Prokuroria dërgon në gjykatë rastin e ndërtimeve pa leje në Butrint

Pas përfundimit të hetimeve, Prokuroria e Sarandës ka dërguar për gjykim kryeinspektorin e IKMT-së, tre inspektorë dhe ndërtuesin, lidhur me ndërtimet në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar “Butrint”.

661
IKMT duke u prishur objekte të ndërtuara pa leje
Credits: Faqja zyrtare e IKMT - IKMT duke u prishur objekte të ndërtuara pa leje

Pas dy vitesh hetime, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka dërguar për gjykim pesë persona, përfshirë kryeinspektorin dhe tre inspektorë të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) Sarandë, si dhe ndërtuesin Resul Piro, për ndërtime të paligjshme në zonën e quajtur “Kanali i Vivarit” në Ksamil.

Nga hetimet rezultoi se ndërtimet janë realizuar në një zonë të mbrojtur, pjesë e Parkut Kombëtar “Butrint”, pa leje nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe pa kontratë me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit. Kanali i Vivarit ka statusin e Monumentit të Natyrës sipas Vendimit nr.303, datë 10.05.2019, të ndryshuar me VKM nr.187, datë 25.03.2021.

Përkundër këtij statusi të veçantë mbrojtjeje, hetimet kanë zbuluar se ndërtimi është kryer pa asnjë dokument ligjor.

“Nga hetimet mbi procedimin penal nr.416 të vitit 2023 rezultoi se në zonën e Ksamilit në vendin e quajtur “Kanali i Vivarit”, është ndërtuar në zonë të mbrojtur në një sipërfaqe të madhe pa leje ndërtimi nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit si dhe pa kontratë me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit.” – thuhet në njoftim për media.

Ndërkohë, Prokuroria ka konstatuar shkelje të rënda edhe nga ana e Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), Bashkia Sarandë.

Në njoftimin zyrtar thuhet se “nga ana e punonjësve të IVMT, Bashkia Sarandë, nuk është mbajtur procedura ligjore në lidhje me konstatimin e plotë të punimeve dhe marrjen e masës administrative ‘dënim me gjobë’”.

Personi që ka kryer ndërtimin pa leje është shtetasi Resul Piro, ndaj të cilit rëndojnë akuzat për “Ndërtim të paligjshëm”, “Pushtim të tokës”, “Shpërdorim të tokës” dhe “Dëmtim të habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”. Përgjegjësi penale është ngritur edhe ndaj personit juridik “Laguna Invest”.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka përfunduar hetimet dhe dërgon në gjyq pesë shtetas, midis të cilëve kryeinspektorin dhe inspektorë të IVMT-së”, thuhet më tej në njoftimin zyrtar, në kuadër të procedimit penal nr.416 të vitit 2023.

Për këto shkelje, Prokuroria ka dërguar për gjykim kryeinspektorin e IKMT-së, Artur Musa, si dhe inspektorët Vangjel Xhavara, Erton Zekaj dhe Besian Koçi, të cilët akuzohen për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Kodi Penal të Republikës së Shqipërisë të cilat i referohen ndërtimeve të paligjshme parashikojnë që ndërtimet pa leje dhe bashkëpunimi në ndërtim konsiderohen vepër penale dhe do të dënohen me burg nga 1-8 vjet. Në pika të veçanta ligji parashikon që nëse kjo vepër penale kryhet në tokën publike, shtetërore apo të tjetrit dënohet me burg nga 1-5 vite.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.