Kushtetuesja rihap çështjen e arrestimit me burg për Veliajn

Me një votim të ngushtë 5 me 3, Gjykata Kushtetuese kthen për rishqyrtim masën "arrest me burg" për kryebashkiakun, mes pretendimeve të mbrojtjes për cenim mandati dhe qëndrimit të SPAK për intimidim të dëshmitarëve.

292
Erion Veliaj në Gjykatën Administrative
Credits: LSA - Erion Veliaj në Gjykatën Administrative

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë ka trazuar ujërat juridike dhe politike në vend, duke vendosur me një shumicë të ngushtë votash, 5 me 3, të rikthejë për rishqyrtim çështjen e masës së sigurisë ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

“Gjykata, me shumicë votash, vendosi “pranimin e pjesshëm të kërkesës”; “shfuqizimin e vendimit nr. 00-2025-1153 (176), datë 08.07.2025 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Dërgimin e çështjes për shqyrtim në Gjykatën e Lartë” – thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ku saktësohet se gjyqtarët në vendimarrje janë bazuar në praktikën e Kolegjeve të Bashkuara dhe në një opinion të Komisionit të Venecias.

Ky vendim nuk e mbyll përfundimisht debatin mbi ligjshmërinë e izolimit të tij, por e zhvendos zyrtarisht betejën ligjore për liri në Gjykatën e Lartë.

Veliaj po kundërshton me forcë masën “arrest me burg” të vendosur nga Gjykata e Posaçme më 9 shkurt 2025, duke pretenduar se izolimi i tij është bërë në kundërshtim me Kushtetutën dhe pa një analizë të plotë të alternativave më të lehta të sigurisë.

Procesi gjyqësor për shqyrtimin e kërkesës së Veliajt u zhvillua më 20 maj, ndërsa trupa gjykuese kërkoi kohë, deri më 25 maj 2026, për të marrë një vendim përfundimtar.

Mbrojtja e Veliajt ka argumentuar se gjykatat e shkallëve më të ulëta dështuan të analizonin kriteret e Kodit të Procedurës Penale. Ky kod parashikon se, pas kalimit të një periudhe të caktuar kohore, personat nën hetim mund dhe duhet të gjykohen në liri kundrejt një garancie pasurore për të cilën kryebashkiaku është shprehur plotësisht i gatshëm ta vendosë.

Veliaj deklaroi gjithashtu se standardet e një procesi të rregullt ligjor ishin shkelur në të gjitha shkallët e gjykimit. Sipas tij, trupat gjyqësore e kishin paragjykuar për shkak të statusit dhe pozicionit publik, pa pasur prova të qarta për shkeljet e pretenduara.

“Standardet e një procesi të rregullt ligjor janë shkelur në të gjitha shkallët. Trupat gjyqësore më kanë paragjykuar për shkak të statusit dhe pozicionit publik, pa pasur prova të qarta për shkeljet e pretenduara,” ka deklaruar Veliaj gjatë mbrojtjes së tij.

Nga ana tjetër, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbajti qëndrimin se pozicioni i Veliajt si kryetar bashkie krijon mundësi ndikimi ndaj dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë, duke argumentuar se masa e sigurisë ishte e nevojshme.

Me vendimin e sotëm të Kushtetueses që kthen dosjen mbrapsht për rishqyrtim, topi i kalon Gjykatës së Lartë, e cila do të duhet të thotë fjalën e fundit nëse Erion Veliaj do t’i ndjekë hetimet e mëtejshme nga qelia apo në gjendje të lirë.

Kjo është hera e dytë që Veliaj i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Më 28 maj, Gjykata e Lartë pritet të shqyrtojë një tjetër kërkesë të tij për ndryshimin e masës së sigurisë dhe zëvendësimin e “arrestit me burg” me një masë më të lehtë.

Ndërkohë, dosja penale ndaj Veliajt, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe disa biznesmenëve ndodhet në gjykim themeli që prej shkurtit 2026. SPAK ka ngritur ndaj Veliajt akuza për korrupsion pasiv në nëntë raste, pastrim parash, fshehje pasurie dhe futje të sendeve të paligjshme në burg.

Sipas hetimeve, Veliaj dhe bashkëshortja e tij dyshohet se kanë përfituar mbi 1.1 milionë euro përmes një skeme ku fonde publike të Bashkisë së Tiranës kalonin drejt OJF-ve, bizneseve dhe individëve të lidhur me familjen e tyre.

Vjolanda Peca
+ posts

Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.