Shtyhet seanca për të dënuarin për vrasjen e Santiago Malkos

I dënuar me 26 vite burg për vrasjen e ish-policit, Ilir Selmani kërkon në Gjykatën e Apelit pafajësi, ndërsa SPAK apelon për rritjen e dënimit në 28 vite burg.

30
Ilir Selmanaj në Gjykatën e Apelit
Credits: LSA - Ilir Selmanaj në Gjykatën e Apelit

I shoqëruar nga forca të shumta policie, Ilir Selmani u paraqit të hënën në Gjykatën e Apelit (GJKKO), ku po shqyrtohet ankimi ndaj vendimit që e dënoi me 26 vite burg për vrasjen e ish-efektivit të policisë Santiago Malko.

Seanca, e nisur në orën 14:30, u shty pasi trupi gjykues u dha kohë mbrojtësve të paraqisnin konkluzionet përfundimtare. Prokuroria e Posaçme (SPAK), nga ana tjetër, kërkon rëndimin e dënimit në 28 vite burg.

Masat e shtuara të sigurisë gjatë shoqërimit të Selmanit vijnë vetëm pak ditë pasi pranë banesës ku ai qëndron në arrest shtëpie u arrestua i armatosur Emiljano Nina, i konsideruar nga autoritetet si një nga personat më të afërt të Ervis Martinajt.

Sipas hetuesve, ngjarja ngriti dyshime për një atentat të mundshëm hakmarrës, çka solli forcimin e masave të mbrojtjes.

Selmani ndodhet në arrest shtëpie pasi u lirua nga paraburgimi për shkak të tejkalimit të afateve ligjore, ndërsa procesi gjyqësor ndaj tij vijon në Apel.

Në Shkallën e Parë, Gjykata e Posaçme e shpalli fajtor si pjesë të të ashtuquajturit “Klani Duka”, grup që, sipas akuzës, organizoi dhe kreu ekzekutimin e Santiago Malkos më 27 gusht 2019 në Tiranë.

Gjatë gjithë procesit, Selmani ka mohuar përfshirjen në vrasje, duke kërkuar pafajësi dhe duke deklaruar se nuk ka qenë pjesë e ngjarjes kriminale. Ankesa e tij po shqyrtohet paralelisht me kërkesën e SPAK për një dënim më të ashpër.

Santiago Malko u vra më 27 gusht të vitit 2019 në Tiranë, në një atentat të armatosur që tronditi opinionin publik dhe u hetua si një nga përplasjet më të rëndësishme mes grupeve kriminale në vend.

Malko, ish-efektiv policie në strukturën e Patrullës së Përgjithshme në Tiranë, kishte shërbyer për një periudhë të shkurtër në radhët e policisë, ndërsa më pas emri i tij ishte përmendur nga autoritetet në lidhje me disa episode të hetuara kriminale. Ai ishte përfshirë edhe në ngjarjen e 4 tetorit 2018 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha pas një përplasjeje me armë mes personash të njohur për policinë.

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, vrasja e Malkos lidhej me përplasjet mes grupeve kriminale dhe me konfliktet e krijuara rreth figurave të njohura të botës së krimit. Malko konsiderohej nga autoritetet si një person i afërt me Ervis Martinajn, i cili rezulton i zhdukur që prej vitit 2022.

Për vrasjen e ish-efektivit të policisë Santiago Malko janë dhënë disa vendime gjyqësore në procese të ndara, ku disa persona janë shpallur fajtorë për përfshirjen në ngjarjen e 27 gushtit 2019 në Tiranë.

Leonard Duka është dënuar me 30 vite burg për vrasjen me paramendim të Malkos. Krahas këtij dënimi, ai është shpallur fajtor edhe për vepra të tjera penale, përfshirë pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal dhe armëmbajtje pa leje.

Në të njëjtin proces janë dënuar edhe Fatmir Hyseni (alias Musai), Aleksandër Maxhaku, Oltian Loga dhe Dritan Agaj, secili me nga 25 vite burg për akuzën e vrasjes me paramendim.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.