Nga kartelët e Amerikës Latine tek kullat dhe investimet në Shqipëri

Hetimet e SPAK-ut mbi trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe skemën e dyshuar të pastrimit të parave përmes kompanive të ndërtimit dhe investimeve në Shqipëri çuan në sekuestrimin e qindra pasurive të paluajtshme, llogarive bankare dhe aseteve me vlerë rreth 150 milionë euro.

32
Hetimet e Prokurorisë/Ilustrim
Credits: shteg.org - Hetimet e Prokurorisë/Ilustrim

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka finalizuar një nga hetimet më të gjera të viteve të fundit, duke goditur një grup të strukturuar kriminal të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Sipas dosjes hetimore, grupi dyshohet se ka trafikuar të paktën 50 tonë kokainë gjatë viteve 2019–2021, duke operuar në disa kontinente dhe duke përdorur rrjete logjistike ndërkombëtare.

Hetimi është zhvilluar në bashkëpunim me Europol-in, Eurojust-in dhe autoritetet e Amerikës Latine, ndërsa janë lëshuar masa sigurie për një numër personash dhe është ekzekutuar një operacion i gjerë kontrollesh dhe sekuestrimesh. Në total, janë vendosur nën sekuestro rreth 491 pasuri, përfshirë kompani, prona dhe llogari bankare, me një vlerë të përllogaritur prej rreth 150 milionë eurosh.

Sipas dosjes hetimore, grupi ka operuar në një bosht të zgjeruar ndërkombëtar që përfshin Ekuadorin, Kolumbinë, Brazilin, Belgjikën dhe Holandën, duke përdorur rrugë detare komerciale dhe kontejnerë të ngarkesave legjitime si mbulesë për transportin e drogës drejt Europës.

Në njoftimin e prokurorisë theksohet se grupi funksiononte si një strukturë e organizuar me role të ndara për logjistikën, financat dhe shpërndarjen, ndërsa fitimet, sipas hetuesve, ktheheshin në Shqipëri përmes rrjeteve të cash-it dhe investoheshin në ekonominë formale.

Një pjesë kyçe e dosjes lidhet me përdorimin e platformave të enkriptuara të komunikimit, si SkyECC, e cila u zbërthye nga autoritetet europiane në vitin 2021 dhe u shpërnda më pas te agjencitë hetimore ndërkombëtare.

Shitësit me shumicë

Dritan Gjika në një restorant me Julio Cesar, Jonathan Masimiliano
Credits: OCCRP – Dritan Gjika në një restorant me Julio Cesar, Jonathan Masimiliano

Sipas Prokurorisë së Posaçme, rrjeti kriminal ka funksionuar përmes një zinxhiri të qartë ndërkombëtar, ku kokaina nisej nga Amerika Latine dhe transportohej drejt Europës nëpërmjet kontejnerëve detarë të kamufluar me mallra tregtare.

“Grupi ka operuar në Amerikën Latine, Brazil, Belgjikë dhe Holandë, duke trafikuar sasi të mëdha lëndësh narkotike drejt Europës”, thuhet në njoftimin për shtyp, sipas të cilit janë dokumentuar pesë episode të trafikimit të lëndës narkotike.

Më 11 maj 2020, në portin e Antverpit, në Belgjikë, autoritetet sekuestruan 700 kilogramë kokainë të fshehura në një kontejner me pjesë këmbimi makinash. Pak javë më vonë, më 6 qershor 2020, në Guayaquil të Ekuadorit u ndalua një ngarkesë prej 2,010 kilogramësh kokainë, me destinacion përfundimtar Holandën.

Në gusht 2020, në Roterdam u sekuestrua një tjetër ngarkesë prej 1,100 kilogramësh, ndërsa në dhjetor të po atij viti u godit një nga rastet më të mëdha të dokumentuara: 4.1 tonë kokainë në një ngarkesë të vetme detare. Hetimet e mbyllën ciklin me një tjetër rast në shkurt 2021, kur në Kolumbi u ndalua një dërgesë prej 1,050 kilogramësh me destinacion Francën.

“Janë provuar disa episode të trafikimit të lëndëve narkotike, por hetimet tregojnë për sasi shumë më të mëdha të trafikuara gjatë periudhës hetimore”, sqaron prokuroria.

Dosja e SPAK-ut përshkruan një organizatë të strukturuar kriminale që operonte në disa nivele: drejtim, logjistikë ndërkombëtare, transport narkotikësh, menaxhim financiar dhe investim të fitimeve në ekonomi.

