Vrasje, atentate dhe drogë, SPAK zbulon rrjetin kriminal në Vlorë

Hetimi dokumenton përfshirjen e anëtarëve të grupit kriminal dhe mbështetjen e brendshme të policisë për trafikun e kokainës nga Amerika Latine drejt Europës.

464
Grupe kriminale
Credits: shteg.org - Grupe kriminale

Mëngjesin e së shtunës, rrugët e lagjes “Uji i Ftohtë” në Vlorë u mbushën me automjete të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe ekipeve të SPAK-ut. Hetuesit hynë në disa banesa dhe lokale, duke ekzekutuar urdhër-arrestet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për tetë persona të dyshuar për vrasje të paramenduara, atentate mafioze dhe trafik ndërkombëtar droge.

Hetimi kishte nisur disa muaj më parë, pas ekzekutimit të Gentian Qarrit më 6 shkurt 2021 në lagjen “29 Nëntori” të Vlorës. Nga pamjet filmike të administruara nga policia duket se ndaj tij është qëlluar me automatik nga brenda automjetit tip Toyota Yaris që ishte në lëvizje.

Qarri kishte 3 vite që ishte kthyer në Vlorë pasi ishte i dënuar në Itali me 11 vite burgim për akuzën e trafikut të drogës.

Sipas njoftimit të SPAK, “Inez Hajrulla dhe Ervis Matodashaj, në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të grupit të strukturuar kriminal, kanë organizuar, ndërvepruar dhe koordinuar në kohë reale me ekzekutorët me qëllim realizimin e vrasjes dhe kanë dhënë udhëzime operative që kishin të bënin me monitorimin e viktimës, sigurimin e automjeteve dhe kryerjes së vrasjes, fshehjen e autorëve dhe djegien e automjetit me të cilin janë larguar autorët.”

Pak muaj më vonë, më 10 maj 2021, grupi dyshohet të ketë ekzekutuar edhe biznesmenin vlonjat Bledar Birçaj. Ky i fundit ra pre e një atentati të mirëorganizuar në 10 maj 2021 në qytetin e Vlorës, teksa ndodhej në makinë.

Sipas njoftimit zyrtar, edhe kjo vrasje dyshohet se është kryer nga grupi i Inez Hajrullaut.

“Inez Hajrulla dhe Ervis Matodashaj, si dhe shtetas të paidentifikuar deri në këtë fazë të hetimit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë ndërmarrë një seri veprimesh të qëllimshme për të realizuar vrasjen e Bledar Birçajt. Ata kanë siguruar të gjitha kushtet dhe kanë përdorur mjete teknike, si kamera survejimi, dhe kanë vëzhguar lokalin ‘The Boss’ në pronësi të Bledar Birçajt, për të monitoruar në mënyrë të vazhdueshme lëvizjet, oraret dhe personat me të cilët shoqërohet. Gjithashtu, rezulton se ata kanë hartuar një plan konkret për mënyrën dhe vendin e ekzekutimit.”

Kamionë, konteinerë dhe identitete të rreme

Analiza e komunikimeve të koduara në aplikacionin Sky ECC zbuloi aktivitetin ndërkombëtar të trafikut të drogës. Grupi kishte ngritur një rrjet të sofistikuar për trafik ndërkombëtar të kokainës, duke lidhur Amerikën Latine me vendet e Bashkimit Europian.

Sipas hetimeve, grupi kriminal kishte ngritur mekanizma të sofistikuar financiarë për të realizuar pagesat dhe për të financuar blerjen e lëndëve narkotike në Amerikën Latine, ndërsa transporti kryhej përmes rrugëve detare dhe tokësore drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Çdo dërgesë vinte e fshehur, shpesh brenda kamionëve ose konteinerëve, duke përdorur identitete të rreme dhe kode të koduara në komunikim, në përpjekje për të shmangur kapjen nga autoritetet. Hetuesit dokumentuan se sasia e kokainës që kalonte nëpër këtë rrjet ishte masive, duke treguar një mekanizëm të strukturuar dhe të menaxhuar profesionalisht nga grupi kriminal.

Në portin e Roterdamit në Holandë është sekuestruar një sasi prej 750 kilogramë kokainë, dhe sipas hetimeve droga ishte porositur në Ekuador nga shtetasit Flodian Plaku (me disa identitete) në bashkëpunim me Mendu Duka dhe persona të tjerë të paidentifikuar, me destinacion vendet e Bashkimit Europian. Gjithashtu, rreth 14 kilogramë kokainë janë sekuestruar nga Policia Greke në Patra, brenda një kamioni që udhëtonte nga Holanda.

