Kontrollet tatimore zbulojnë evazion në sektorin e ndërtimit

Administrata tatimore evidenton se për shkak të transaksioneve cash dhe vështirësive në llogaritjen e kostos reale, ndërtimi konsiderohet sektor me rrezik për pastrim parash.

626
Inflacioni në ndërtime
Credits: shteg.org - Inflacioni në ndërtime

Me 11,6 milionë metra katrorë leje ndërtimi të miratuara vetëm në 6 vite dhe me një vlerë investimi që llogaritet 514 miliardë lekë, sektori i ndërtimit në Shqipëri është bërë një nga vendet më të nxehta të evazionit fiskal.

Administrata Tatimore ka ushtruar kontrrolle dhe ka zbuluar se shumë ndërtues nuk deklarojnë çmimin real të apartamenteve. Subjektet raportojnë shitje nën çmimet e referencës dhe shpeshherë pagesa bëhet me në dorë dhe pa lëshimin e faturave fiskale.

“Kjo praktikë përdoret për të shmangur tatimin 15% të transaksionit, ndërsa përdorimi i parave cash e bën edhe më të vështirë përcaktimin e kostos reale të ndërtimit dhe rrit rrezikun e pastrimit të parave” – thuhet në dokumentet e administratës tatimore.

Nga verifikimet rezultojnë mospërputhje ndërmjet të dhënave të lejeve të ndërtimit, regjistrimeve kadastrale dhe deklarimeve tatimore, ku sipërfaqet dhe të ardhurat e deklaruara nuk përputhen me ato të miratuara ose të regjistruara zyrtarisht. Sipas auditimit, edhe pse projektet rezultojnë të përfunduara fizikisht, deklarimi i të ardhurave kryhet me vonesë ose në mënyrë të pjesshme.

Por problemi nuk është vetëm tek çmimet e pronave. Kontrolli i tatimeve në sektor ka zbuluar se shumë punonjës deklarohen me paga të ulëta, ndërkohë që realiteti i punës në terren është krejt tjetër. Tatimet flasin për numër të ulët punonjësish të deklaruar, paga nën nivelin e tregut dhe përdorim të punëtorëve të padeklaruar në fazat intensive të ndërtimit.

Në shqyrtim u morën gjithsej 8,784 tatimpagues të sektorit të ndërtimit ku 51% prej tyre kanë formën e organizimit si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar (SHPK) dhe 47% prej tyre si Person Fizik.

Sipas të dhënave që Administrata Tatimore publikoi ne Planin e Menaxhimit të Rriskut në Sektorin e Ndërtimit, numri më i madh që përbën 75% e punonjësve të deklaruar në sektorin e agjencive imobiliare marrin paga që përhihen në fashën e pagës  40,001 – 50,000 lekë, duke u ndjekur nga 22% i atyre që paguhen në fashën 50.001 – 70.000 lekë dhe vetëm 3% e tyre përfshihen në fashën e pagës 100.001 – 120.000 lekë.

Në 64 mijë punonjës që ka ky sektor vetëm 10% e tyre e kalojnë pagën mesatare të vendit duke lënë vend për dyshim se deklarimi i këtyre pagave nuk përfaqëson realitetin.

Për të ndalur këtë fenomen, Drejtoria e Tatimeve ka propozuar paga referuese, ku përveç sanitarëve, të gjithë punonjësit e tjerë duhet të kenë paga mbi 80 mijë lekë.

Në të njëjtën kohë, janë konstatuar raste të përdorimit të furnitorëve dhe nënkontraktorëve fiktivë, si dhe të faturave të rreme, me qëllim rritjen artificiale të shpenzimeve dhe uljen e fitimit të tatueshëm dhe të TVSH-së së pagueshme.

Konkretisht, janë evidentuar praktika të përdorimit të subjekteve “me risk të lartë tatimor” pa staf, aktivitet real ose me histori mospagesash, si dhe fryrje të kostove të shpenzimeve përmes zinxhirëve fiktivë të faturimit.

Kontrollet fizike kanë nisur që nga 16 janari, ndërsa informaliteti, paraqitet me një rrezik të lartë duke e kthyer ndërtimin në një sektor ku gëlon pastrimi i parave pasi vështirësia për përcaktimin e kostos reale të investimit dhe volumi i madh i transaksioneve “CASH” krijojnë mundësinë për fshehje dhe riciklim të kapitalit financiar me origjinë të paligjshme.

Strukturat e specializuara të Administratës Tatimore kanë sekuestruar disa njësi kompjuterike duke mbledhur prova bazuar në intervista me punonjës dhe vetëdeklarimet e punonjësve me qëllim vijimin e hetimit dhe dokumentimin e mëtejshëm të shklejeve tatimore.

“Nga informacioni i marrë në njësitë kompjuterike rezulton se ka evazion tatimor në lidhje me çmimet e shitjeve të apartamenteve.” – thuhet në deklaratën e Drejtorisë Tatimore.

Ndërsa strukturat tatimore bëjnë me dije se kontrollet në këto subjekte do të vijojnë, ato ftojnë subjektet tatimpaguese për vetëdeklarimin e plotë të pagave reale të punonjësve.

“Kontrollet do të vijojë me seriozitet dhe vendosmëri ndaj çdo subjekti që nuk reflekton pagat reale në listëpagesat e ardhshme, duke dëmtuar pensionet e punonjësve, konkurrencën e ndershme dhe interesin publik. Ftojmë të gjithë tatimpaguesit në fushën e ndërtimit të deklarojnë menjëherë pagat reale, për të shmangur masat administrative dhe penale.”, thuhet në njoftim.

Xhesika Tollia
+ posts

Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.

Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.