Lirohet nga burgu biznesmeni i akuzuar për dosjen e ARRSH-së

Apeli revokon masën “arrest në burg” për bashkëpunëtorin e drejtësisë në një hetim për tendera, korrupsion dhe falsifikim dokumentesh, SPAK kishte kërkuar më herët dënim me shërbim prove.

346
Dosja e ARRSH-së
Credits: shteg.org - Dosja e ARRSH-së/Ilustrim

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka vendosur lirimin nga paraburgimi të biznesmenit Ervis Lami, i përfshirë në dosjen hetimore të ARRSH-së, ku ai akuzohet së bashku me ish-drejtorin Evis Berberi dhe rreth 20 persona të tjerë për shkelje të barazisë në tendera, korrupsion pasiv, mashtrim me pasoja të rënda dhe falsifikim dokumentesh.

Vendimi i Apelit erdhi pas ankimit të Lamit, i cili kërkonte zëvendësimin e masës “arrest në burg” me një masë më të butë sigurimi. Gjykata vendosi revokimin e masës së sigurisë dhe urdhëroi lirimin e menjëhershëm të tij, nëse nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër ligjor.

Lirimi i Lamit vjen pak ditë pasi Prokuroria e Posaçme (SPAK) kishte kërkuar dënimin e tij me 4 vite shërbim prove, pasi ai kishte marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.

Sipas dosjes së SPAK, Ervis Lami rezulton si pronar fiktiv i kompanisë “DAAM shpk”, pas së cilës dyshohet se qëndronte ish-drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi, i konsideruar si pronar faktik. 

Përmes kësaj kompanie, Berberi dyshohet se ka përfituar një numër të konsiderueshëm tenderash me vlera të mëdha gjatë kohës që mbante poste drejtuese në administratë.

SPAK pretendon se ka indicie të arsyeshme që Evis Berberi ka kanalizuar 2.3 milionë euro në kompaninë “DAAM” sh.p.k, të cilën kontrollonte indirekt. Sipas Prokurorisë së Posaçme, tenderi për supervizimin e punimeve iu dha një bashkimi operatorësh ku përfshihej edhe kompania “Net Group”, e lidhur me Berberin. Sipas gjetjeve të Prokurorisë së Posaçme Berberi përfitonte para nga tenderat publikë përmes ndërmjetësve, duke favorizuar kompanitë e tij në gjashtë tendera, ndërsa një pjesë e përfitimeve dyshohet se ishte kamufluar përmes faturave fiktive dhe dokumenteve të manipuluara, dhe disa fonde janë përdorur për shpenzime personale.

Hetimet e SPAK tregojnë se përfitimet e dyshuara janë kamufluar përmes faturave fiktive dhe dokumenteve të manipuluara, ndërsa një pjesë e fondeve është përdorur për shpenzime personale. Ndër projektet më të mëdha të përfshira në hetim është ai i “kullave të karikimit për automjetet elektrike”, ku vlerat e deklaruara dyshohet se nuk përputheshin me përfitimet reale.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.