Dhunohet çifti që sinjalizoi parcelat e kanabisit

Skënder dhe Bardhe Nika përfunduan në spital pasi u sulmuan nga persona të paidentifikuar. Hetuesit po verifikojnë nëse ngjarja lidhet me denoncimet e tyre për parcelat e drogës të asgjësuara pak javë më parë.

24
Skënder dhe Bardhe Nika
Credits: shteg.org - Skënder dhe Bardhe Nika

Një çift bashkëshortësh është dhunuar mëngjesin e së mërkurës në fshatin Arst të Fushë-Arrëzit, në një ngjarje që po hetohet nga policia dhe që dyshohet se mund të ketë lidhje me parcelat e kanabisit të asgjësuara në zonë rreth tre javë më parë.

Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 08:00, dy persona ende të paidentifikuar kanë goditur me sende të forta shtetasit Skënder Nika, 55 vjeç, dhe bashkëshorten e tij, Bardhe Nika, 51 vjeçe. Si pasojë e sulmit, të dy kanë pësuar dëmtime të lehta dhe janë transportuar në spital, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se një nga pistat kryesore që po verifikohet lidhet me dyshimet se Skënder Nika mund të ketë sinjalizuar autoritetet për disa parcela të mbjella me kanabis në zonë, të cilat janë asgjësuar nga policia rreth tre javë më parë. Për këtë arsye, hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që sulmi të ketë ndodhur për motive hakmarrjeje.

Vetë 55-vjeçari ka rrëfyer momentet e sulmit në një prononcim për News24. Sipas tij, autorët u prezantuan si efektivë policie dhe ishin të armatosur.

“Më thanë: ‘Ndalo, policia’. U ula në tokë. Njëri kishte automatik, 3-4 të tjerë kishin shkopinj druri. Ikën nga unë dhe më pas në rrugë gjetën gruan time. Ajo kuptoi se çfarë më ndodhi dhe erdhi të më ndihmonte, por e kapën në rrugë”, tregoi Nika.

Sipas dëshmisë së tij, autorët fillimisht e ndaluan dhe e dhunuan atë, ndërsa më pas sulmuan edhe bashkëshorten, e cila kishte shkuar për t’i ardhur në ndihmë.

Pas ngjarjes, në zonë mbërritën forca të policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur veprimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave. Deri tani nuk ka persona të ndaluar në lidhje me sulmin.

Policia e Shkodrës, në njoftimin paraprak, bëri të ditur se grupi hetimor po punon për dokumentimin e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për sqarimin e motiveve që çuan në dhunimin e çiftit.

Ngjarja vjen në një kohë kur kultivimi i kanabisit vijon të mbetet një nga sfidat kryesore për autoritetet shqiptare, veçanërisht në zonat e thella malore të veriut të vendit. Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, gjatë vitit 2025 u zbuluan dhe asgjësuan mbi 200 mijë bimë kanabisi në të gjithë vendin, ndërsa qarku i Shkodrës vijoi të konsiderohej zona me riskun më të lartë për kultivimin e lëndëve narkotike. Autoritetet kanë evidentuar qindra raste të kultivimit të kanabisit dhe dhjetëra persona të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm, ndërsa operacionet antikanabis vijojnë edhe gjatë vitit 2026.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.