7 efektivë të Policisë së Shtetit janë pezulluar nga detyra, nën dyshimin se kanë dekonspiruar një operacion policor për goditjen e një rasti të rëndë të kultivimit të bimëve narkotike.
Operacioni ka zbuluar një “shtëpi bari” në një objekt në fshatin Kurtaj të Peqinit, i cili rezulton në pronësi të ish-drejtorit të Burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa.
Masa e pezullimit disiplinor është vendosur ndaj Komisar Altin Gusho, shef i Komisariatit të Policisë Peqin; Komisar Danjel Kacaniku, shef i Krimeve; Nënkomisar Sefer Dushku, specialist i policisë kriminale; Inspektor Muharrem Zylyfi, specialist i policimit në komunitet; Nënkomisar Bilbil Lita, ish-shef i Komisariatit të Peqinit, aktualisht shef i Komisariatit të Policisë Devoll; Komisar Denis Sinani, ish-shef i Krimeve në Peqin; si dhe Inspektor Arben Koseni, aktualisht në Njësinë e Pritjes dhe Sigurisë në Gjadër.
Gjithçka nisi më 19 mars, kur forcat e policisë, pas informacioneve që ngrinin dyshime për aktivitet kriminal, ndërmorën një operacion në zonë dhe zbuluan një ambient të përshtatur për kultivimin e kanabisit.
Brenda objektit u konstatuan rreth 4 mijë bimë kanabisi në faza të ndryshme zhvillimi, si dhe pajisje të shumta si llamba dhe sisteme ndriçimi, që tregonin funksionimin e një laboratori të mirëorganizuar.
Në vend ngjarje u gjetën shishe, bishta cigaresh dhe mjete me gjurmë ADN-je, por asnjë person nuk u kap në flagrancë në momentin e ndërhyrjes.
Arratisja e personave që merreshin me kujdesjen e “shtëpisë së barit”, së bashku me sasinë e madhe të kanabisit, ngritën dyshimet për dekonspiracionin e operacionit nga ana e 7 efektivëve.
Sipas hetimeve, dy magazinat ku u zhvillua kultivimi rezultojnë në pronësi të Bilal Hasës, i cili u shpall fillimisht në kërkim dhe më pas u vetëdorëzua në Policinë e Elbasanit, duke mohuar përfshirjen në aktivitetin e paligjshëm.
Qëndrimi i tij në komisariat zgjati vetëm 24 orë, pasi sipas hetimeve paraprake, nuk kishte dyshime se Hasa kishte lidhje me dy magazinat e kthyera në laborator droge.
Në pranga u vu vetëm Erion Dogovelli, punonjës i OSHEE-së, i akuzuar për “shpërdorim detyre”, ndërsa dy persona të tjerë, Ervis Maçi dhe dhe 34 vjecari Denis Elezi, në detyrë si përgjegjës OSHEE-je në zonën e Peqinit, janë shpallur në kërkim.
Ky nuk është rasti i parë i zbulimit të “shtëpive të barit” nga Policia e Shtetit, pasi operacione të ngjashme janë evidentuar edhe më herët në disa zona të vendit. Në veri të Shqipërisë, veçanërisht në Shkodër, janë zbuluar disa ambiente të përshtatura për kultivimin e kanabisit, ndërsa raste të tjera janë regjistruar edhe në Lezhë dhe zona përreth.
Drejtori i sapoemëruar i Policisë, Skënder Hitaj, gjatë mbledhjes në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, iu kërkoi drejtuesve masa për luftimin e kultivimit të kanabisit, megjithatë, rastet e shtuara të operacioneve antidrogë, ku rezulojnë të implikuar efektivë policie dhe punonjës së OSHEE-së, janë tregues të një sfide institucionale.
Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.
Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.

























