Konflikti mes “ortakëve” të Aeroportit të Vlorës kalon nga gjykata në kantier

Konflikti mes ortakëve për administrimin e aeroportit del nga gjykatat dhe përshkallëzohet në terren pas vendimeve të Apelit, duke shtuar problematikat e një projekti të shoqëruar prej vitesh me debate mbi koncesionin, ndikimin mjedisor dhe hetimet e SPAK.

392
Punimet e kryera në aeroportin e Vlorës
Credits: shteg.org - Punimet e kryera në aeroportin e Vlorës

Konflikti mes dy kompanive të përfshira në ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës u përshkallëzua të hënën e 18 majit, duke kaluar nga sallat e gjyqit në përplasje të tensionuara në terren.

Rreth 200 punonjës dhe dhjetëra automjete janë parë të bllokuar në hyrje të kantierit, ndërsa në zonë ka pasur prezencë të forcave të policisë dhe sigurisë private, me qëllim shmangien e përshkallëzimit të situatës.

360° view: Aeroporti Vlorës, 01/02/2026. Source: shteg.org

Sipas raportimeve punonjësit e kompanisë “Mabco Construction” në pronësi të biznesmenit Behgjet Pacolli nuk janë lejuar të futen në ambientet e kantierit, ndërsa pretendojnë se janë ndaluar nga persona që përfaqësojnë shoqërinë “Vlora International Airport” – VIA sh.p.k.

Prej muajsh kompania “ Mabco Construction”, në pronësi të biznesmenit Behgjet Pacolli, e cila zotëron rreth 98% të aksioneve, dhe kompania “2A Group”, me 2% të aksioneve, e lidhur me biznesmenin Valon Ademi, janë përfshirë në një betejë ligjore mbi vlefshmërinë e disa marrëveshjeve të mëvonshme lidhur me aksionet.

“2A Group” e Valon Ademit pretendon se palët kishin firmosur një kontratë noteriale ku pjesa e aksioneve të shoqërisë së këtij të fundit shkonte nga 2 në 49%, por kontrata nuk ishte regjistruar në QKB (Qendra Kombëtare e Biznesit), duke sjellë më pas interpretim të ndryshëm të të drejtave mbi administrimin dhe kontrollin e projektit.

Gjithashtu “2A Group” pretendon se bashkëortaku “Mabco” ka vendosur më pas veton për pezullimin e çdo kontrate, pa marrë si fillim vendimin e amsablesë dhe në fshehtësi të plotë. Kjo ka iniciuar kompaninë të kërkojë pezullimin e veprimtarive të “Mabco” të Pacollit dhe çështja përfundoi në gjykatë.

Fillimisht, gjykata vendosi kufizimin e disa veprimeve të “Mabco Construction”, ndërsa më pas Apeli ndryshoi pjesërisht vendimin duke vendosur masë sigurie për aksionet e kontestuara që pretendohen nga kompania e Ademit dhe duke i njohur “2A Group” të drejtën e administrimit të përkohshëm.

Kjo, dyshohet se ka shërbyer si pikë ndezëse e përplasjes së sotme në terren.

Përfaqësues të kompanisë “Mabco” pretendojnë se punonjësit janë paraqitur normalisht në vendin e punës, pasi sipas tyre nuk ka pasur një njoftim zyrtar për pezullimin e aktivitetit, përpos një telefonate të një dite më parë nëpërmjet së cilës janë njoftuar që të mos paraqiten në punë.

“Ne kemi problemin me nënkontraktorët që janë të pafajshëm. Nuk kanë lidhje nënkontraktorët me kontratat e VIA-s dhe ‘Mabco’-s. Ata duan të bëjnë punën e tyre dhe për ta bërë, e kanë afatin deri në fund të muajit. – tha në deklaratë mediatike Ismet Pacolli.

Afati për përfundimin e punimeve është fundi i muajit Maj, por pas kërkesës nga kompania, ai u vendos në Gusht të këtij viti, duke u shtyrë me 3 muaj.

Në një deklaratë nga vendngjarja, avokati i Behgjet Pacollit tha se ndalimi i punimeve përbën një cënim të rëndë për të drejtat të tij si ortak, investitor dhe garantues i projektit koncesionar, teksa i bën thirrje Kryeministrit dhe Ministrisë së Infrastrukturës për ndërhyrje të menjëhershme.

“Mabco Constructions S.A. u bën thirrje autoriteteve kompetente që të veprojnë pa vonesë për të garantuar aksesin e plotë dhe të papenguar të punonjësve tanë në kantier, në përputhje me ligjin dhe kontratën koncesionare.” tha përfaqësuesi ligjor.

