Gjykata e Posaçme vendosi që të gjitha dokumentet e çështjes hetimore t’i dorëzohen kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, përmes një oficeri të Byrosë Kombëtare të Hetimit në ambientet e IEVP Durrës, ku ai ndodhet në paraburgim. Ky vendim u mor pas kërkesës së Veliajt për të njohur plotësisht aktet e dosjes, një kërkesë që ai ka bërë tashmë për herë të tretë.
Veliaj ka pretenduar se nuk kishte pasur mundësi të njihte të gjitha materialet hetimore dhe se çështja nuk duhej të kalonte në shqyrtim në themel pa këtë njohje.
Ai depozitoi një deklaratë ku shprehej se nuk dëshironte të paraqitej në seancë, duke theksuar se sipas tij nuk ishte zhvilluar ende një seancë paraprake.
Avokatja e caktuar nga gjykata, Valentina Teodoresku, konfirmoi se Veliaj ka të drejtë të njohë aktet përpara shqyrtimit në themel.
“I pandehuri i mbrojtur prej meje ka të drejtë në atë që thotë, pasi nuk është njohur me aktet dhe për këtë arsye ai ka të drejtë të pretendojë se nuk është zhvilluar një seancë paraprake”, u shpreh avokatja e caktuar kryesisht nga Gjykata, Valentina Teodoresku.
Nga ana tjetër, Prokurori i çështjes, Olsi Dado, theksoi se, sipas prokurorisë, Veliaj është njohur me aktet e dosjes.
“Në lidhje me të pandehurin Erion Veliaj që kërkon të njihet me aktet, ne vlerësojmë që janë njohur me aktet, por arsyetimit të tij dhe mbrojtësve të tij, ne i kemi shtuar edhe disa argumente shtesë që i pandehuri është njohur me aktet”, u shpreh përfaqësuesi i akuzës, Dado.
Sipas vendimit të trupës gjykuese që përbëhet nga gjyqtaret Engjëllushe Tahiri, Alma Kodraliu dhe Rudina Palloj, të gjitha fashikujt e hetimit do t’i dorëzohen të pandehurit përmes një oficeri të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Dorëzimi i dokumenteve do të kryhet brenda një afati të shkurtër kohor në ambientet e IEVP Durrës, ku Veliaj ndodhet në paraburgim.
Por seanca e parë gjyqësore për shqyrtimin në themel të çështjes ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, është shtyrë nga Gjykata e Posaçme pasi mungoi i pandehuri Gentian Sula sëbashku me avokatin mbrojtës dhe avokati i kompanisë Fusha sh.p.k.
Nga 30 të pandehurit që duhej të ishin në sallën e gjyqit, përpos Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa edhe biznesmeni Gentian Sula sëbashku me avokatin e tij Artan Zeneli, i cili deklaroi se ndodhej jashtë vendit, munguan. Edhe mungesa e avokatit të kompanisë Fusha sh.p.k, u konsiderua nga gjykata si pamundësi objektive për të vijuar me procesin dhe solli shtyrjen e seancës më 24 mars.
Ndërkohë, e pandehura Ajola Xoxa ka qenë në dijeni për seancën, por nuk u paraqit. Avokatët e saj, Maksim Haxhia dhe Dritan Jahaj, deklaruan se klientja e tyre ndodhet në pamundësi për të marrë pjesë pasi është shtatzënë dhe mjeku i ka rekomanduar të mos paraqitet për momentin në gjykatë.
Në seancë ishte i pranishëm i pandehuri Elman Abule, ndërsa disa të pandehur të tjerë u përfaqësuan nga avokatët e tyre.
Më 9 shkurt 2026, Gjykata e Posaçme vetëm një ditë para se të mbushte një vit në paraburgim, vendosi të kalojë për gjykim çështjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025 dhe mbahet në paraburgim në Durrës, i akuzuar për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv, shpërdorim detyre dhe vepra të tjera penale. Së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, dyshohet se kanë ndërtuar një skemë korrupsioni dhe pastrimi parash duke përfituar nga pozita e tij si kryebashkiak i Tiranës, përmes alokimit të fondeve publike drejt bizneseve dhe organizatave të lidhura me familjen e tyre.
Hetimet nisën nga kallëzimi anonim i “Nesti Angonit” në SPAK. Në çështje janë të përfshirë edhe ish-kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, dhe një grup biznesmenësh si Elman Abule, Shkëlqim Fusha, Gentian Sula, Mirton Lika etj.
Gjatë një viti në paraburgim, Veliaj ka kërkuar disa herë njohjen me aktet e dosjes dhe ndryshimin e masës së sigurisë, kërkesa që janë rrëzuar nga Gjykata e Posaçme.
Në nëntor 2025, qeveria dhe Presidenti Bajram Begaj vendosën shkarkimin e tij dhe zgjedhje të pjesshme në Tiranë, por Gjykata Kushtetuese më 3 nëntor 2025 i dha të drejtë Veliajt, duke rrëzuar vendimin e qeverisë dhe dekretin e presidentit dhe duke sqaruar se paraburgimi nuk e largon automatikisht nga detyra.
Veliaj mbetet në detyrë si kryebashkiak, por tani përballet me procesin gjyqësor për akuzat, të cilat ai i mohon duke i cilësuar si një komplot politik ndaj tij.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.
