Nga komunikimet rezulton se në këtë mjet transportohej edhe një ngarkesë tjetër droge me destinacion Italinë, transport i organizuar nga Argest Xheza në bashkëpunim me persona të tjerë. Në një tjetër rast, 400 kilogramë kokainë të trafikuar nga Spanja drejt Gjermanisë në dhjetor 2020 janë sekuestruar nga autoritetet gjermane. Sipas hetimeve, porositës dhe posedues të kësaj sasie dyshohen të jenë shtetasit Rezart Kuçi, oficer policie (i cili më parë ka mbajtur detyra në DVP Vlorë, Fier, Tiranë dhe Kukës), dhe Arben Memishaj në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të grupit kriminal, të cilët kishin investuar edhe në mjete lundruese për transport të drogës.

Po ashtu janë dokumentuar edhe sekuestrime të lëndëve narkotike të llojit cannabis sativa, përfshirë 227 kilogramë të sekuestruara në pikën doganore Ipsala në Turqi në korrik 2020 dhe rreth 500 kilogramë të sekuestruara në vendkalimin kufitar Bogorodicë në Maqedoninë e Veriut, në mars 2021, të cilat dyshohet se transportoheshin përmes kamionëve drejt Turqisë përmes Greqisë.

Hetimi zbuloi se anëtarët e grupit koordinonin çdo hap të transportit në detaje, nga blerja e drogës në Ekuador, sigurimi i mjeteve për ngarkimin dhe transportin detar, deri te koordinimi i rrugëve tokësore për shpërndarjen në portet europiane.

“Grupi kishte ngritur mekanizma të sofistikuar financiarë për të realizuar pagesat dhe për të financuar blerjen e lëndëve narkotike,” njoftoi SPAK.

Kur policia u bë pjesë e rrjetit kriminal

Rezart Kuçi, ish oficer policie
Credits: Policia e Shtetit – Rezart Kuçi, ish oficer policie

SPAK njoftoi se Rezart Kuçi, oficer policie, dyshohet të ketë përdorur pozicionin e tij për të ndihmuar aktivitetin kriminal, duke siguruar logjistikë për transportin e drogës, nxjerrë informacione mbi kontrollet policore dhe ndërhyrë në pajisje celulare për të fshirë të dhëna që mund të zbulonin rrjetin, si dhe përdorur në mënyrë të paligjshme sistemin TIMS për interesa të personave të përfshirë në aktivitet kriminal.

Një ish-efektiv tjetër, Hamëz Demushi, u arrestua në Zvicër për trafik droge.

“Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi Rezart Kuçi, me detyrë oficer policie, dyshohet se ka përdorur funksionin e tij për të ndihmuar aktivitetin kriminal,” deklaroi SPAK, duke treguar se lidhjet e brendshme të policisë lejonin grupin të funksiononte më efektivisht dhe të shmangte kontrollin e ligjit.

Kuçi, i cili një vetëm një vit më parë u shfaq në ceremonitë zyrtare duke u nderuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit me certifikatë për “Shërbime të Dalluar”, u arrestua në Vlorë ndërsa akuzohet për “Shpërdorim detyre”, “Trafik lëndësh narkotike” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.

Ndërkohë, si pjesë e grupit u arrestua në Zvicër edhe Hamëz Demushi, edhe ky pjesë e uniformave policore, dhe akuzohet për përfshirjen në trafikimin e lëndëve narkotike.

Hetimet treguan se grupi kishte ngritur mekanizma financiarë për të realizuar blerjen e sasive të konsiderueshme të kokainës.

“Ky grup kriminal kishte ngritur mekanizma të sofistikuar financiarë për të realizuar pagesat dhe për të financuar blerjen e lëndëve narkotike në Amerikën Latine, ndërsa transporti kryhej përmes rrugëve detare dhe tokësore drejt vendeve të Bashkimit Europian,” thuhet në njoftim zyrtar.

Pas arrestimeve të kryera nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për 8 personat për akuza që kanë të bëjnë me “Vrasja me paramendim” e Gentjan Qarrit më datën 6 shkurt 2021 në qytetin e Vlorës, e kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.