Sterilizimi, lirohen dy emrat kryesorë të aferës

Ish-zëvendësministri Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, u dënuan për shpërdorim detyre dhe falsifikim, në një aferë që u kushtoi mbi 114 mln euro taksapaguesve.

442
Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj
Credits: shteg.org - Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur lirimin nga burgu të ish-zëvendësministrit të Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, dhe biznesmenit Ilir Rrapaj, të dënuar për shkelje në koncesionin e sterilizimit.

Të dy u dënuan fillimisht me nga 6 vite burg për veprat penale “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “falsifikim dokumentesh”. Megjithatë, për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tyre u reduktua në 4 vite secili.

Lirimi i tyre lidhet me kohën e gjatë të kaluar në paraburgim që prej arrestimit në vitin 2023, duke bërë që dënimi të konsiderohet pothuajse i shlyer.

Rrjepaj dhe Rrapaj u shpallën fajtorë për shkelje në procedurat e dhënies së koncesionit të sterilizimit, një kontratë me vlerë rreth 100 milionë euro në sektorin e shëndetësisë. Megjithatë, ata u shpallën të pafajshëm për akuzën e “grupit të strukturuar kriminal”.

Kjo aferë, e cila i ka kushtuar mbi 114 milionë euro taksapaguesve shqiptarë, përfundoi me dënime relativisht të ulëta për të akuzuarit, përfshirë zyrtarë të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë. Trupa gjykuese shpalli vendimin për tetë të pandehurit brenda vetëm 15 minutash.

Pavarësisht kërkesës së prokurorisë për dënime deri në 10 vite burg, gjykata vendosi 6 vite burg për të akuzuarit kryesorë, të reduktuara në 4 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Kjo pritet të çojë në lirimin e shpejtë të shumicës së tyre.

Ndërkohë, të pandehur të tjerë, si ish-drejtoresha juridike Marsela Serjanaj dhe rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata, përfituan masa më të lehta si arrest shtëpie, shërbim prove ose punë në interes publik.

Dosja e sterilizimit është një nga rastet më të rëndësishme të hetuara nga SPAK që prej krijimit të tij. Hetimet zbuluan shkelje të shumta në procedurat e dhënies së kontratës, ku sipas prokurorisë, kriteret ishin përshtatur për të favorizuar kompani të caktuara.

Ndërkohë, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj vijon të gjykohet veçmas për akuza të ngjashme. Procesi ndaj tij ka pësuar shtyrje të shumta për shkak të kërkesave procedurale dhe volumit të madh të dosjes hetimore.

Pas më shumë se një dekade dhe mbi 114 milionë euro të shpenzuara, qeveria vendosi në fund të vitit 2025 të shtetëzojë koncesionin e sterilizimit, duke krijuar një shoqëri shtetërore që do të menaxhojë këtë shërbim në vijim.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.