“Shteg.org” i është drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës për një koment lidhur me masat që ky institucion po merr për të shmangur ndërprerjen e proceseve të ndërtimit dhe ndikimin e mundshëm në afatet e përfundimit të Aeroportit të Vlorës, si pasojë e konfliktit mes palëve, por MIE ka zgjedhur të mos komentojë.

Përplasja e kësaj të hëne konsiderohet si episodi më i rëndë deri tani në konfliktin mes dy kompanive, në një projekt strategjik që ka kushtuar miliona euro për të cilin qeveria shqiptare pati premtuar se fluturimet e para do të nisnin brenda vitit 2025.

Hetimet e SPAK dhe konflikt i thelluar mes ortakëve

Kryeministri Edi Rama, Belinda Balluku dhe Behgjet Pacolli në kantierin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës
Credits: Facebook – Kryeministri Edi Rama, Belinda Balluku dhe Behgjet Pacolli në kantierin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës

Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës konsiderohet një nga projektet infrastrukturore më të debatueshme të viteve të fundit në Shqipëri. Koncesioni iu dha një konsorciumi ku përfshihen “Mabco Construction” e biznesmenit Behgjet Pacolli, kompania turke YDA Group dhe “2A Group” e Valon Ademit.

Që prej nisjes së punimeve, projekti është shoqëruar me akuza për mungesë transparence, debate mbi procedurat e koncesionit dhe kundërshti të forta nga organizatat mjedisore, për shkak të ndërtimit pranë zonës së mbrojtur të Lagunës së Nartës, një prej habitateve më të rëndësishme për shpendët migratorë në Shqipëri.

Për afro 4 vite, procesi gjyqësor mbi ligjshmërinë e projektit ka mbetur i bllokuar në gjykatat shqiptare, përfshirë edhe Gjykatën e Lartë, ndërsa organizatat mjedisore kanë kërkuar në mënyrë të vazhdueshme pezullimin e punimeve, duke paralajmëruar për dëme të pakthyeshme në ekosistem.

Debati u thellua edhe më tej pas tërheqjes së “Munich Airport International” nga çdo rol këshillues në projekt. Vendimi erdhi pas një fushate presioni të organizatave mjedisore dhe dorëzimit të një peticioni me 457 firma nga qytetarë gjermanë, aktivistë dhe ekspertë të mjedisit, të cilët kërkuan ndërprerjen e bashkëpunimit të Aeroportit të Mynihut me projektin e Vlorës.

Pas një beteje dyvjeçare dhe presionit të vazhdueshëm nga organizata si EuroNatur, më 8 prill 2025, Komisioni për Ekonomi dhe Punë i Këshillit Bashkiak të Mynihut vendosi të tërhiqte përfundimisht Munich Airport International nga projekti, duke argumentuar se përfshirja e kompanisë gjermane sillte pasoja reputacionale dhe shqetësime serioze mjedisore.

Tërheqja e Munich Airport International riktheu gjithashtu debatin mbi deklaratat publike të qeverisë shqiptare për rolin e Aeroportit të Mynihut në Vlorë. Kryeministri Edi Rama kishte deklaruar më herët se aeroporti do të menaxhohej nga Aeroporti i Mynihut, ndërsa dokumentet e publikuara nga portali investigativ “shteg.org” treguan se roli i Munich Airport International kishte qenë vetëm këshillues dhe jo menaxherial.

Paralelisht me debatet mjedisore dhe konfliktin mes ortakëve, SPAK ka regjistruar hetime për koncesionin e aeroportit, ku po verifikohen procedurat e tenderit, kontrata koncesionare dhe elementë të tjerë financiarë e administrativë të projektit.

Aeroporti i Vlorës konsiderohet gjithashtu një nga projektet me koston më të lartë potenciale për buxhetin e shtetit shqiptar. Sipas dokumenteve të kontratës koncesionare, qeveria shqiptare ka garantuar të ardhura minimale për kompaninë koncesionare në rast se aeroporti nuk arrin parashikimet optimiste. Nëse pas katër vitesh aeroporti nuk gjeneron 9.6 milionë euro të ardhura nga trafiku, qeveria do të paguajë diferencën. Kjo shifër rritet në 18.7 milionë euro në vitin e 13-të të operimit. Në total, qeveria mund të përfundojë duke mbuluar mbi 138 milionë euro, një shumë që i tejkalon kostot fillestare të ndërtimit.

Xhesika Tollia
+ posts

Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.

Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.