Në krye të strukturës, sipas materialeve hetimore, por edhe shkrimeve të publikuara më herët nga “shteg.org”, qëndron figura e Dritan Gjikës, një shtetas shqiptar që prej vitesh kishte krijuar bazën e aktivitetit të tij në Ekuador.

Komunikimet e dekriptuara nga platforma SkyECC e paraqesin Gjikën si një person të përfshirë drejtpërdrejt në vendimmarrje. Ai shfaqet duke negociuar çmimet e kokainës, duke diskutuar kontrata furnizimi me laboratorë në Kolumbi, duke koordinuar dërgesat drejt Europës dhe duke mbikëqyrur mbledhjen e fitimeve. Në shumë prej bisedave, ai paraqitet si figura tek e cila raportojnë bashkëpunëtorët dhe që merr vendimet për operacionet logjistike.

Sipas autoriteteve ekuadoriane, organizata kishte një strukturë piramidale, ku pas Gjikës vinte një nivel drejtues i përbërë nga bashkëpunëtorë ndërkombëtarë që koordinonin transportin, kontaktet me furnitorët dhe hyrjen e ngarkesave në portet europiane.

Një burrë kolumbian duke përpunuar kokainën
Credits: CEGALERBA-SZWEMBERG/Hemis.fr/hemis.fr/Hemis via AFP – Një burrë kolumbian duke përpunuar kokainën

Në Shqipëri, hetimi i SPAK-ut fokusohet kryesisht te personat që dyshohet se kanë luajtur rol në menaxhimin e investimeve dhe në qarkullimin e fondeve që burojnë nga aktiviteti kriminal.

Isa Aliu përmendet nga SPAK-u si personi i lidhur me shoqërinë “Aliu Road House”, e cila zë një vend qendror në skemën e dyshuar të investimeve. Ai dyshohet se ka pasur rol në krijimin dhe zgjerimin e aktiviteteve ekonomike që më pas janë përdorur për investime në sektorin e ndërtimit dhe zhvillimit imobiliar.

Emra të tjerë, si Nikoll dhe Sokol Bibaj, shfaqen mes personave për të cilët është kërkuar masa “arrest në burg” për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, trafik ndërkombëtar narkotikësh dhe pastrim parash.

Të njëjtën situatë paraqesin edhe emrat e Florjan Musajt, Armando Pacanit, Denis Matoshit, Naldi Yzeirajt, Oklid Aliut dhe Shpëtim Aliut, të cilët SPAK-u i konsideron pjesë të strukturës kriminale, por pa publikuar në këtë fazë të hetimit rolet operative të secilit.

Një pjesë tjetër e dosjes lidhet me figura të njohura në sektorin e ndërtimit dhe zhvillimit të pasurive të paluajtshme.

Mes tyre përmendet Ardi Kollçaku, i lidhur me aktivitetin e zhvillimit imobiliar dhe me kompaninë Anchor Invest. Sipas hetuesve, ai dyshohet për përfshirje në skemën e pastrimit të parave përmes investimeve në sektorin e ndërtimit.

Po ashtu, në dosje përmendet Kujtim Shtufi, i njohur në sektorin e prodhimit të hekurbetonit. SPAK-u po verifikon rolin e tij të dyshuar në qarkullimin e fondeve dhe në marrëdhëniet ekonomike me subjektet nën hetim.

Një tjetër emër i përfshirë në hetim është Redi Peza, i identifikuar në materialet hetimore si person i lidhur me projektin Porto Lalzi dhe me shoqërinë “Sviluppo Mare”. Hetuesit po analizojnë marrëdhëniet financiare dhe investimet e lidhura me këto projekte.

“Fantazma” Matoshi

Denis Matoshi
Credits: hashtag.al – Denis Matoshi

Një tjetër emër i përfshirë në hetimet e Prokurorisë së Posaçme është Denis Matoshi, i njohur edhe si Eldi Dizdari.

Më herët, një investigim i shteg.org zbuloi se ai, që në fillim të vitit 2019, kishte derdhur miliona euro në pasuri të paluajtshme në Dubai. Kur ishte në kërkim nga Prokuroria e Firences, ai bleu, për rreth tre milionë euro, një vilë prej afro 950 metrash katrorë, ende në ndërtim, në komunitetin ekskluziv MBR City, një qytet brenda qytetit, i konceptuar nga emri Mohammed Al Maktoum.

Vetëm dy javë pasi e përfitoi, Matoshi e rishiti, nuk dihet se kujt, vilën me një milion euro më shumë. Pas lirimit nga burgu, mes viteve 2022 dhe 2023, ai shiti edhe tre prona të tjera në ishullin artificial Bluewaters dhe dha me qira dy apartamente luksoze për më shumë se 10 mijë euro në muaj.

