin ndaj kërcënimeve, sulmeve dhe padive strategjike që synojnë intimidimin e medias.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.



























