Një ngarkesë e dyshimtë me pleh kimik që mbërriti nga Amerika Latine në Ballkan u kthye në fillin që çoi drejt zbulimit të një prej laboratorëve më të mëdhenj të kokainës të zbuluar ndonjëherë në Shqipëri.
Hetimet për laboratorin e kokainës të zbuluar në Frakull të Fierit kanë çuar në identifikimin e pesë bashkëpunëtorëve të tjerë të dyshuar si pjesë e rrjetit të trafikimit ndërkombëtar të kokainës nga Kolumbia drejt Shqipërisë.
Sipas SPAK, më 4 mars 2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” për pesë persona të dyshuar si të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
“Në vijim të hetimeve është bërë e mundur identifikimi i pesë bashkëpunëtorëve të tjerë të dyshuar në këtë aktivitet kriminal”, thuhet në deklaratën zyrtare të SPAK.
Një ditë më pas, më 5 mars, strukturat e Policia e Shtetit ekzekutuan vendimin për tre prej tyre: Klevent Gjolena, Musa Gjikola dhe Aldi Zonja. Dy të tjerë, Kevin (alias Arjan Margjoni) dhe Durim Keçi, janë shpallur në kërkim dhe po kërkohen në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
Më 24 nëntor 2022, në fshatin Frakull të Fierit, u zbulua një laborator për përpunimin e kokainës. Në atë kohë u sekuestruan 485.5 kilogramë kokainë të fshehur në rreth 400 thasë me pleh kimik, me një vlerë që në tregun e drogës arrinte rreth 40 milionë euro.
Sipas hetimeve, droga u zbulua fillimisht në Portin e Tivarit në Malin e Zi. Në vend që të sekuestrohej menjëherë, autoritetet vendosën ta mbanin nën vëzhgim për të zbuluar se ku do të përfundonte.
Operacioni u zhvillua në bashkëpunim mes autoriteteve shqiptare, policisë malazeze dhe agjencisë amerikane kundër drogës Drug Enforcement Administration (DEA). Thasët me pleh kimik, ku ishte fshehur kokaina, u ndoqën deri në Shqipëri.
Banesa ku u zbulua laboratori rezultonte në pronësi të ish-kryetarit të komunës së Frakullit, Viktor Çervanakut. Sipas burimeve hetimore, ai nuk jetonte në banesë, pasi banonte në Tiranë, ndërsa ambienti dyshohet se ishte përdorur nga persona të tjerë për përpunimin e drogës.
Në zonë u gjetën edhe qindra thasë me pleh kimik që shërbenin për të kamufluar lëndën narkotike. Sipas banorëve të zonës, në oborrin e banesës kishte dhjetëra thasë të tillë.
Operacioni çoi në arrestimin e një numri të madh personash, ndërsa hetimet zbuluan një rrjet që përfshinte trafikantë, transportues dhe persona që merreshin me përpunimin e kokainës në laborator.
Për këtë episod trafikimi janë dënuar tashmë 10 shtetas shqiptarë, dhe Gjykata e Posaçme i shpalli fajtorë për trafik narkotikësh, armëmbajtje pa leje dhe grup të strukturuar kriminal, duke i dënuar me 89 vite burg. Po ashtu, hetimet vijojnë ndaj një shtetasi kolumbian që dyshohet të ketë qenë pjesë e procesit të përpunimit të drogës.
Ndërkohë, në kuadër të hetimeve janë sekuestruar edhe automjete luksoze dhe pajisje komunikimi që dyshohet se janë përdorur për aktivitet kriminal.
SPAK thotë se procedimi penal i ri është vazhdim i hetimeve të mëparshme për këtë rrjet trafiku ndërkombëtar.
“Ky procedim penal lidhet me hetimet për trafikimin gjatë vitit 2022 të një sasie prej 485.5 kilogramë kokainë, e importuar nga Kolumbia dhe e fshehur në një ngarkesë me pleh organik artificial”, thuhet në deklaratë.
Hetimet po vijojnë për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë qenë pjesë e këtij rrjeti, ndërsa autoritetet shqiptare po bashkëpunojnë me partnerë ndërkombëtarë si Europol dhe Eurojust.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.
























