SPAK kërkon 14 vite burg për Pëllumb Gjokën

Prokuroria e Posaçme lexoi pretencën për të pandehurit e dosjes “Metamorfoza”; kërkohet shpallja fajtor e biznesmenit dhe ish-shefit të policisë, ndërsa mbrojtja sfidon çdo lidhje të tij me ngjarjet e pretenduara.

526
Pëllumb Gjoka - biznesi, politika, krimi
Credits: shteg.org - Pëllumb Gjoka - biznesi, politika, krimi

Biznesmeni Pëllumb Gjoka dhe ish-shefi i policisë Ardit Hasanbegaj nuk ishin të pranishëm sot në sallën e gjyqit, teksa prokurori lexoi pretencën kundër tyre për një pjesë të akuzave që janë rënduar në dosjen e quajtur “Metamorfoza”.

Të dy akuzohen për “sigurim të kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, “grup të strukturuar kriminal” dhe “armëmbajtje pa leje”. Çështja po shqyrtohet me procedurë të zakonshme, megjithëse të pandehurit kanë kërkuar gjykim të shkurtuar për pjesën e akuzave që lidhen me episode të cilësuara si “krime të lehta”.

Prokurorët Bledar Maksuti dhe Arben Kraja kërkuan dënimin me 14 vite burg për Gjokën dhe 9 vite burg për Hasanbegajn. Nëse shpallen fajtorë dhe përfitojnë nga gjykimi i shkurtuar, dënimi mund të ulet me një të tretën.

“Nuk kemi datë të fiksuar për krijimin e grupit të strukturuar kriminal. Formimi i grupit vjen si rrjedhojë e krimeve të kryera nga ky grup. Periudha kohore e grupit lidhet me planifikimin dhe realizimin e veprës penale, që nis planifikimin e vrasjes” – argumentoi prokurori por sipas mbrojtjes, kjo nuk ka asnjë lidhje me Pëllumb Gjokën.

Avokati i Gjokës pretendoi se periudha e përgatitjes për vrasje, sipas prokurorisë, fillon më 7 gusht 2020, një ditë para ngjarjes, dhe nuk lidhet direkt me klientin e tij.

Gjoka akuzohet për sigurimin e kushteve për vrasjen e Gjin Ndojit më 9 gusht 2020 në Shkodër, si dhe për përgatitjen e vrasjeve të tjera ndaj Kleant Musabelliut, Dorjan Dulit dhe Ibrahim Licit, në formën e një grupi të strukturuar kriminal.

Hetimet e SPAK bazohen në komunikime të koduara SKY ECC, të cilat e paraqesin Gjokën si nyje qendrore të vendimmarrjes kriminale, duke vepruar si porositës, ndërmjetës dhe garantues i veprimeve të grupit. Ai dyshohet se financonte operacionet, siguronte informacione nga institucionet dhe ndërhynte për të lehtësuar hetimet në favor të aleatëve të tij.

Komunikimet e dekriptuara përmendin gjithashtu emra të ish-zyrtarëve të Policisë së Shtetit, të cilët dyshohet se i jepnin Gjokës informacion paraprak për aksionet policore, duke i mundësuar mbylljen e aktiviteteve të paligjshme përpara kontrolleve. Një prej emrave të përmendur është Oltian Bistri, i dyshuar si informator për zhvillimet e brendshme të policisë.

Gjoka dyshohet gjithashtu për korrupsion aktiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë, si dhe për pastrim parash.

Vjolanda Peca
+ posts

Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.