Mungesa e gjyqtarëve mbetet problemi më shqetësues i sistemit të drejtësisë në Shqipëri, duke rrezikuar seriozisht funksionimin normal të gjykatave dhe respektimin e afateve të arsyeshme të gjykimit.
Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht në sistem janë 307 gjyqtarë efektivë, ndërkohë që struktura organizative parashikon 417 vende, çka do të thotë se drejtësia funksionon me vetëm 73.6% të kapacitetit, ose 110 gjyqtarë më pak sesa nevoja minimale.
Shqetësimet janë ngritur nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i cili gjatë një konference për shtyp, evidentoi si shqetësim kryesor mungesën e burimeve njerëzore në sistemin e drejtësisë, një realitet që sipas tij “nuk mund të quhet normalitet institucional”.
Mbi 14 mijë dosje presin shqyrtimin në Gjykatën e Lartë, ndërsa institucioni vazhdon të shqyrtojë çështje civile të depozituara 9 vjet më parë.
Kryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi deklaron se vakancat në Gjykatat e Apelit dhe reduktimi i pranimeve të magjistratëve të rinj po krijojnë vështirësi në përballimin e volumit të çështjeve dhe në funksionimin e sistemit gjyqësor.
“Mungesa e gjyqtarëve është problemi themelor i sistemit të drejtësisë,” u shpreh Kryetari i Gjykatës së Lartë, duke theksuar se kjo situatë nuk përbën më një vështirësi të përkohshme, por një krizë strukturore me pasoja afatgjata.
Situata bëhet edhe më alarmante në dritën e parashikimeve për vitet në vijim. Deri në vitin 2028, nga Shkolla e Magjistraturës pritet të diplomohen jo më shumë se 67 gjyqtarë të rinj, një shifër që nuk mbulon as largimet natyrore nga sistemi.
Sipas standardeve të Komisionit Europian për Efiçencën e Drejtësisë (CEPEJ), Shqipërisë do t’i nevojiteshin rreth 587 gjyqtarë, çka nxjerr në pah një hendek të thellë mes nevojave reale dhe kapaciteteve aktuale.
“Ky realitet dëshmon mungesë vizioni strategjik për hyrjet e reja në sistem. Sot është domosdoshmëri të merren masa konkrete për korrigjimin e menjëhershëm të kuotave të pranimit në Shkollën e Magjistraturës,” theksoi ai.
Hallka më kritike e sistemit mbeten gjykatat e apelit, të cilat aktualisht funksionojnë me vetëm 55.9% të trupës gjyqësore të parashikuar, duke rrezikuar aftësinë e tyre për të përballuar volumin e çështjeve dhe për të garantuar drejtësi në kohë.
Në këtë kontekst presioni, Gjykata e Lartë ka arritur të ulë backlogun me 61%, duke dhënë 6.876 vendime vetëm gjatë vitit 2025, një performancë që sipas drejtuesit të institucionit nuk përfaqëson normalitet, por sakrificë ekstreme profesionale.
“Këto shifra nuk janë normalitet gjyqësor; janë stërmundim profesional dhe dëshmi se sistemi po mbahet në këmbë nga përpjekja individuale, jo nga kapacitete reale,” u deklaroi kryetari i Gjykatës së Lartë.
Sadushi u shpreh kritik ndaj mënyrës së zbatimit të reformës, duke theksuar mungesën e një vizioni të qartë institucional.
Sadushi e cilësoi të papranueshme reduktimin e pranimeve të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në kushtet e vakancave të thella në sistem.
“Çështja më e rëndësishme e reformës është të mundësohet gjykimi në afate të arsyeshme. Nëse këto probleme do të ishin adresuar nga ekzekutivi dhe legjislativi, në veçanti nga ekzekutivi, nuk do të kishim sot këto problematika,” deklaroi Sadushi, duke përmendur edhe kushtet e amortizuara të godinave dhe çështjet e sigurisë në gjykata.
Duke iu referuar punës së Gjykatës së Lartë, Sadushi bëri të ditur se stoku i çështjeve është ulur me 61%, një rezultat i arritur pavarësisht presionit të vazhdueshëm strukturor. Megjithatë, ai theksoi se mbetet problem serioz cilësia e dobët e rekurseve, duke vënë në dukje se në çështjet administrative rekordin e palëve humbëse e mbajnë organet publike.
Në përfundim, Kryetari i Gjykatës së Lartë paralajmëroi se pa investim serioz në burimet njerëzore dhe pa politika afatmesme për drejtësinë, sistemi nuk mund të jetë i qëndrueshëm.
“Një sistem nuk mund të mbështetet pafundësisht te sakrifica individuale. Pa njerëz, nuk ka drejtësi që reziston,” përfundoi ai, duke theksuar se qytetari kërkon drejtësi cilësore dhe në kohë, jo justifikime institucionale.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.






















