Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar 133 vite burg për 17 të pandehurit e akuzuar për kultivimin dhe përpunimin e rreth 1.8 tonëve kanabis sativa në fshatin Drenovicë të Beratit. Katër prej tyre, përfshirë dy gra, do të përfitojnë pezullim të dënimit me burg dhe do të vendosen në provë për tre vjet.
Operacioni i ndërmarrë më 10 nëntor 2022 çoi në kapjen e 870 kg kanabis, por hetimet e SPAK zbuluan një skemë të mirëorganizuar që kishte nisur që në korrik 2022 dhe prodhonte deri në 1.8 tonë drogë.
Organizimi, drejtimi dhe financimi i “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, “Kultivimit të bimëve narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, e kryer më shumë se një herë, bëhej nga të pandehurit Blerim Xheka e Sadetin Hasaj.
“Organizimi, drejtimi dhe financimi i prodhimit dhe shitjes së narkotikëve dhe kultivimi i bimëve narkotike kryhej nga dy të pandehurit kryesorë, ndërsa aktiviteti mbikqyrej nga një grup i strukturuar kriminal,” njoftoi SPAK, duke theksuar se disa të pandehur mbajnë edhe armë pa leje për mbrojtje të aktivitetit.
Sipas prokurorisë, Blerim Xheka e Sadetin Hasaj kishin marrë me qira sipërfaqe të kosniderushme tokash dhe banesash në fshatin Drenovicë të Beratit. Ata ia kishin dalë të ndërtonin serat e mbyllura me plastmasë, të cilat shërbenin jo vetëm për mbjelljen dhe rritjen e bimëve, por edhe si fjetore për punëtorët e rekrutuar nga qytete të tjera.
Pagesa e tyre ditore, transporti dhe akomodimi ishin pjesë e një organizimi të mirëfilltë për të mbajtur aktivitetin të fshehtë dhe të vazhdueshëm.
SPAK sqaron se dy të akuzuarat femra, Drita dhe Izmire Mema, koordinonin përkujdesjen ndaj bimëve, menaxhonin punëtorët dhe ndihmonin në mbarëvajtjen e aktivitetit. Ato merrnin pjesë aktivisht në prerjen, tharjen dhe pastrimin e kanabisit, duke u siguruar që çdo hap i kultivimit të shkonte sipas planit të grupit.
“Puna e tyre nuk ishte vetëm administrative, por përfshinte edhe organizimin e fuqisë punëtore, kujdesin për bimët, si dhe shpenzimet për medikamentet dhe pajisjet e nevojshme për kultivimin,” tha SPAK.
Hetimet zbuluan se aktiviteti kultivues funksiononte si një linjë prodhimi e ndarë në role.
Disa nga të pandehur mbikëqyrnin rritjen e bimëve dhe furnizimin me ujë e farëra, të tjerët merreshin me menaxhimin e punëtorëve dhe sigurimin e banesave dhe transportit, ndërsa gratë ishin “zemra operacionale” që mbanin serat në funksion dhe garantonin përfitimin maksimal nga prodhimi.
Të pandehurit akuzohen për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”, “Kultivim të bimëve narkotikëve”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtje e prodhim i armëve dhe municionit”.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.

























