Pas më shumë se shtatë muajsh nga shpallja zyrtare e të pandehurve nga SPAK për kryetarët e KESH dhe ARRSH, zyrtarët Erald Elezi dhe Gentian Gjyli janë liruar nga detyrat e tyre. Vendimet për ndryshime në udhëheqjen e këtyre institucioneve u morën këtë të mërkurë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës, nën drejtimin e Belinda Ballukut.
Ami Kozeli është shkarkuar nga pozicioni i zv/ministrit të Infrastrukturës dhe Energjitikës, që e mbante prej qershorit 2023, dhe është emëruar drejtues i Autoritetit Rrugor Shqiptar, duke zëvendësuar Gentian Gjylin. Ky i fundit prej 13 majit është nën hetim dhe vuan masën e arrestit në shtëpi për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera.
Kreu i KESH, Erald Elezi, është liruar nga detyra dhe vendi i tij i është besuar Viola Haxhiademit, e cila ka një karrierë disavjeçare në Ministrinë e Infrastrukturës. Haxhiademi ka shërbyer si drejtoreshë e Kabinetit të ministres Balluku për dy vjet dhe si Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë që nga viti 2019.
Të dy, Elezi dhe Gjyli, janë nën hetim në kuadër të “çështjes Balluku”, me dyshime për favorizim të subjekteve të caktuara në tendera. Vendimi për largimin e tyre erdhi pas konfirmimit të masës së arrestit në shtëpi nga Gjykata e Apelit, pesë ditë më parë.
Gjithashtu, Belinda Balluku ka shkarkuar zv/ministrin Besjan Kadiu, i cili do të marrë detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të MIE, duke zëvendësuar Viola Haxhiademin. Pavarësisht rokadës, Haxhiademi, Kozeli dhe Kadiu mbeten nën varësi të ministres Balluku, e cila vetë është nën hetim nga SPAK për tetë çështje të dyshuara për korrupsion.
Edhe në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) janë bërë ndryshime pas hetimeve të SPAK. Drejtoresha Mirlinda Karçanaj, e cila është nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, ka deleguar kompetencat tek Romina Kostani për drejtimin e përgjithshëm dhe tek Enis Ylli për çështjet e Sigurisë Kibernetike.
Qeveria nuk ka bërë asnjë deklaratë zyrtare për skandalin në AKSHI-t, megjithëse institucioni është nën varësi të Këshillit të Ministrave.
Drejtoresha Karçanaj, së bashku me zëvendësen e saj Hava Delibashi, dhe 5 zyrtarë të tjerë të këtij institucioni akuzohen që prej 16 Dhjetorit nga Spak për abuzime në tendera.
Mbi drejtoreshën dhe zëvendrejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë dhe Informacionit rëndojnë akuzat për “Shkelje të barazisë në tendera apo ankande publike” e kryer në bashkëpunim dhe “kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Ndërsa dy biznesmenët, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri janë në arrati.
Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.
Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.



