Në Itali, hetimet e para ndaj Matoshit datojnë që nga viti 2015. Në të njëjtën periudhë datojnë edhe hetimet e Prokurorisë së Firences, të cilat do të çonin në arrestimin e tij në Dubai. Në vitin 2016, një i dërguar i “Kompanisë Bello”, një grup ndërkombëtar trafikantësh shqiptarë i drejtuar nga Dritan Rexhepi, i kishte kërkuar atij të përfshihej në biznes. Negociatat, pas një “përplasjeje të gjatë” në distancë mes dy bosëve, përfunduan me investimin e përbashkët në një dërgesë prej 600 kilogramësh kokainë që nisej nga porti i Guayaquilit, në Ekuador.

Matoshi do të garantonte që kontejnerët me kokainë, që mbërrinin në portet belge ose holandeze, nuk do t’i nënshtroheshin kontrolleve.

“Ishte ëndrra ime të bëja një marrëveshje të tillë”, komentonte i dërguari i shefit të tij, Rexhepi.

Pas përfundimit të negociatës, Matoshi ishte bërë, sipas hetuesve, “një lloj fantazme”.

Në vijim të të njëjtave hetime ndërkombëtare, që përfshijnë rrjete trafiku nga Amerika e Jugut drejt Evropës dhe më tej në qendra financiare si Dubai, dosjet hetimore përmendin edhe rastin e Armando Pacanit, 39 vjeç, me origjinë shqiptare.

Sipas materialeve hetimore, Pacani dyshohet si një nga blerësit kryesorë të kokainës në një rrjet të gjerë kriminal që shtrihej nga Brazili deri në Evropë dhe që u godit nga autoritetet në mars të këtij viti. Hetimet për të nisën pas një sekuestrimi të madh droge në Hamburg të Gjermanisë, ku u zbuluan 316 kilogramë kokainë të fshehur në thasë me ekstrakte tanine, ndërsa provat treguan se sasia totale e trafikuar mund të ketë kaluar 1.5 ton.

Ngjarjet çuan në nisjen e një hetimi nga Policia Federale, e cila filloi të verifikojë kompanitë dhe individët e përfshirë, duke zbuluar një organizatë kriminale të strukturuar në nivele të ndryshme funksionale dhe hierarkike, e dedikuar për furnizimin dhe dërgimin e ngarkesave të mëdha të kokainës drejt Evropës përmes porteve në jug të Brazilit, veçanërisht përmes qytetit Rio Grande.

Droga lidhej, që nga furnizimi i saj nga Paraguai, prej nga Rodrigo Paredes Alvarenga siguronte ngarkesat që dërgoheshin në portet braziliane për transport drejt Evropës, ku shtetasi shqiptar Armando Pacani identifikohej si një nga blerësit e lëndës narkotike.

Rrjeti i investimeve të parave të drogës

Investimet nga trafiku i drogës/Ilustrim
Credits: shteg.org – Investimet nga trafiku i drogës/Ilustrim

Në dosjen e SPAK-ut, trafiku i kokainës dhe ndërtimi nuk shfaqen si dy histori të ndara. Përkundrazi, hetuesit besojnë se ato ishin pjesë e të njëjtit mekanizëm ekonomik. Në njërën anë qëndronte rrjeti që transportonte kokainë nga Amerika Latine drejt Europës. Në anën tjetër, një rrjet kompanish ndërtimi, investimi dhe zhvillimi turistik që, sipas prokurorisë, do të shërbente për të transformuar fitimet kriminale në pasuri të ligjshme.

Kur një ngarkesë kokaine arrinte në portet e Roterdamit, Antwerpit apo Algecirasit dhe shpërndahej në tregun europian, ajo gjeneronte fitime të jashtëzakonshme. Në komunikimet e SkyECC të zbardhura nga autoritetet, anëtarët e dyshuar të grupit flasin për miliona euro që duhej të mblidheshin në qytete të ndryshme të Europës dhe Amerikës Latine. Në disa raste diskutohen pagesa që llogariteshin në qindra mijëra euro për një operacion të vetëm.

Por paratë paraqisnin një problem po aq të madh sa edhe vetë droga. Ndryshe nga kokaina, ato nuk mund të transportoheshin hapur përmes bankave. Çdo transfertë e madhe do të tërhiqte vëmendjen e autoriteteve financiare. Kështu, sipas SPAK-ut, organizata përdorte rrugë alternative.

Një pjesë e fitimeve lëvizte përmes rrjeteve informale të transferimit të parave.

