Pëllumb Gjoka shpallet fajtor, dënohet me 6 vite burg

Biznesmeni u shpall fajtor për disa episode që lidhen me përgatitje vrasjesh dhe korrupsion, ndërsa ish-zyrtari Ardit Hasanbegaj u dënua me 5 vite burg dhe u përjashtua nga funksionet publike për 5 vjet.

21
Pëllumb Gjoka - biznesi, politika, krimi
Credits: shteg.org - Pëllumb Gjoka - biznesi, politika, krimi

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dhënë vendimin për një nga dosjet më të bujshme të viteve të fundit, të njohur si “Metamorfoza”, duke shpallur fajtor biznesmenin Pëllumb Gjoka dhe ish-zyrtarin e policisë Ardit Hasanbegaj për një sërë veprash penale që lidhen me krimin e organizuar.

Pas një procesi të zhvilluar me rregullat e gjykimit të shkurtuar, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Flojera Davidhi, Erjon Çela dhe Bib Ndreca vendosi të dënojë përfundimisht Pëllumb Gjokën me 6 vite burg dhe Ardit Hasanbegajn me 5 vite burg, pasi përfituan uljen me një të tretën e dënimit për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar.

Sipas vendimit të shpallur më 18 qershor 2026, Gjoka u gjet fajtor për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve ndaj disa personave, të identifikuar në dosje me inicialet K.M., D.D. dhe I.L., në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Për këto episode ai u dënua respektivisht me 8 dhe 7 vite burgim. Gjykata e shpalli gjithashtu fajtor për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për korrupsion aktiv të funksionarëve të sistemit të drejtësisë.

Megjithatë, Gjoka u shpall i pafajshëm për akuzën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve, pasi, sipas gjykatës, nuk u provua përtej dyshimit të arsyeshëm përfshirja e tij në këtë vepër penale. Po ashtu, ai u shpall i pafajshëm për një akuzë tjetër që lidhej me pjesëmarrjen në një grup të dytë kriminal, për mungesë provash.

Në bashkim të dënimeve, Gjykata caktoi fillimisht një dënim unik prej 9 vitesh burg, i cili më pas u reduktua në 6 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Në të njëjtin proces, Ardit Hasanbegaj u shpall fajtor për sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjeve ndaj Ibrahim Licit dhe Dorjan Dulit, si dhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Gjykata e dënoi fillimisht me 7 vite e 6 muaj burgim, por pas aplikimit të uljes së parashikuar nga ligji, dënimi përfundimtar u caktua në 5 vite burg.

Përveç dënimit penal, Hasanbegajt iu hoq e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë pesëvjeçare.

Dosja “Metamorfoza” është ndërtuar kryesisht mbi komunikimet e dekriptuara nga platforma e koduar SKY ECC, e cila ka shërbyer si një prej burimeve kryesore të hetimeve ndërkombëtare kundër krimit të organizuar.

Sipas SPAK-ut, këto komunikime e paraqesin Pëllumb Gjokën si një figurë kyçe në vendimmarrjen e grupit kriminal, me rol në financimin e operacioneve, koordinimin e veprimeve dhe sigurimin e mbështetjes logjistike për ekzekutimin e planeve kriminale.

Në dosje përshkruhen komunikime ku Gjoka dyshohet se vepronte si porositës, ndërmjetës dhe garantues i operacioneve kriminale, ndërsa përdorte lidhjet e tij për të siguruar informacione konfidenciale nga strukturat shtetërore.

SPAK-u pretendon se, përmes kontakteve me zyrtarë të Policisë së Shtetit, grupi kriminal arrinte të siguronte paraprakisht informacione për operacione, kontrolle apo veprime hetimore të planifikuara.

Në materialet hetimore përmendet edhe emri i ish-drejtuesit të policisë, Oltian Bistri, i cili dyshohet se u jepte informacion personave nën hetim për lëvizjet dhe aksionet e strukturave policore.

Po ashtu, Gjoka është hetuar edhe për korrupsion aktiv ndaj gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të sistemit të drejtësisë, çështje që konsiderohet ndër elementët më të rëndë të dosjes.

Prokuroria e Posaçme ka ngritur dyshime se Gjoka ka pasur rol në krijimin e kushteve për realizimin e kësaj vrasjeje, si dhe në planifikimin e atentateve të tjera ndaj Kleant Musabelliut, Dorjan Dulit dhe Ibrahim Licit.

Dosja “Metamorfoza” konsiderohet nga ekspertët e drejtësisë si një nga hetimet më domethënëse të SPAK-ut kundër krimit të organizuar në Shqipëri. Përtej akuzave për vrasje dhe organizatë kriminale, ajo synon të hedhë dritë mbi lidhjet e dyshuara mes grupeve kriminale, zyrtarëve të policisë dhe segmenteve të sistemit të drejtësisë.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.