Leonard Duka dënohet me 30 vite burg për vrasjen e ish-policit Malko

Shtatë vjet nga vrasja e Santiago Malko gjykata gjeti fajtorë edhe pesë persona të tjerë që i dënoi me një total prej 130 vite burgim.

828
Leonard Duka dhe Santiago Malko
Credits: shteg.org - Leonard Duka dhe Santiago Malko

Gjykata e Posaçme ka dhënë vendimin përfundimtar në çështjen e vrasjes së ish-policit Santiago Malko, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2019. Pas debateve dhe dëshmive, gjykata ka vendosur që Leonard Duka të dënohet me 30 vite burg për vrasjen me paramendim të ish-efektivit, një dënim që i shtohet edhe 5 vite e 4 muaj për akuzat e tjera të rënda.

Duka është shpallur fajtor për “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, duke e rënduar edhe më shumë profilin e tij në këtë proces gjyqësor. Në total, për pesë të pandehurit e përfshirë në këtë çështje, gjykata ka vendosur 130 vite burg për akuzën e “vrasjes me paramendim”.

Për katër bashkëpunëtorët e tij, dënimet janë të njëjta dhe të ashpra: Fatmir Hyseni (alias Musai), Aleksandër Maxhaku, Oltian Loga dhe Dritan Agaj janë dënuar secili me 25 vite burg. Ndërkohë, Erlis Duka, vëllai i Leonard Dukës, u shpall i pafajshëm, duke u larguar nga lista e të dënuarve.

Në kërkesën e saj, prokuroria kishte kërkuar 32 vite burg për Leonard Dukën dhe 157 vite në total për të gjithë të pandehurit.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka zhvilluar më 19 janar 2026, seancën gjyqësore për Leonard Dukën, në të cilën Prokuroria e Posacme kërkoi 32 vite burg për Leonard Dukën, dhe në total 157 vite burg për të gjithë të pandehurit e përfshirë në këtë çështje, por gjykata ka vendosur një dënim më të ulët, duke e përfunduar kështu një proces që zgjati për vite me radhë.

Gjatë seancës, Leonard Duka ka deklaruar se është i pafajshëm, duke pretenduar se ndaj tij nuk ka asnjë provë konkrete dhe se procesi është i montuar nga policia për t’i dëmtuar imazhin. “Jam i pafajshëm dhe Prokuroria nuk ka asnjë fakt kundër meje. Kjo është e montuar nga policia. Kam besim te drejtësia”, u shpreh ai para trupit gjykues.

Ndërkohë, për këtë vrasje, në një proces të ndarë janë dënuar edhe Blendi Teta i cili do të vuajë 25 vite dënim dhe Ilir Selmani i dënuar me vendim të formës së prerë.

Santiago Malko, ish-efektiv policie për vetëm 3 muaj në strukturën e Patrullës së Përgjithshme në Tiranë, kishte një të kaluar të lidhur me botën e krimit. Ai ishte i përfshirë në ngjarjen e 4 tetorit 2018 në ish-Bllok, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha pas një përplasjeje të armatosur ku u përfshinë edhe figura të njohura të botës së krimit.

Vjolanda Peca
+ posts

Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.