Afera e koncesionit të sterilizimit, burg simbolik për të akuzuarit

Ish-zëvendësministri Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj u dënuan me 6 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe kohës së kaluar në paraburgim, pritet të fitojnë lirinë shumë shpejt.

541
Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj
Credits: shteg.org - Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj

Afera e koncesionit të sterilizimit, që u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë mbi 114 milionë euro, përfundoi në gjykatë me dënime minimale për të akuzuarit që përfshinin të gjithë zinxhirin drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë.

Trupës gjykuese i mjaftuan vetëm 15 minuta për të shpallur vendimin ndaj tetë të pandehurve, të cilët akuzoheshin për shkelje të ligjit gjatë procedurave të dhënies së njërit prej koncesioneve më të kushtueshme të sektorit të shëndetësisë.

Gjykata vendosi 6 vite burg për të akuzuarit e koncesionit të sterilizimit, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul automatikisht në 4 vite, një masë që do t’i lejojë shumicën e tyre të dalin nga burgu shumë shpejt, pavarësisht kërkesës së prokurorisë për 10 vite.

Ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, u shpall fajtor për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “falsifikim dokumentesh”, por i pafajshëm për akuzën e “pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”.

Me kohën e kaluar në paraburgim, Rrjepaj pritet të lirohet brenda dy muajsh.

I njëjti vendim u mor edhe për biznesmenin Ilir Rrapaj, i cili u dënua me 6 vite burg, por me uljen e gjykimit të shkurtuar përfitoi vetëm 4 vite dhe pritet të dalë nga burgu njëkohësisht me Rrjepajn.

Të tjerët, përfshirë ish-drejtoreshën juridike Marsela Serjanaj dhe rektorin e Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata, morën dënime të konvertuara në arrest shtëpie, shërbim prove ose punë në interes publik. Për pjesën më të madhe të të akuzuarve, dënimet janë kryer ose do të kryhen pa kaluar shumë kohë pas hekurave, një përfundim simbolik për një aferë që ka tronditur sektorin e shëndetësisë.

Dosja e sterilizimit është rasti i parë i kallëzuar në SPAK që prej themelimit të Prokurorisë së Posaçme.

Pas tre vitesh hetime intensive, SPAK nisi procedimin penal edhe ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, ish-zëvendësministrit Klodian Rrjepaj, biznesmenit Ilir Rrapaj dhe gjashtë anëtarëve të tjerë të komisionit të dhënies së koncesionit.

Hetimet zbuluan shkelje të shumta në procedurat e dhënies së kontratës. Klodian Rrjepaj, si kryetar i komisionit, kishte hartuar kritere që favorizonin kompanitë e përzgjedhura paraprakisht, përfshirë SaniService, kompania që ofronte shërbime sterilizimi dhe ndodhet nën sekuestro që nga janari 2024, si dhe kompaninë e shtetasit italian Umbro Staccini.

Nga na tjetër, ish-ministri Ilir Beqaj, i akuzuar për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, po gjykohet veçmas që prej majit 2025. Dosja e tij voluminoze përmban 602 volume hetimore dhe tetë volume gjyqësore, por seancat janë shtyrë për shkak të kërkesave të tij për të njohur aktet e dosjes dhe regjistrimet audio të seancave paraprake.

Beqaj ka shërbyer si ministër i Shëndetësisë në qeverinë e parë të Edi Ramës, ku gjatë mandatit 2013-2017 nënshkruan tre kontrata koncesionare me dhjetra milionë euro për shërbime shëndetësore. Prej vitit 2021 deri 2023, ai drejtoi Agjencinë Shtetërore për Programin Strategjik dhe Koordinimin e Ndihmës.

Më 30 dhjetor 2025, pas një dekade dështimesh dhe mbi 114 milionë euro të shpenzuara nga taksapaguesit për koncesionin e sterilizimit, qeveria vendosi ta shtetëzojë projektin, duke krijuar shoqërinë aksionare shtetërore “Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit”, me një kapital fillestar prej 200 milionë lekësh, që do të marrë përsipër ofrimin e shërbimeve të sterilizimit.

Vjolanda Peca
+ posts

Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.