Pëllumb Gjoka: Në burg je një i vdekur që ecën

Biznesmeni mohoi akuzat për përfshirje në vrasjen e Gjin Ndojit, duke pretenduar se prej tre vitesh mbahet në paraburgim pa prova konkrete dhe se po gjykohet mbi “thashetheme dhe perceptime publike”.

53
Pëllumb Gjoka - biznesi, politika, krimi
Credits: shteg.org - Pëllumb Gjoka - biznesi, politika, krimi

Biznesmeni Pëllumb Gjoka ka dëshmuar në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) në lidhje me hetimet për vrasjen e Gjin Ndojit, ku ai akuzohet për përfshirje në organizimin e ngjarjes.

Gjatë seancës, Gjoka i ka mohuar kategorikisht akuzat, duke deklaruar se procesi ndaj tij është i ndërtuar mbi “thashetheme dhe perceptime publike” dhe jo mbi prova konkrete.

“Jam de facto i dënuar sepse më është bërë një gjyq publik”, u shpreh ai para trupit gjykues.

Sipas tij, ndjekja penale ndaj tij është e padrejtë dhe ai ndodhet prej tre vitesh në paraburgim pa një bazë të fortë provuese.

“Siç e dini, akuzohem për vrasjen e Gjin Ndojit. Akuzohem se kam gjetur vendin ku do rrinte makina dhe se kam çuar e marrë vrasësit … Por më kriminale është ngritja e akuzës ndaj meje”, deklaroi Gjoka, duke shtuar se sipas tij “gjyqet publike bëhen për të ushtruar presion ndaj gjyqtarëve”.

Ai theksoi se për 30 vite është marrë me biznes, kryesisht në lokale nate dhe lojëra fati, duke nënvizuar se këto aktivitete shpesh paragjykohen.

“Kam 30 vjet që merrem me biznes … Jam munduar të jem i kujdesshëm, të shtrij këmbët sa kam jorganin”, tha ai.

Gjoka pretendoi gjithashtu se ndaj tij janë ngritur akuza pa prova materiale, duke shtuar se në banesën e tij nuk është gjetur asnjë armë apo provë që e lidh me ngjarjen.

“Nuk ka asnjë provë shkencore që më lidh me akuzat”, u shpreh ai.

Ai hodhi poshtë edhe pretendimet për komunikime të përmendura në dosje, përfshirë ato që lidhen me platformën “Sky”, duke deklaruar se ato nuk provojnë identitetin e tij.

“Nëse ka një komunikim ku flitet për vrasjen e Gjin Ndojit, pranoj çdo lloj akuze”, tha Gjoka, duke shtuar se sipas tij identifikimi në përgjime është i pasaktë.

Në deklarimet e tij, Gjoka akuzoi prokurorinë për ndërtim të një procesi të padrejtë dhe për përdorim të materialeve të paqarta hetimore, të cilat sipas tij janë interpretuar gabim.

Ai paralajmëroi gjithashtu për pasoja sociale të situatës, duke thënë se raste të tilla krijojnë hasmëri dhe pasoja të rënda në komunitet.

“Në burg je një i vdekur që ecën”, u shpreh ai, duke theksuar se sipas tij procesi ndaj tij është ndërtuar mbi thashetheme dhe jo mbi prova të qëndrueshme.

Gjoka akuzohet për sigurimin e kushteve për vrasjen e Gjin Ndojit më 9 gusht 2020 në Shkodër, si dhe për përgatitjen e vrasjeve të tjera ndaj Kleant Musabelliut, Dorjan Dulit dhe Ibrahim Licit, në formën e një grupi të strukturuar kriminal.

Hetimet e SPAK bazohen në komunikime të koduara SKY ECC, të cilat e paraqesin Gjokën si nyje qendrore të vendimmarrjes kriminale, duke vepruar si porositës, ndërmjetës dhe garantues i veprimeve të grupit. Ai dyshohet se financonte operacionet, siguronte informacione nga institucionet dhe ndërhynte për të lehtësuar hetimet në favor të aleatëve të tij.

Komunikimet e dekriptuara përmendin gjithashtu emra të ish-zyrtarëve të Policisë së Shtetit, të cilët dyshohet se i jepnin Gjokës informacion paraprak për aksionet policore, duke i mundësuar mbylljen e aktiviteteve të paligjshme përpara kontrolleve. Një prej emrave të përmendur është Oltian Bistri, i dyshuar si informator për zhvillimet e brendshme të policisë.

Biznesmeni Pëllumb Gjoka dyshohet gjithashtu për korrupsion aktiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë, si dhe për pastrim parash.

Investigative Journalist
Gazetare at  | [email protected] |  + posts

Lindita Çela është një gazetare investigative e shquar, e njohur për raportimet e saj të përpikta dhe të guximshme mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në Shqipëri. Me një karrierë që shtrihet për mbi dy dekada, Çela është konsoliduar si një figurë e rëndësishme në fushën e gazetarisë investigative, duke fituar vlerësime si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar për punën e saj.