Enea Mekolli, 34 vjeç, u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit në Lozhan, ndërsa një efektiv tjetër mbeti i plagosur, ndërsa Policia ka nisur hetim për mënyrën e organizimit të operacionit dhe dinamikën e ngjarjes.
Enea Mekolli, 34 vjeç, punonjës i Policisë së Shtetit, humbi jetën mëngjesin e së enjtes së 4 qershorit gjatë një aksioni për arrestimin e një personi të shpallur në kërkim për akuzat që kanë të bëjnë me trafikimin e lëndëve narkotike.
Në vendngjarje, në zonën e Lozhanit, të Bashkisë Maliq, mbeti i plagosur edhe efektivi tjetër, Edison Adri, 36 vjeç, për të cilin autoritetet garantuan se është jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit, gjatë një operacioni të planifikuar për kapjen e një personi të shumëkërkuar me rrezikshmëri të lartë, shtetasit Violand Braçellari, 43 vjeç, me precedentë të mëparshëm penalë.
Sipas burimeve zyrtare, operacioni është zhvilluar nga efektivët e “Shqiponjës”, një njësi policore që është e specializuar për ndërhyrje në situata me rrezikshmëri të lartë.
Sipas të dhënave, Braçellari është dënuar në vitin 2017 me 10 vjet burgim nga Gjykata e Korçës për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, ndërsa në vitin 2011 ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Policia ka marrë informacion se i dyshuari ishte parë duke lëvizur në zonë një ditë më parë dhe, më pas, është organizuar operacioni për kapjen e tij, pasi ka të dhëna se ai ishte zhvendosur nga fshati në një stan ku mbante bagëtitë dhe qëndronte së bashku me nënën e tij.
Pavarësisht se i kishte shpëtuar më herët katër operacioneve të RENEA-s ndër vite, këtë herë strukturat e Policisë së Korçës dyshohet se nuk kanë vlerësuar plotësisht rrezikshmërinë e tij, duke angazhuar një numër të kufizuar efektivësh për ndërhyrjen.
Burime bëjnë me dije se në operacion kanë marrë pjesë vetëm 6 efektivë të forcës “Shqiponja”.
Policia e Shtetit nuk iu përgjigj pyetjeve për koment të “shteg.org” mbi planin operacional dhe mosdërgimin në arrestimin e të shumëkërkuarit të forcave speciale, por në një njoftim për shtyp policia lokale sqaroi se “shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje të kërkuarit të dilte dhe të dorëzohej, por ai nuk i është bindur thirrjes dhe ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë, ku për pasojë ka humbur jetën inspektori 34-vjeçar Enea Mekolli dhe ka mbetur i plagosur Edison Adri, 36 vjeç, të dy punonjës të Forcës së Posaçme ‘Shqiponja’ të DVP Korçë”.
Në njoftimin e policisë sqarohet se autori Violand Braçellari ishte fshehur në një stan në zonën e Lozhanit. Policia i ka kërkuar të dorëzohet, por ai nuk iu bind urdhrit dhe ka hapur zjarr ndaj efektivëve.
“Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, shërbimet e Policisë i janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i plagosur edhe i kërkuari, shtetasi Violand Braçellari, i cili më pas është arrestuar”, njofton Policia e Korçës.
Violand Braçellari, 43 vjeç, i dyshuar si autor i ngjarjes së rëndë, rezulton me precedentë të mëparshëm penalë dhe është i njohur për autoritetet për disa episode kriminale të regjistruara ndër vite.
Në një episod të mëparshëm, rreth një vit më parë, ndaj tij janë ngritur pretendime për dhunë ndaj një shtetasi tjetër, ku dyshohet se viktima është tërhequr zvarrë me kalë për një periudhë kohe, ngjarje e cila ka qenë objekt hetimi nga autoritetet.
Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka nisur një hetim për mënyrën e organizimit të operacionit policor gjatë të cilit humbi jetën efektivi Enea Mekolli. Hetimi synon të sqarojë të gjitha rrethanat, planifikimin dhe dinamikën e ndërhyrjes në terren.
“Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje shumë të rëndë”, sqaron policia, ndërsa Kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjetin social “X”, ka bërë të ditur shpalljen e efektivit të rënë në krye të detyrës si “Dëshmor i Atdheut”, në nder të sakrificës së tij gjatë shërbimit në Policinë e Shtetit.
Armand Braho është një lektor, gazetar dhe studiues ligjor shqiptar me një përvojë të larmishme profesionale në akademi, media dhe shoqëri civile. Aktualisht punon si Lektor në Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë dhe si Reporter për Report TV, duke mbuluar çështje rajonale në Pogradec. Më parë, ai ka mbajtur pozicione si Specialist Projektesh për Projekte Rinore dhe Specialist i Zhvillimit të Turizmit në Bashkinë e Pogradecit, si dhe ka përvojë të gjerë si moderator, prezantues televiziv dhe kryeredaktor për disa media në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.
Armand ka përfunduar studimet Bachelor dhe Master në Drejtësi në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, ku gjithashtu ka shërbyer si Kryeredaktor i revistës “International Student” dhe si koordinator i aktiviteteve studentore. Interesat e tij akademike fokusohen në reformën e drejtësisë, të drejtat e njeriut dhe integrimin evropian. Ai ka prezantuar në shumë konferenca ndërkombëtare mbi tema që variojnë nga reformat gjyqësore dhe trafikimi i qenieve njerëzore deri te krimi mjedisor dhe harmonizimi i ligjeve me standardet e BE-së.































