Hi, rrënoja dhe trishtim. Tre ditë pas zjarrit që përfshiu pallatin në zonën e njohur si “Farmacia 10”, situata vijon të jetë e rënduar. Rreth 30 banesa janë shkatërruar, duke lënë pa strehë familje të tëra që sot jetojnë mes pasigurisë dhe pritjes për një zgjidhje.
Flakët u përhapën me shpejtësi, ndërsa tymi mbuloi të gjithë zonën. Banorët, të mbledhur poshtë pallatit, prisnin me ankth ndërhyrjen e zjarrfikësve. Sirenat u dëgjuan, por çdo minutë vonesë ishte në favor të zjarrit, i cili përpiu sipërfaqe të tëra të godinës.
Sipas banorëve, ndërhyrja u vështirësua nga infrastruktura problematike. Rrugët e ngushta, parkimet e çrregullta dhe hapësirat e zëna penguan hyrjen në kohë të mjeteve zjarrfikëse.
“Rrugët janë ngushtuar, dikush ka bërë një lokal këtu që e ka ngushtuar fare rrugën. Ka zënë gjithë hapësirat publike. Një tjetër ka vënë prita. Nga pas kanë bllokuar me parkime me makina. Ishte një kaos i vërtetë, ku nuk kishte ku të hynte edhe zjarrfikësja” – thotë për “shteg.org” një prej banorëve.
Zjarrfikësit pranojnë se mungesa e aksesit mbetet një problem i njohur, i cili shpesh vonon ndërhyrjen në momentet kritike.
Sipas Alban Laçit, kryetar i Shoqatës Shqiptare për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimin (AFPRA), gjatë rrugës drejt vendngjarjes ndikojnë shumë faktorë, kryesisht parkimet e gabuara dhe pengesat në rrugë, të cilat në disa raste e bëjnë edhe të pamundur kalimin e mjeteve të emergjencës.
“Gjatë nisjes deri në vendngjarje mund të ketë shumë faktorë që ndikojnë, si qytetarë që parkojnë aty ku nuk duhet dhe krijojnë vonesa. Ka pasur raste kur ka qenë e pamundur të kalonim apo të lëviznim, duke na u dashur të ndërhynim manualisht për të hapur rrugën dhe për të arritur në vendngjarje. Një zjarr modern në ditët e sotme për 3 minuta arrin më shumë se 700 gradë dhe është totalisht i pamenaxhueshëm nga qytetarët”, – thotë Alban Laçi.
Por banorët e pallatit të përfshirë nga flakët ngrenë shqetësime edhe më të gjera për mungesën e infrastrukturës bazë për emergjencat.
“Gjithë ky kompleks pallatesh, të mos ketë një rrugë për çfarëdo problemi që mund të ndodhë, një fatkeqësi, një ambulancë, një gjë… Ku është? Paguajmë taksa, paguajmë çdo gjë, jemi krejt të pambrojtur” – tregon një tjetër banore.
Heronjtë e pa mbrojtur
Por ajo që panë shqiptarët pasditen e së martës, teksa pallati përpihej nga flakët, nuk ishte vetëm një betejë me zjarrin. Ishin zjarrfikës që hynin mes flakëve pa maska, pa veshje mbrojtëse dhe pa doreza, duke rrezikuar jetën për të shpëtuar banorët.
Ata u quajtën heronj. Por faktet tregojnë se sa herë që sistemi dështon prodhojmë një hero për të mbuluar atë dështim.
Ekspertët theksojnë se në një shtet funksional, heroizmi nuk duhet të jetë pjesë e përshkrimit të punës. Ajo që duhet të jetë standard është siguria, për qytetarët, por edhe për vetë ata që ndërhyjnë për t’i shpëtuar.
“Pikë së pari, një punonjës zjarrfikës duhet të jetë i pajisur me mjete personale që duhet të jenë të certifikuara dhe nuk duhet të jenë pajisje donacion, se për fat të keq pjesa më e madhe e atyre pajisjeve është donacion. Një pjesë e mirë e tyre është dhuruar nga kolegët e shërbimeve zjarrfikëse europiane. Ky realitet duhet të ndryshojë, sepse jemi në 2026, në Tiranë, dhe aspirojmë të futemi në BE. – thotë kryetari i shoqatës.
Ish-zjarrfikësi tregon edhe mungesën e autoshkallëve të larta në fazën e parë të ndërhyrjes.
“Pashë që autoshkalla 54 metërshe që është një nga autoshkallët mund të them, më të larta në Europë, që e disponon shërbimi zjarrfikës i Tiranës, nuk ishte në vendngjarje në fillim të ngjarjes. Në gjykimin tim, ajo mund të kishte qenë më efiçente në goditjen e zjarrit të fasadës, qoftë me rrymën e ujit të duhur, qoftë edhe në lartësinë e duhur.” – shpjegon Laçi.

