Gjykata rrëzon SPAK-un për Gjokën, dosja rikthehet për hetime të mëtejshme

GJKKO kundërshton pushimin e çështjes ndaj gjyqtares, i vendos Prokurorisë së Posaçme mbi 20 detyra hetimore dhe afat 6-mujor për zbardhjen e plotë të kallëzimit të PD-së.

298
Gjyqtarja, Irena Gjoka
Credits: shteg.org - Gjyqtarja, Irena Gjoka

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e SPAK për pushimin e çështjes ndaj gjyqtares Irena Gjoka dhe ka rikthyer dosjen për hetime të mëtejshme, duke i vendosur Prokurorisë së Posaçme një sërë detyrash konkrete për t’u përmbushur brenda 6 muajve.

Vendimi u mor më 19 maj 2026 nga trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtarja Marinela Osmani, ndërsa SPAK kishte kërkuar më 26 mars pushimin e procedimit penal nr.130 të vitit 2025, lidhur me veprën penale të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal.

Sipas vendimit të gjykatës, aktet i janë kthyer Prokurorisë së Posaçme “për vazhdimin e hetimeve të mëtejshme, duke përcaktuar drejtimin e thellimit të tyre dhe veprimet që do të kryhen”.

Avokati Genc Gjokutaj e cilësoi vendimin si një zhvillim të rëndësishëm, duke akuzuar SPAK se kishte tentuar të mbyllte çështjen pa shteruar hetimet.

“Është një vendim serioz, sepse ve ato detyra që shkojnë drejt zbulimit të së vërtetës, atë të vërtetë që SPAK u mundua ta fshehë. Ky është një vendim që është hap shumë i rëndësishëm në lidhje me kallëzimin tonë dhe gjykata kërkon që kallëzimit tonë t’i jepet përgjigje,” deklaroi Gjokutaj për mediat.

Ai shtoi se tashmë Prokuroria e Posaçme ndodhet përballë përgjegjësisë për të kryer hetime të plota.

“Këtu nuk është çështje bindjesh, por çështje provash. Gjykata e rivendosi në shina këtë proces, duke detyruar SPAK të kryejë këto veprime, pa të cilat ai nuk mund të konkludojë drejt në lidhje me përgjegjësinë e gjyqtares Gjoka,” u shpreh avokati, duke bërë të ditur se SPAK-ut “i janë vënë mbi 20 detyra për t’i realizuar”.

Çështja lidhet me një kallëzim të depozituar nga Partia Demokratike, ku pretendohej se gjyqtarja Irena Gjoka kishte falsifikuar formularët e dekriminalizimit, duke mos deklaruar një dënim penal të dhënë ndaj saj nga Gjykata e Janinës në vitin 2005 për mbajtje të një dokumenti të falsifikuar.

Pas rreth 10 muajsh hetime, SPAK pranoi ekzistencën e vendimit penal në Greqi, por argumentoi se gjyqtarja nuk kishte pasur dijeni për këtë dënim dhe se, për shkak të kalimit të kohës, vepra penale konsiderohej e parashkruar. Për këtë arsye, Prokuroria e Posaçme kërkoi pushimin e hetimit.

Megjithatë, Gjykata e Posaçme vendosi që hetimet të mos mbyllen në këtë fazë, duke urdhëruar kryerjen e veprimeve të tjera hetimore dhe duke i lënë SPAK-ut një afat 6-mujor për përmbushjen e tyre.

Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar brenda 15 ditëve nga njoftimi i tij.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.