Dosjet e Mirlinda Karçanaj dhe Belinda Ballukut shoqëruar me përgjimet e Ergys Agasit dhe Ervis Berberit nuk besoj se lënë më shteg për asnjë person me sy në ballë e mend në kokë të dyshojë mbi faktin që Edi Rama është një Kryeministër i zhytur në llumin e korrupsionit.
Faktet janë të qarta
Mirlinda u ngrit nga pozitat e një punonjëseje të Bashkisë Tiranë, por me një lidhje të ngushtë me shefin e saj, në administratoren e mbi 500 milionë eurove të AKSHI-t në 6 vitet e fundit. Siç dosjet tregojnë, nga këto 500 milionë euro, vetëm Agasi me shoqërinë e tij ka përlarë (fitim të pastër) për më pak se dy vjet rreth 40 milionë euro.
Që Agasi të mos kishte pengesa, si mjete janë përdorur edhe policia e shtetit dhe struktura të krimit të organizuar, e ndërkohë Mirlinda është kapur me zë e figurë në zyrën e tij duke luajtur kungulleshkat me shifrat e tenderave të cilat dyfishoheshin nga 2 në 4 milionë euro sikur të ishin fara luledielli.
Një drejtues institucioni, të varur direkt nga Kryeministri, nuk ka nevojë për mbështetjen e lobimeve ekstrapolitike që të vazhdojë punën e saj, aq më tepër kur ka qenë pranë Edi Ramës si bashkëpunëtore shumë më gjatë se Agasi.
Në hierarkinë e pashkruar politike, Karçani qëndronte goxha më lart se Agasi e për rrjedhojë kurrsesi ajo nuk ka patur nevojë as ti shkonte në zyrë e as ti bindej. Arsyeja pse ajo merrte urdhëra prej tij është e thjeshtë. E ka udhëzuar Edi Rama.
SPAK tani e ka të thjeshtë punën. Duhet të ndjekë paranë dhe do të gjejë aty Edi Ramën. Sepse vetëm një arsye e bën këtë skemë racionale. Fakti që Rama e ka patur shumë më kollaj që milionat që i takojnë atij ti merrte nëpërmjet Agasit, i cili me siguri ka kryer transferta në llogari offshore apo portofole cryptovalutash e të cilat në një mënyrë apo tjetrën do të lidhen më Edi Ramën.
Njësoj është edhe situata me Belindën. Nëse ndjek me kujdes komunikimet e dala nga dosja e saj, pothuajse të gjitha shkeljet ligjore të faktuara janë porosi e Edi Ramës. Jepja tenderin e llogarasë turkut sepse është porosi e Kryeministrit, jepja Karlos supervizimin sepse ma la porosi kryeministri, jepja Gecit tenderi e rrugës sepse ka folur me Ramën etj.
Jam sërish i bindur se edhe në rastin e rrugëve, mjafton që SPAK të ndjekë paranë dhe do të dalë prapë në gjurmët e Edi Ramës.
Te jem i qartë, si Mirlinda dhe Belinda janë të dyja personazhe të korruptuara dhe ky shkrim nuk mundohet ti amnistojë, por unë besoj se fokusi i hetimit të SPAK dhe BKH duhet të jetë të koka e problemit. Sepse teksa Lindat e qeverisë mund të zëvendësohen, kapja e preshit në duart e KM do të ishte një fitore historike për institucionet e drejtësisë në Shqipëri, duke vendosur një standart të cilin KM e ardhshëm do të duhet ta respektonin për të mos patur fundin e Edi Ramës.
Vetëm në dy skandalet e mësipërme shifrat e grabitura kalojnë 100 milionë euro, nëse i shtojmë këtyre edhe skandalin e incineratorëve, sterilizimin, laboratorët etj shifrat shkojnë në mbi 500 milionë euro dhe me siguri kaq është vetëm maja e ajsbergut.
Shqipëria është një vend i pasur në burime natyrore, me një pozicion gjeografik perfekt mes fushave, detit e maleve e me një popullatë vitale dhe shumë punëtore. Nëse nuk do të vidhej, vendi do të shndërrohej në një mini-parajsë për 2 milionë e gjysëm banorët që jetojnë këtu por edhe do të ribëhej atraktiv për shqiptarët e diasporës.
Këtë mision nuk e realizon dot asnjë nga forcat politike aktuale në vend. Ca me dashje e ca pa dashje, të gjitha sot reflektojnë impotencën e tyre përballë pasurimit të tejskajshëm të zyrtarëve të PS duke mos ngjallur besim te qytetarët e duke mos krijuar dot momentum politik i cili të sjellë rotacion.
Misionin për të ndaluar vjedhjen e Shqipërisë mund ta realizojë vetëm SPAK dhe BKH, duke mos bërë kalkulime politike por duke vazhduar rrugën e hetimit dhe zbatimit të ligjit për këdo që faktohet se ka përdorur pushtetin për pasurim personal.
Arrestimi në detyrë i Kryeministrit më të pushtetshëm që ka patur vendi deri më sot, do të ishte ngjarja më historike e shënuar nga organet e drejtësisë jo në nivel kombëtar por edhe në atë ndërkombëtar.
Ngjarje e cila do të ngjiste Shqipërinë në majat e vendeve që po luftojnë korrupsionin dhe jam i bindur edhe në majat e vendeve që do të zhvillohen me shpejtësi marramendëse mbas kësaj ngjarjeje.
Besjan Pesha është një studiues i shkencave politike dhe njohës i mirë i politikës në rajonin e Ballkanit. Ai ka mbaruar Masterin për Shkenca Politike pranë Universitetit të Tiranës dhe ka një eksperiencë të gjatë si aktivist i shoqërisë civile, duke filluar me themelimin e Lëvizjes Mjaft e më pas me themelimin e Nismës Thurje.
Besjani gjithashtu ka një eksperiencë në politikën aktive si edhe në qeverisje ku ka shërbyer në disa pozicione të rëndësishme përgjatë viteve 2007-2013.
Së fundmi ai punon si konsulent politik në rajon dhe gjatë kohës së lirë kontribuon për shteg.org.


























