Skemat e pastrimit të parave në Shqipëri

Raporti i Agjencisë së Inteligjencës Financiare zbardh skemat më të përdorura për riciklimin e parave në Shqipëri, nga blerjet e pronave me çmime të dyshimta te investimet në art, mallra luksi dhe transfertat ndërkombëtare me origjinë të paqartë.

429
Skemat e pastrimit të parave/lustrim
Credits: shteg.org - Skemat e pastrimit të parave/lustrim

Gjatë vitit 2025, pastrimi i parave në Shqipëri ka ndjekur një skemë të njohur, por gjithnjë e më të sofistikuar: investime në pasuri të paluajtshme, mallra luksi, vepra arti dhe kompani me aktivitet formal, por me burime të paqarta financimi. Raporti i Agjencisë së Inteligjencës Financiare evidenton shtatë tipologji kryesore, ku sektori i pasurive të paluajtshme mbetet fusha më e ekspozuar ndaj dyshimeve për riciklim kapitalesh.

Sipas raportit, skema që ndiqet, në të shumtën e rasteve, është e njëjtë: prona të blera me çmime shumë më të ulëta se tregu dhe të rishitura brenda një kohe të shkurtër me vlera disa herë më të larta. Një nga rastet më domethënëse lidhet me një shtetas që gjatë viteve 2021–2025 ndërtoi një rrjet të gjerë investimesh në troje në zonat e Dajtit, Prezës dhe Kavajës. Fillimisht ai bleu mijëra metra katrorë tokë me çmime minimale, në disa raste vetëm 4 deri në 21 euro për metër katror ose 520 lekë për metër. Më pas, disa prej këtyre pronave u shitën me çmime shumëfish më të larta. Dy transaksione të kryera në vitin 2022 tregojnë qartë mekanizmin: një tokë e blerë për 30 mijë euro u shit për 423 mijë euro, ndërsa një tjetër e blerë për 15 mijë euro u rishit për 180 mijë euro.

Paralelisht me këto lëvizje, i njëjti person krijoi në vitin 2022 një kompani ndërtimi dhe përmes saj përfitoi sipërfaqe të mëdha tokash në Petrelë dhe Mullet, sërish me çmime të pazakonta. Kompania, megjithëse e krijuar rishtazi, raportoi qarkullim dhe fitime të konsiderueshme, investime në makineri dhe aktivitet intensiv financiar. Sipas analizës së AIF, një pjesë e fondeve të përdorura në biznes rezultonin të lidhura me shitjet e mëparshme të pronave, duke ngritur dyshime se sektori i ndërtimit po përdorej për të integruar para me origjinë të paqartë në ekonomi.

Një tjetër skemë e evidentuar lidhet me investime luksi të financuara nga juridiksione offshore dhe kompani të regjistruara në vende me lehtësira fiskale. Në këtë rast, një 18-vjeçare bleu një vilë në bregdet me vlerë 1.5 milion euro. Financimi erdhi nga motra e saj 40-vjeçare, rezidente në një shtet të konsideruar parajsë fiskale, e cila transferoi fondet nga një llogari bankare në Afrikën Jugore. Vetë 40-vjeçarja bleu një tjetër vilë në bregdet me vlerë 1.7 milion euro dhe investoi rreth 700 mijë euro në vepra arti në Shqipëri.

Hetimet zbuluan se ajo ishte ortake e vetme e një kompanie të lojërave online në Seychelles, ndërsa një tjetër kompani e lidhur me të ishte çregjistruar më herët. Dyshimet u shtuan edhe më shumë pasi bashkëshorti i saj rezultonte i përfshirë në aktivitete të lidhura me krimin e organizuar. Për AIF, përdorimi i disa juridiksioneve, transfertat ndërkombëtare dhe investimet në pasuri të paluajtshme e art përbënin elementë tipikë të fshehjes së origjinës së fondeve.

Raporti sjell edhe raste ku individë me precedentë penalë apo zyrtarë të dënuar kanë investuar në prona përmes transfertave të dyshimta. Një ish-zyrtar shtetëror, i dënuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre, gjatë vitit 2024 prenotoi apartamente, poste parkimi dhe njësi tregtare me vlerë totale mbi 150 mijë euro. Fondet në llogaritë e tij rezultonin të ardhura nga dhurime, hua apo likuidime borxhesh nga persona të ndryshëm, pa lidhje të qarta mes tyre. Për shkak të mënyrës së fragmentuar të pagesave dhe çmimeve të ulëta të pronave, rasti u referua për hetime të mëtejshme.

Në një tjetër rast, një person me precedentë në fushën e narkotikëve, i cili kishte ndryshuar edhe identitetin, depozitoi 50 mijë euro si “kursime” dhe mori 75 mijë euro të tjera në formë dhurate nga persona pa lidhje familjare me të. Më pas transferoi 120 mijë euro drejt një shtetaseje në Bashkimin Evropian për blerje pasurie të paluajtshme. Autoritetet dyshojnë se fondet mund të lidhen me produkte të veprimtarisë kriminale.

Përtej sektorit të pronave, raporti evidenton edhe përdorimin e mallrave të luksit për qarkullimin e parave. Dhjetë persona depozituan rreth 1.9 milion euro në llogari të ndryshme bankare, pa pasur të ardhura të deklaruara që justifikonin këto shuma. Paratë transferoheshin në karta parapaguara Mastercard dhe përdoreshin kryesisht për blerje online të markave luksoze si Chanel, Louis Vuitton dhe Hermès. Një pjesë e fondeve vinte edhe nga rimbursime TVSH-je për blerje jashtë vendit. Ndërkohë, biznesi online i regjistruar nga personi kryesor i skemës kishte deklaruar zero të ardhura dhe më pas ishte çregjistruar.

Një tjetër mekanizëm i dyshuar për pastrim parash lidhet me kompanitë e marketingut online. Njëmbëdhjetë shoqëri të regjistruara në Shqipëri përfituan rreth 3.7 milion euro transferta nga vende të Europës dhe Azisë. Të gjitha kishin të njëjtën fushë aktiviteti, të njëjtët persona të përfshirë si administratorë apo ortakë dhe pothuajse të gjitha u çregjistruan brenda pak muajsh nga krijimi. Verifikimet ndërkombëtare treguan qarkullim fondesh shumë më të lartë se deklarimet zyrtare, përdorim të llogarive si kanale tranzitore dhe transferta pa dokumentacion justifikues.

Skema e fundit lidhet me një kompani të regjistruar në Shqipëri nga një shtetas i huaj. Zyrtarisht kompania operonte në import-eksport dhe tregti mallrash, por brenda një jave tentoi të kreditonte rreth 1.1 milion euro përmes transaksioneve POS. Veprimet u bllokuan nga Mastercard International. Hetimet zbuluan se aktiviteti real i kompanisë ishte zgjeruar në fusha si eskortë, makina me qira VIP dhe shërbime turistike, aktivitete që konsiderohen me risk të lartë për qarkullim të parave të pista.

Në të gjitha rastet, elementi i përbashkët mbetet përdorimi i transaksioneve komplekse, ndërmjetësve, transfertave ndërkombëtare dhe investimeve në sektorë me qarkullim të lartë parash për të fshehur origjinën reale të fondeve. Raporti i AIF tregon se pasuritë e paluajtshme vazhdojnë të mbeten mekanizmi kryesor për riciklimin e kapitalit të dyshimtë në Shqipëri, ndërsa skemat po bëhen gjithnjë e më të strukturuara dhe ndërkombëtare.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.