Erion Isai, kryetar i Bashkisë Kolonjë, është mes një grupi të gjerë zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh të pandehur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen penale nr. 280/1 të vitit 2020 në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë.
Sipas SPAK-ut, Isai akuzohet për “shpërdorim detyre” në bashkëpunim dhe “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në kuadër të procedurave të prokurimit publik të zhvilluara nga Bashkia Kolonjë dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Në këtë çështje janë të pandehur gjithashtu ish-zyrtarë të Bashkisë Kolonjë dhe të Autoritetit Rrugor Shqiptar, përfshirë ish-zëvendëskryetaren e bashkisë, Eljona Mydini, ish-drejtorin e përgjithshëm të ARRSH-së, Ergys Verdho, si dhe disa drejtues e specialistë të këtij institucioni.
Hetimet e SPAK-ut lidhen me disa procedura prokurimi, mes tyre ndërtimi i rrugës Korçë–Ersekë, Loti 2 (pjesa e parë), si dhe kontrata të tjera për supervizim dhe mbikëqyrje punimesh.
Sipas dosjes hetimore, në procedurën e ndërtimit të rrugës Korçë–Ersekë është konstatuar se Bashkia Kolonjë nuk ka pasur dokumentacion projektues të përgatitur prej saj, ndonëse në komunikimet zyrtare është paraqitur e kundërta. Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se procesverbali i dorëzimit të projektit dyshohet të jetë i falsifikuar.
SPAK-u thekson se përcaktimi i fondit limit është kryer në shkelje të procedurave ligjore dhe mbi bazën e të dhënave të dorëzuara nga subjekte të interesuara, duke sjellë, sipas ekspertizës financiare, edhe fryrje të fondeve publike në vlerë mbi 590 milionë lekë, duke shkaktuar dëm ekonomik për shtetin.
Në një tjetër procedurë për supervizimin e punimeve të rrugës Korçë–Ersekë, anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave dyshohet se kanë favorizuar një kompani private, në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik.
Ndërkohë, për një procedurë tjetër të Bashkisë Kolonjë për mbikëqyrje punimesh në sektorin e ujësjellësit, hetimet pretendojnë se fondet dhe specifikimet teknike janë hartuar pa studim real tregu dhe në bashkëpunim me subjektin fitues të tenderit.
SPAK-u thekson se veprimet e të pandehurve janë kryer në kundërshtim me ligjin për prokurimin publik dhe rregulloret përkatëse, duke krijuar favore dhe privilegje të padrejta në procedurat e tenderimit publik.
Rruga Korçë–Ersekë pati shembje më 17 shkurt 2024, teksa punimet ishin ende në proces, në zonën e quajtur “Qafa e Qarrit – Mollas”. Punimet i kishte kryer kompania “A.N.K.”, ndërsa prokurues ishte Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH).
Avokati Esmerald Xhafa depozitoi kallëzim në SPAK ndaj ARRSH-së, Bashkisë Kolonjë dhe kompanive përgjegjëse, për “shpërdorim detyre”, “falsifikim dokumentesh” dhe “korrupsion”. Në kallëzim u paraqitën edhe pamje filmike që evidentonin cilësinë e dobët të punimeve dhe devijimet nga projekti origjinal.
Prokuroria e Posaçme ka marrë nën hetim një numër të lartë zyrtarësh të pushtetit lokal, ndaj të cilëve ka ngritur akuza për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Duke nisur nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, kryebashkiaku i Matit, Agron Malaj, ish-kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi, ish-kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu, dhe pasuesi i tij, Rakip Suli, ish-kryebashkiaku i Dibrës, Muharrem Rama, ish-kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi, ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, ish-kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, kryetari i Bashkisë Tropojë, Rexhë Byberi, si dhe nënkryetari Abedin Kerrnaja, gjenden në listën e zyrtarëve të pushtetit lokal që e kanë pasur të pashmangshme thirrjen nga prokurorët e posaçëm.
Gjithashtu, kryebashkiakja e Lushnjës, Eriselda Sefa, Armando Subashi i Fierit, kryebashkiakja e Roskovecit, Majlinda Bufi, dhe Leonard Hida i Libohovës kanë qëndruar për orë të tëra në ambientet e SPAK-ut.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.



