Në bisedat e dekriptuara shfaqen vazhdimisht referenca për “tokena”, kode numerike që shërbenin si çelësa për të marrë para në pika të ndryshme të botës. Një shumë mund të dorëzohej në Madrid, ndërsa ekuivalenti i saj të tërhiqej në Cali, Guayaquil apo në një qytet tjetër, pa kaluar kurrë përmes sistemit bankar.

Sipas hetuesve, në këtë mënyrë kapitali fillonte udhëtimin e tij drejt Shqipërisë.

Kur mbërrinte këtu, paratë nuk investoheshin menjëherë në resorte luksoze apo hotele me pesë yje. Dosja sugjeron se procesi ishte më i kujdesshëm. Fillimisht fondet futeshin në kompani ekzistuese ose në shoqëri të krijuara rishtazi. Në dokumente, këto para paraqiteshin si kapital biznesi, hua apo investime private.

SPAK pretendon se disa prej kompanive të përfshira në hetim filluan aktivitetin në sektorin e ndërtimit pikërisht pas periudhës kur dyshohet se kishin marrë injeksione të konsiderueshme parash cash.

“Të ardhurat e përfituara nga trafiku i lëndëve narkotike janë investuar në pasuri të paluajtshme dhe shoqëri tregtare, me qëllim integrimin e tyre në ekonominë formale”, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.

Pjesë e kësaj skeme dyshohet se janë disa kompani ndërtimi dhe investimi, përfshirë Aliu Road House sh.p.k., Seaview Development sh.p.k., A.R.H Security sh.p.k. dhe Altea Invest sh.p.k.

Aliu Road House konsiderohet nga SPAK-u si një nga nyjet kryesore të skemës së dyshuar të investimeve. Sipas dosjes, ajo lidhet me interesat ekonomike të Isa Aliut, një nga personat ndaj të cilëve është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”.

Në dokumentet hetimore thuhet se pas injektimit të shumave të konsiderueshme cash gjatë vitit 2021, kompania filloi të shfaqej fillimisht si nënkontraktore në projekte ndërtimi banesash.

Kjo strategji synonte të krijonte një histori ekonomike të besueshme përpara zgjerimit në projekte më të mëdha zhvillimi.

Kompania shfaqet në marrëveshje të lidhura me projektin turistik dhe rezidencial Porto Lalzi/Lalzi Marina Seaside në Hamallaj të Durrësit, si dhe në investime të tjera në sektorin e turizmit dhe hotelerisë.

SPAK argumenton se përmes këtyre investimeve është krijuar një “histori ekonomike artificiale”, ku paratë e drogës janë transformuar në asete të ligjshme.

Në fillim ato shfaqeshin si nënkontraktore ose si operatorë me aktivitet modest. Ishte një mënyrë për të mos tërhequr vëmendje dhe për të ndërtuar gradualisht një histori ekonomike që dukej e besueshme.

“Janë përdorur mekanizma të blerjes fiktive të aksioneve dhe huave ndërkompaniale për të humbur gjurmën e origjinës së fondeve”, sqaron prokuroria.

Paratë kalonin nga një kompani te tjetra. Një subjekt jepte hua, një tjetër merrte kredi. Kuota kompanish shiteshin dhe bliheshin me çmime që, sipas hetuesve, në disa raste ishin shumë më të ulëta se vlera reale e tyre. Kapitali qarkullonte nëpër kontrata, marrëveshje bashkëpunimi dhe transaksione të shumta që krijonin përshtypjen e aktivitetit normal tregtar.

Pikërisht në këtë pikë, sipas SPAK-ut, fondet hynin në fazën e fundit të transformimit.

Ato shfaqeshin në projekte ndërtimi, komplekse rezidenciale, vila, hotele dhe resorte turistike. Në vend të një valixheje me para cash, kapitali tashmë kishte marrë formën e një apartamenti, të një njësie tregtare, të një vile në bregdet apo të një hoteli në ndërtim.

Në dokumentet e sekuestrimit përmenden qindra prona të shpërndara në Tiranë, Durrës, Hamallaj, Dhërmi, Jalë, Himarë dhe zona të tjera turistike.

Midis tyre ndodhen apartamente dhe vila në Porto Lalzi, projekte hotelerie në jug të vendit, rezidenca luksoze në Tiranë dhe komplekse të tëra zhvillimi.

Green Invest përmendet në listën e subjekteve mbi të cilat është vendosur sekuestro preventive. Sipas hetuesve, kompania është pjesë e rrjetit të subjekteve tregtare që dyshohet se kanë shërbyer për transferimin dhe investimin e fondeve në sektorin e pasurive të paluajtshme.

