Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, po ndjek një qasje të ndryshme ndaj dy proceseve gjyqësore ku është i përfshirë: ndërsa refuzon të paraqitet në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), ku përballet me akuza penale, ai zgjedh të jetë i pranishëm personalisht në Gjykatën Administrative, ku ka hapur një betejë ligjore kundër prokurorit të çështjes.
Procesi ndaj tij në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) vazhdon të zvarritet në fazën e kërkesave paraprake, ndërsa edhe këtë të premte u zhvilluan debate mbi aksesin në dosje dhe kompetencën e gjykatës.
Gjatë seancës, të paktën 7 të pandehur kërkuan ndarjen apo veçimin e çështjes, ndërsa disa prej tyre depozituan edhe kërkesa për gjykim të shkurtuar.
Seanca u zhvillua në mungesë të Veliajt, i cili përfaqësohej nga avokati i tij, Plarent Ndreca. Avokati i Veliajt kërkoi dy javë kohë për t’u njohur me mbi 60 mijë faqet e dosjes dhe për të ndërtuar mbrojtjen.
“Kërkoj nga ana juaj të më vihet në dispozicion një afat të paktën dy javor për të shqyrtuar paraprakisht ça mungon nga dosja dhe si duhet të bëj mbrojtjen. Mungojnë fashikujt nga 142 deri tek 166. Dua të shqyrtoj se çfarë mungon nga kjo dosje.” – u shpreh avokati Ndreca.
Kjo kërkesë u kundërshtua nga prokurori Ols Dado, i cili e cilësoi të pajustifikuar shtyrjen, duke argumentuar se mbrojtja ka pasur kohë të mjaftueshme për t’u njohur me aktet.
“Nuk mund të jemi përpara situatave ku ndërrohen avokatët dhe më pas kërkohet kohë për njohje me aktet. Mbrojtësi ka pasur mundësinë dhe kapacitetin për t’u njohur me to,” argumentoi prokurori Dado.
Por gjykata, me përfaqësues treshen Ëngjëllushe Tahiri, Rudina Palloj dhe Alma Kodraliu, pas një tërheqejeje prej dy orësh vendosi ta pranojë kërkesën e avokatit të Plarent Ndreca, duke i lënë afat për njohjen e akteve deri më 15 prill, ditë në të cilën do të mbahet dhe seanca e rradhës në orën 9 të mëngjesit.
Sa i përket kërkesave procedurale, gjykim të shkurtuar kërkuan Fatmir Bektashi dhe shoqëria “Kontakt”, Frosina Bolla, Adela Kondakçiu, Fatjon Baçi, Valentina Goxhaj dhe e pandehura Xhani. Ndërsa ndarje të çështjes kërkuan Elman Abule, Mirton Likaj me shoqërinë “Lami sh.p.k”, Klotilda Bushka, Frosina Bolla, Adela Kondakçiu.
Avokatja Romina Zano, në mbrojtje të biznesmenit Elman Abule i cili ishte i pranishëm më sallë, argumentoi se faktet penale ndaj klientit të saj janë të ndara nga pjesa tjetër e dosjes dhe për këtë arsye duhet të trajtohen në një gjykatë tjetër.
“Rezulton që ky procedim përfshin disa të pandehur në kushtet kur ndodhet në fazën e shqyrtimit gjyqësor, vlerësojmë se mbajtja e një prcedimi të përbashkët do cëntonte qartësinë e shqyrtimit.” – u shpreh mbrojtja e biznesmenit Elman Abule.
Në sallë u paraqit edhe ish-punonjësi i paraburgimit në Durrës, Fatjon Baçi i cili dyshohet se i ka dhënë mjetin celular kryebashkiakut Erion Veliaj, në kundërshtim me ligjin. Këtij të pandehuri iu caktua kryesisht avokatja Pranvera Doçi për shkak të mungesës së mbrojtësit të tij.
Ndërkohë, prokurori Dado sqaroi se gjykata nuk kishte hyrë ende në fazën e shqyrtimit të kërkesave për gjykim të shkurtuar, duke kërkuar që fillimisht të trajtohen kërkesat paraprake.
Refuzimi i Erion Veliaj për t’u paraqitur në gjykatën penale, paralelisht me pjesëmarrjen e tij në gjykatën administrative, ka ngritur pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë e tij ndaj procesit gjyqësor dhe raportin me drejtësinë.
Ndërsa në GJKKO ai vijon të mungojë duke u justifikuar me mosnjohjen e akteve, në gjykatën administrative ai është paraqitur personalisht për të ndjekur një çështje të iniciuar prej tij.
Në Gjykatën Administrative nisi sot shqyrtimin e kërkesën së bërë nga Veliaj për shpalljen të pavlefshëm të emërimit prokuror të Olsi Dados.
Sipas kryebashkiakut, Dado nuk ka përmbushur kriteret ligjore në momentin e emërimit si prokuror, duke vënë kështu në diskutim legjitimitetin e ndjekjes penale që po zhvillohet ndaj tij.
Për këtë arsye, Veliaj ka zgjedhur të jetë aktiv në këtë proces administrativ, ku synon të godasë bazën ligjore të akuzës.
Mungesa në gjykatën penale dhe prania në atë administrative, shihet nga juristët si një strategji e qartë procedurale.
Nga njëra anë shtyrje dhe zvarritje e procesit penal, dhe nga ana tjetër përpjekje për të delegjitimuar prokurorin që e ndjek çështjen. Në këtë mënyrë, beteja ligjore e Veliajt nuk po zhvillohet vetëm në një front, por në dy procese paralele që ndikojnë drejtpërdrejt njëri-tjetrin.
SPAK ka ngritur katër akuza të rënda ndaj kryebashkiakut, si korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, fshehje pasurie dhe futje të sendeve të paligjshme në burg.
Sipas hetimeve, Veliaj dhe bashkëshortja e tij janë përfshirë në një mekanizëm të komplikuar, ku fonde publike nga Bashkia e Tiranës janë alokuar në mënyrë të dyshuar drejt bizneseve dhe organizatave që kanë lidhje me familjen e tyre, prej të cilave dyshohet se familja Veliaj-Xoxa ka përfituar mbi 1.1 milionë euro.
Prokuroria thotë se Veliaj, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë, ka nënshkruar aktet që shpërndanin fondet publike, të cilat përfundonin më pas tek OJF të lidhura me Ajola Xoxën, shoqëri tregtare dhe individë të afërt me çiftin. Përveç shumave në para, dy të pandehurit kanë përfituar edhe pasuri të paluajtshme me vlerë të konsiderueshme.
Nga qelia e burgut, Erion Veliaj ka mohuar kategorikisht akuzat, duke i cilësuar ato si një komplot politik të orkestruar nga kundërshtarët e tij.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.
