Dhe pse të pambrojtur, zjarrfikësit arritën të shmangin viktimat dhe të shuajnë flakët, ndërsa prokuroria ka nisur hetimet mbi ngjarjen, duke arrestuar një menaxhere marketi, administratorin e pallatit dhe punonjës të tjerë, si dhe duke shpallur në kërkim pronarin e kompanisë ndërtuese. Por ekspertët ngrenë pikëpyetje mbi cilësinë e materialeve të përdorura në ndërtim.
Inxhinieri Rajmond Dervishi, duke iu referuar shpejtësisë me të cilën u përfshi pallati, ngre dyshime për materialin e përdorur në ndërtim.
“Shpejtësia e veprimit të zjarrit dhe mënyra e djegies lidhen me cilësinë e materialeve të përdorura në fasada. Shumë prej tyre janë derivate të hidrokarbureve dhe janë shumë të ekspozuara ndaj zjarrit. Janë produkte të naftës, të djegshme”, – thotë inxhinieri.
Shifrat jozyrtare tregojnë se në gjashtë vitet e fundit kanë rënë rreth 10 zjarre, por jo të përmasave aq të mëdha. Në vitin 2023, një tjetër pallat në zonën e ish-Parkut u përfshi nga flakët, ku sërish u dyshua për veshjen e fasadës me materiale të djegshme si derivatet e hidrokarbureve.
Ekspertët theksojnë se përdorimi i materialeve të djegshme është një problem i përsëritur që nis që në fazën e importit dhe kontrollit doganor. Sipas tyre, mungesa e verifikimeve lejon qarkullimin e materialeve që përshpejtojnë përhapjen e zjarrit.
“Materialet e tjera të djegshme janë normë sepse kjo problematikë fillon që në import që në doganë, sa kontrollohen materialet që importohen këtu, në aspektin e sigurisë nga zjarri. Një shembull tjetër mund të jenë bateritë e litiumit, monopatinë etj.” – thotë zjarrfikësi Laçi.
Ekspertët theksojnë se siguria e ndërtesave nuk mund të kufizohet vetëm në fazën e ndërtimit apo kolaudimit, por duhet të garantohet gjatë gjithë jetës së objektit. Mungesa e inspektimeve reale bën që standardet të mbeten vetëm në letër.
“Kjo është një këmbanë alarmi që institucionet duhet të ngrihen në nivelin e përgjegjësisë që u ngarkon detyra dhe duhet të bëjnë një inspektim të përgjithshëm si në pallatet e reja që kanë të përdorura këto materiale dhe ti heqin në një kohë shumë të shpejtë, po ashtu edhe nga pallatet e vjetra që përdorin këto materiale, sistemet kapotë që i dëgjojmë në zhargonin popullor. Duhen inspektuar të gjitha nëse janë materiale që janë të djegshme apo jo , sepse do të ndodhi prap e njëjta situatë, e njëjta katastrofë”. – thotë inxhinieri Dervishi.
Por përtej materialeve, një tjetër element thelbësor mbetet sistemi i mbrojtjes nga zjarri. Ligji nr. 152/2015 përcakton se çdo objekt duhet të marrë certifikatë sigurie pas verifikimeve teknike në terren.
Sipas inxhinierit Dervishi, këto procedura shpesh kryhen në mënyrë formale, vetëm për marrjen e lejeve. Ai thotë se shumë projekte mbeten në letër dhe nuk zbatohen në praktikë.
Në të njëjtën linjë, ekspertët ngrenë shqetësimin se alarmet, hidrantët dhe daljet emergjente shpesh nuk testohen dhe nuk mirëmbahen siç duhet.
“Sistemet e mbrojtjes kundër zjarrit është një vegël e shtuar e shërbimit zjarrfikës. Ato kthehen në vegël të sistemit zjarrfikës nëse janë ndërtuar siç duhet dhe shërbimi zjarrfikës di ta përdori. Problemi është që ato që montojnë këto sisteme nuk janë të trajnuar dhe zjarrfikësit nuk kanë informacionin e duhur.” – tha Alban Laçi.
Rindërtimi pas zjarrit nën hijen e pasigurisë

Ndërsa institucionet ligjzbatuese ende nuk kanë dalë me një raport zyrtar mbi shkaqet e zjarrit dhe mbi mundësinë e parandalimit të tij në përmasa të tilla tragjike për banorët, vetëm pak orë pas ngjarjes, kryeministri Edi Rama reagoi publikisht, duke përjashtuar lidhjen e zjarrit me cilësinë e ndërtimit.
Deklarata u bë në një moment kur ende nuk kishte përfunduar asnjë ekspertizë e plotë, por pavarësisht këtyre rrethanave, kryeministri doli me një qëndrim përfundimtar, çka sipas ekspertëve e tejkalon fazën e konstatimeve paraprake.
