Kushtetuesja “lë në fuqi” arrestin me burg për Evis Berberin

Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën për liri të ish-kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe nuk mori në analizë pretendimet për cënime të privatësisë dhe korrespondencës.

460
ish-drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi
Credits: Facebook - ish-drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi

Gjykata Kushtetuese vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberin.

Vendimi u mor të Enjten e 23 Marsit, ku në mënyrë unanime Gjykata vlerësoi se masa e sigurisë e caktuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korruspionit dhe Krimit të Organizuar kundrejt Berberit ishte e drejtë dhe në të nuk kishte shkelje.

Gjithashtu, Kushtetuesja nuk mori në analizë pretendimet e tij mbi mënyrën e marrjes së provave nga celulari, të cilat Berberi i konsideron të paligjshme dhe në shkelje të privatësisë.

Kryetarja e Gjykatës Fiona Papajorgji në një komunikim me mediat tha se trupa gjykuese shqyrtoi vetëm ankimin lidhur me vendimet për masat e sigurisë të dhëna nga GJKKO, Apeli dhe Gjykata e Lartë. Ndërsa argumentat e paraqitura nga avokati i Berberit gjatë seancës, lidhur me vlefshmërinë e provave të marra nga celulari i tij dhe cënimin e korrespondencës nuk u morën në shqyrtim.

Sipas kryetares së gjykatës, këto çështje nuk kanë qenë pjesë e vendimeve të ankimuara dhe, për rrjedhojë, nuk mund të shqyrtohen në këtë fazë. Gjykata sqaroi se pretendime të tilla duhet të trajtohen fillimisht në gjykatat e jurisidiksionit të zakonshëm dhe vetëm më pas mund të ngrihen në nivel kushtetues.

Ish-drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi ndodhet në paraburgim që prej 13 marsit 2024, pas hetimeve të nisura nga Prokuroria e Posaçme. Ndaj tij rëndojnë akuza për shkelje të barazisë në tendera, korrupsion pasiv, mashtrim me pasoja të rënda dhe falsifikim dokumentesh.

SPAK pretendon se ka indicie të arsyeshme që Evis Berberi ka kanalizuar 2.3 milionë euro në kompaninë “DAAM” sh.p.k, të cilën kontrollonte indirekt. Sipas Prokurorisë së Posaçme, tenderi për supervizimin e punimeve iu dha një bashkimi operatorësh ku përfshihej edhe kompania “Net Group”, e lidhur me Berberin. Sipas gjetjeve të Prokurorisë së Posaçme Berberi përfitonte para nga tenderat publikë përmes ndërmjetësve, duke favorizuar kompanitë e tij në gjashtë tendera, ndërsa një pjesë e përfitimeve dyshohet se ishte kamufluar përmes faturave fiktive dhe dokumenteve të manipuluara, dhe disa fonde janë përdorur për shpenzime personale.

Hetimet e SPAK tregojnë se përfitimet e dyshuara janë kamufluar përmes faturave fiktive dhe dokumenteve të manipuluara, ndërsa një pjesë e fondeve është përdorur për shpenzime personale. Ndër projektet më të mëdha të përfshira në hetim është ai i “kullave të karikimit për automjetet elektrike”, ku vlerat e deklaruara dyshohet se nuk përputheshin me përfitimet reale.

Gjatë kohës që Berberi drejtonte Autoritetin Rrugor Shqiptar, SPAK ushtroi kontroll në banesën e tij ku sekuestroi një sërë dokumentesh dhe aparatesh telefonike, ndër to edhe telefoni i bashkëshortes së tij Adela Ruko. Një muaj më vonë ai u arrestua.

Ishte ai aparat telefonik, që çoi prokurorinë në zbardhjen e një sërë komunikimesh të cilat u përdorurën si bazë për zgjeriminin e hetimeve në çështje të tjera, ku përmenden emra të zyrtarëve të lartë, mes tyre ish-zv/kryeministrja Belinda Balluku dhe kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci.

Xhesika Tollia
+ posts

Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.

Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.