Shqipëria rrit sigurinë pas paralajmërimeve për kërcënime nga Irani

Pas tensioneve SHBA–Iran dhe paralajmërimit të Ambasadës amerikane, autoritetet shqiptare konfirmojnë rritjen e masave të sigurisë dhe monitorim të vazhdueshëm të situatës në të gjithë vendin.

432
Forcat RENEA
Credits: Policia e Shtetit - Forcat RENEA

Shqipëria është vendosur në gatishmëri të lartë pas përshkallëzimit të tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, si dhe pas paralajmërimeve të fundit për rreziqe të mundshme të sigurisë në rajon.

Më 17 mars 2026, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 79 vota pro një projekt-rezolutë që shpall Iranin si “shtet financues të terrorizmit”. Vendimi u mbështet vetëm nga mazhoranca, pasi opozita nuk mori pjesë në seancë. Rezoluta dënon gjithashtu sulmet kibernetike të dyshuara nga Teherani ndaj institucioneve shqiptare, përfshirë një incident të fundit që goditi serverët dhe faqen zyrtare të Kuvendit.

Situata u përshkallëzua më tej më 1 prill 2026, kur Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë publikoi një paralajmërim zyrtar për qytetarët amerikanë në Shqipëri. Në njoftim theksohet se grupe të lidhura me Teheranin mund të shënjestrojnë qytetarë amerikanë, subjekte të lidhura me SHBA-në, si dhe anëtarë të opozitës iraniane që ndodhen në Shqipëri.

Sipas ambasadës, objektiva të mundshëm mund të jenë hapësirat publike të frekuentuara gjerësisht, përfshirë zonat turistike, qendrat tregtare, hotelet, restorantet dhe klubet, duke kërkuar vigjilencë të shtuar dhe raportim të çdo aktiviteti të dyshimtë.

Pas këtij paralajmërimi, autoritetet shqiptare konfirmuan se vendi është në gatishmëri të lartë, me të gjitha institucionet e sigurisë në funksion të plotë dhe monitorim të vazhdueshëm të situatës.

Në një deklaratë zyrtare, Presidenti Bajram Begaj theksoi se është në kontakt të përditshëm me Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe po informohet në mënyrë të vazhdueshme mbi çdo kërcënim të mundshëm.

“Këshilli i Sigurisë Kombëtare vlerëson rreziqet dhe koordinon masat në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, në nivele jashtëzakonisht të larta,” u shpreh Presidenca, duke shtuar se Shqipëria shpreh solidaritet me aleatët strategjikë në përpjekjet për të luftuar çdo kërcënim terrorist dhe veprim destabilizues.

Ndërkohë, zhvillime të ngjashme janë raportuar edhe në rajon. Bullgaria ka konfirmuar se ka marrë një notë diplomatike nga Irani, ku paralajmërohet që aeroportet e saj të mos përdoren nga forcat amerikane për operacione ushtarake kundër Teheranit. Autoritetet në Sofje e kanë cilësuar mesazhin si një praktikë diplomatike në kohë krize, duke theksuar se vendi nuk është i përfshirë në aktivitet ushtarak.

Vjolanda Peca
+ posts

Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.