SPAK kërkon 32 vite burg për Leonard Dukën, organizoi vrasjen e Santiago Malkos

Prokuroria e Posaçme e akuzon si organizator të vrasjes së ish-policit Santiago Malko, vendimi pritet më 21 janar, ndërsa i pandehuri ka deklaruar pafajësinë dhe ka kundërshtuar akuzat.

682
Leonard Duka dhe Santiago Malko
Credits: shteg.org - Leonard Duka dhe Santiago Malko

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka zhvilluar sot, më 19 janar 2026, seancën e radhës gjyqësore për Leonard Dukën, i akuzuar si një nga organizatorët e vrasjes së ish-policit Santiago Malko, ngjarje e ndodhur në vitin 2019 në Tiranë.

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar dënimin e Leonard Dukës me 32 vite burg për veprat penale “vrasje me paramendim”, “grup i strukturuar kriminal” dhe “mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve”. Sipas SPAK, Duka ka pasur rol kyç në organizimin e atentatit ndaj ish-policit. Gjykata ka njoftuar se vendimi për këtë çështje do të shpallet më 21 janar, në orën 11:45.

Gjatë seancës, Leonard Duka ka deklaruar se është i pafajshëm, duke pretenduar se ndaj tij nuk ka asnjë provë konkrete dhe se procesi është i montuar nga policia për t’i dëmtuar imazhin. “Jam i pafajshëm dhe Prokuroria nuk ka asnjë fakt kundër meje. Kjo është e montuar nga policia. Kam besim te drejtësia”, u shpreh ai para trupit gjykues.

Në të njëjtën linjë ka qenë edhe avokatja mbrojtëse, Melina Gjata, e cila kërkoi rrëzimin e provave dhe konkluzioneve të SPAK. Ajo theksoi se hetimi është i paplotë, i paragjykuar dhe i bazuar më shumë në deduksione dhe raportime mediatike sesa në prova ligjore. Sipas saj, disa dëshmi janë marrë nën presion dhe përgjimet e përdorura nga Prokuroria, përfshirë komunikimet në aplikacionin “Sky”, janë të paligjshme dhe në kundërshtim me legjislacionin shqiptar.

Në sallë e pranishme ka qenë dhe nëna e ish-policit të ndjerë, Santiago Malko e cila u shpreh që djali i saj është vrarë në mes të rrugës dhe se autorët meritojnë dënim maksimal.

“Unë nuk dua burgim të përjetshëm, dua dënim me vdekje për këtë”, u shpreh ajo, duke akuzuar drejtpërdrejt Leonard Dukën për vrasjen e të birit.

SPAK ka kërkuar në total 157 vite burg për gjashtë të pandehurit e përfshirë në këtë çështje. Konkretisht, 32 vite burg për Leonard Dukën, 32 vite për Fatmir Hysenin, 25 vite për Erlis Dukën, 22 vite për Aleksandër Manxhakun, si dhe nga 23 vite burg për Oltian Logën dhe Dritan Agajn. Ndërkohë, për këtë vrasje, në një proces të ndarë janë dënuar edhe Blendi Teta dhe Ilir Selmani.

Ish-polici Santiago Malko u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit 2019 në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë. Ai u qëllua me breshëri kallashnikovi teksa udhëtonte me automjetin e tij BMW X5. Pas përplasjes së makinës me një mur lavazhi, autorët iu afruan dhe e qëlluan në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Në seancën e fundit, Leonard Duka, i njohur si rivali kryesor i bosit të lojërave të fatit Ervis Martinaj, pranoi se kishte pasur takime me Martinajn, por mohoi komunikime të vazhdueshme dhe përdorimin e aplikacionit të koduar SKY ECC, ndonëse prokuroria solli prova që sugjerojnë të kundërtën.

Sipas SPAK, prishja e marrëdhënieve mes Dukës dhe Martinajt, pas rrëmbimit dhe dhunimit të babait të Dukës, shënoi pikën e kthesës që çoi në hakmarrjen ndaj Malkos, të cilin e konsideronin si “krahu i djathtë” i Martinajt.

Sipas dosjes hetimore, ekzekutor dyshohet të jetë Fatmir Hyseni nga Vlora, i shpallur në kërkim. Ndërkohë që akuzohen si organizatorë vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka.

Malko, ish-efektiv policie për vetëm 3 muaj në strukturën e Patrullës së Përgjithshme në Tiranë, kishte një të kaluar të lidhur me botën e krimit. Ai ishte i përfshirë në ngjarjen e 4 tetorit 2018 në ish-Bllok, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha pas një përplasjeje të armatosur ku u përfshinë edhe figura të njohura të botës së krimit.

Leonard Duka u arrestua më 14 shkurt 2023 në Bruksel nga autoritetet belge, pasi në banesën e tij u gjetën armë zjarri dhe një sasi e konsiderueshme parash. Ai u ekstradua në Shqipëri në gusht 2024 dhe po përballet me drejtësinë për një nga ngjarjet më të rënda kriminale të viteve të fundit.

Vjolanda Peca
+ posts

Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.