Dokumentet publike nuk japin një rol aq të detajuar sa për Aliu Road House, por SPAK-u e konsideron pjesë të strukturës së përgjithshme të aseteve të sekuestruara. Një tjetër kompani e përfshirë në hetime është edhe Seaview Development, e cila lidhet me investime në zonat bregdetare dhe zhvillime turistike.

Në dosjen e SPAK-ut përmenden të drejta reale mbi prona dhe projekte që lidhen me këtë subjekt, përfshirë marrëveshje zhvillimi në sektorin e hotelerisë luksoze në bregdetin e jugut.

Një pjesë e pasurive të sekuestruara lidhen me projektin për ndërtimin e hotelit me pesë yje “Zig-Zag” në Jalë, ku Seaview Development përmendet në dokumentacionin që po verifikohet nga hetuesit.

Objekti ishte planifikuar si hotel me 5 yje me mbi 200 dhoma, si një kompleks turistik në Jalë, Himarë.

Një tjetër kompani që hetuesit po verifikojnë për burimin e të ardhurave është Altea Construction sh.p.k., e cila shfaqet në disa nga projektet më të rëndësishme të identifikuara në dosjen e pasurive.

Sipas SPAK-ut, kompania lidhet me projektin rezidencial “Astoria Residence” në zonën e Mjull-Bathores në Tiranë, si dhe me zhvillime të tjera rezidenciale dhe turistike në kryeqytet dhe bregdet.

Hetuesit po verifikojnë nëse fondet e përdorura në këto investime kanë ardhur nga burime të ligjshme apo përbëjnë produkte të aktivitetit kriminal.

SPAK dyshon se një tjetër skemë e përdorur për fshehjen e burimit të të ardhurave është blerja e aksioneve apo kuotave të kompanive me vlera shumë më të ulëta se vlera reale e tyre.

Në këtë mënyrë sigurohej kontrolli i subjekteve që zotëronin prona apo leje ndërtimi pa shpenzime të mëdha të deklaruara.

Paratë kalonin nga një kompani te tjetra përmes kontratave, huave apo marrëveshjeve të ndryshme.

Pas disa transaksionesh bëhej gjithnjë e më e vështirë të identifikohej origjina e tyre.

Në gjuhën e ekspertëve financiarë kjo quhet “layering” – krijimi i shtresave të shumta të transaksioneve për të humbur gjurmën e burimit fillestar.

Në hetim janë përfshirë gjithashtu “Altea Construction”, “Altea Invest” dhe “F&XH Invest”, kompani të angazhuara në zhvillimin e komplekseve rezidenciale, vilave luksoze dhe strukturave hoteliere, si dhe shoqëria “Sviluppo Mare”, e lidhur me projektin turistik Porto Lalzi. Sipas prokurorisë, këto subjekte nuk përfaqësonin thjesht aktivitete të zakonshme biznesi, por dyshohet se funksiononin si instrumente financiare për qarkullimin, transformimin dhe legjitimimin e kapitaleve me origjinë kriminale, përmes blerjeve të kuotave, huave ndërmjet kompanive, investimeve në pasuri të paluajtshme dhe projekteve të mëdha të ndërtimit përgjatë bregdetit shqiptar dhe në zonat me zhvillim të shpejtë urban.

Përtej emrave të kompanive, ajo që bie në sy nga dosja është shkalla e depërtimit të kapitalit të dyshuar kriminal në sektorin e zhvillimit urban dhe turistik.

Sipas SPAK-ut, grupi nuk investoi vetëm në një apo dy ndërtime të izoluara, por krijoi një rrjet kompanish që shtrihej nga Tirana në Gjirin e Lalzit, nga Dhërmiu në Jalë, duke përfshirë projekte rezidenciale, hotele luksoze, marina turistike, vila dhe struktura shërbimi.

Në total, sekuestrimi përfshin 491 pasuri, të ndara në 266 prona të paluajtshme, 209 llogari bankare dhe dhjetëra automjete dhe aksione në kompani ndërtimi, turizmi dhe sigurimesh. Sipas vlerësimit paraprak të prokurorisë, vlera e përgjithshme e këtij portofoli pasuror arrin në rreth 150 milionë euro.

Investigative Journalist
Gazetare at  | [email protected] |  + posts

Lindita Çela është një gazetare investigative e shquar, e njohur për raportimet e saj të përpikta dhe të guximshme mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në Shqipëri. Me një karrierë që shtrihet për mbi dy dekada, Çela është konsoliduar si një figurë e rëndësishme në fushën e gazetarisë investigative, duke fituar vlerësime si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar për punën e saj.