Hetimi për parqet fotovoltaike çon në akuzë ish-kryebashkiakun e Divjakës

Prokuroria e Posaçme akuzon katër ish-zyrtarë për shpërdorim detyre, duke pretenduar se kanë lejuar ndërtimin e impianteve diellore mbi toka të regjistruara si bujqësore.

26
Parqet fotovolkaike
Credits: shteg.org - Parqet fotovolkaike

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka marrë të pandehur ish-kryetarin socialist të Bashkisë Divjakë, Fredi Kokoneshi, dhe tre ish-zyrtarë të tjerë, nën dyshimin se kanë lejuar dhënien me qira të tokave bujqësore për ndërtimin e impianteve fotovoltaike, në kundërshtim me statusin e tyre ligjor.

Përveç Kokoneshit, SPAK ka marrë të pandehur edhe Dorjan Spahon, Andi Bullarin dhe Ledio Xharon, të katërt të akuzuar për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.

Sipas hetimeve, zyrtarët e Bashkisë Divjakë kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë procedurës së dhënies me qira të rreth 67 hektarëve tokë për ndërtimin e impianteve diellore, me afat shfrytëzimi 10-vjeçar, ndërkohë që sipërfaqet rezultonin të regjistruara në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës si tokë bujqësore.

Procedimi penal u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Lushnjës, përpara se dosja t’i kalonte SPAK-ut, për shkak të kompetencës së tij për hetimin e zyrtarëve të lartë.

Çështja vjen në një kohë kur zhvillimi i parqeve fotovoltaike është kthyer në një nga sektorët me rritjen më të shpejtë në Shqipëri, ndërsa qeveria synon të zgjerojë prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme dhe të ulë varësinë nga hidrocentralet. Ligji për energjinë e rinovueshme dhe ndryshimet e fundit në legjislacion kanë krijuar bazën për zhvillimin e projekteve të reja fotovoltaike dhe agrifotovoltaike.

Në vitin 2024, qeveria miratoi një vendim që lejon zhvillimin e aktiviteteve agrifotovoltaike dhe eolike në toka bujqësore, sipas kritereve të përcaktuara, duke synuar që prodhimi i energjisë të kombinohet me aktivitetin bujqësor dhe jo ta zëvendësojë atë. Vendimi përcakton kushtet e përdorimit të tokës, monitorimin dhe masat në rast shkeljesh.

Megjithatë, zgjerimi i sektorit ka nxitur debate mes ekspertëve të mjedisit dhe komuniteteve lokale për përdorimin e tokave bujqësore dhe kullotave. Organizatat mjedisore kanë ngritur shqetësime se një pjesë e projekteve janë përqendruar pranë zonave të mbrojtura ose mbi sipërfaqe me potencial bujqësor, ndërsa, në disa raste, banorët kanë kundërshtuar procedurat e dhënies së tokës me qira dhe mungesën e konsultimeve publike.

Sipas të dhënave të sektorit, Shqipëria ka licencuar dhjetëra parqe fotovoltaike gjatë viteve të fundit, me një kapacitet që i afrohet një të tretës së kapacitetit të instaluar të prodhimit të energjisë në vend, ndërsa shumica e projekteve janë përqendruar në qarkun e Fierit.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.