Për ekspertët, deklarata e Ramës ishte jo vetëm e parakohshme, por perceptohet si presion ndaj strukturave hetimore dhe ekspertizës që po punon për zbardhjen e ngjarjes.
“Deklarata e kryeministrit është aq sa propagandistike, edhe shumë linçuese për institucionet që do të hetojnë aty. Unë nuk besoj që do ketë ndonjë prokuror apo një oficer të policisë gjyqësore që do ndërmarrë apo do të nxjerrë një shkak tjetër determinues nga ai që kryeministri e linçon më herët”, – thotë inxhinieri Dervishi.
Menjëherë pas qëndrimit të kryeministrit, publikisht reagoi edhe kompania ndërtuese ARLIS Construction, e cila tha se merrte përsipër rindërtimin e fasadës për shtëpitë e prekura.
Por ekspertët thonë se zjarre të kësaj përmase nuk prekin vetëm pamjen e jashtme, por mund të kenë dëmtuar edhe strukturën mbajtëse të godinës, duke e bërë atë potencialisht të rrezikshme në rast fatkeqësish të tjera, përfshirë edhe tërmetet.
“Objekte të tilla që janë objekte civile nuk janë projektuar për temperatura të larta. Dhe zjarri në këto temperatura luan efektin e një furre të mirëfilltë. Prezenca e këtyre temperaturave dëmton edhe strukturën e ndërtesës, strukturën e betonit. Ajo qëndron në këmbë, por në raste të lëkundjeve tektonike, një beton që ka humbur aftësinë mbajtëse është më i ekspozuar ndaj shembjeve. Instituti i Ndërtimit, që merret me oponenca teknike, duhet të bëjë një ekspertizë shumë të thelluar edhe me prova laboratorike, e theksoj, jo vetëm vizualisht, që të vinë dy ose tre vetë me një çekiç në dorë e të thonë mban apo nuk mban. Kjo kërkon prova laboratorike”, – thotë Dervishi.
Bashkia e Tiranës nuk iu përgjigj pyetjeve që u ngritën mbi të vërtetat që zbuloi zjarri i rënë pak ditë më parë.
Banorët, shtëpitë e të cilëve i shpëtuan flakëve, janë kthyer mes hirit dhe dëmeve, duke pastruar me kova uji gjithçka që ka mbetur pas zjarrit.
Shumë prej tyre nuk kanë fjetur në banesat e tyre, si pasojë e mungesës së energjisë elektrike dhe dëmeve të shkaktuara nga tymi. Megjithëse muret kanë qëndruar në këmbë, frika dhe pasiguria janë të dukshme në çdo fjalë të tyre.
“Kemi shumë frikë, jemi të pasigurt. Po, të gjithë të traumatizuar. Të gjithë kanë ikur. Nuk e di nga janë. Kanë shkuar. Nuk ka më asnjë njeri”, – thotë një banore për “shteg.org”.
Për disa prej tyre, kthimi në këtë realitet nuk është më i mundur dhe e vetmja zgjidhje shihet largimi, pas humbjes së gjithçkaje.
Ngjarja e zjarrit në “Farmacia 10” ka lënë pas jo vetëm dëme të mëdha materiale dhe dhjetëra familje të pastreha, por edhe një sërë pikëpyetjesh mbi sigurinë e ndërtesave dhe funksionimin e institucioneve përgjegjëse. Nga rrugët e bllokuara dhe ndërhyrja e vështirësuar e zjarrfikësve, te dyshimet për materialet e përdorura në ndërtim dhe funksionimin formal të sistemeve të mbrojtjes nga zjarri.
Ndërsa hetimet vijojnë dhe përgjegjësitë mbeten për t’u përcaktuar, për banorët pasojat janë tashmë të prekshme: humbje, pasiguri dhe nevoja për të rindërtuar jetën nga e para.
“Është për t’u ikur, me ik diku larg, por ku të shkojnë njerëzit, t’ia nisin nga zero, kanë humbur gjithçka”, thotë një tjetër banor.
Por duket se këto fatkeqësi nuk shqetësojnë institucionet, së paku prefektin e Tiranës.
“Kjo është më thënë të drejtën një gjë që mua nuk më ka vënë shumë në preokupim, që të jem i sinqertë më ju, por kam urdhëruar Bashkinë e Tiranës edhe Emergjencat Civile që ato do kenë mundësi të jenë në ambiente të tjera. Por sigurisht, jam i bindur që s’do ketë nevojë sepse ne jemi shqiptarë kanë kushërinj, halla, daja.” – tha në deklaratën për mediat Prefekti i Tiranës Shkëlqim Hajdari.
Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.
Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.






























