Igli Tare nën akuzë për pastrim parash në dosjen Balluku

Ish-futbollistit të Kombëtares iu komunikua akuza nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të hetimeve për një dosje që lidhet me Belinda Ballukun, ndërsa ai u largua pa dhënë deklarata për mediat.

33
Igli Tare nën akuzë për pastrim parash në dosjen Balluku
Credits: shteg.org - Igli Tare nën akuzë për pastrim parash në dosjen Balluku

Ish-futbollisti i Kombëtares, Igli Tare, ka qëndruar për rreth 5 orë në Prokurorinë e Posaçme, ku i është komunikuar zyrtarisht akuza e “pastrimit të parave” dhe statusi i tij si person nën hetim nga SPAK.

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, emri i Tares lidhet me një vilë luksoze të sekuestruar me urdhër të SPAK, e cila dyshohet se është fshehur në emër të tij nga ish-zëvendëskryeministrja dhe ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Vila ndodhet nën administrimin e Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara.

Igli Tare ka deklaruar se vila është blerë në vitin 2018 me të ardhura të ligjshme të siguruara nga aktiviteti i tij në fushën e sportit, ndërsa SPAK beson se ajo pasuri është e fshehur në emër të tij në kuadër të hetimeve që lidhen me ish-zyrtaren e lartë.

Sipas SPAK, për të fshehur pronësinë reale të pasurisë, janë përdorur kontrata të porosisë dhe qiraje të konsideruara fiktive, përmes Tares dhe një ish-vartëseje të Albcontrol sh.a., shtetases J.B., në kohën kur institucioni drejtohej nga Balluku.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se veprimet lidhen me kontratën e porosisë të vitit 2018 dhe më pas me kontratën e qirasë dhe amendamentet e saj në vitet 2022 dhe 2024, të cilat dyshohet se janë përdorur për të fshehur gjurmët e pronësisë reale.

Ndërkohë, paralelisht me zhvillimet hetimore, në Itali raportohen ndryshime të rëndësishme në karrierën e Tares si drejtues sportiv. Ai nuk do të jetë më pjesë e Milanit, pas një sezoni të vlerësuar si të dështuar nga klubi, i cili nuk arriti objektivin e kualifikimit në Ligën e Kampionëve.

Sipas mediave sportive italiane, klubi “AC Milan” ka vendosur të shkarkojë të gjithë drejtuesit kryesorë, përfshirë Igli Taren, trajnerin Massimiliano Allegri, CEO-n Giorgio Furlani dhe shefin e skautimit Geoffrey Moncada, pas humbjes në ndeshjen vendimtare të sezonit.

Milani e mbylli sezonin pa arritur objektivat e vendosura, ndërsa drejtuesit e klubit e cilësuan ecurinë si “një dështim të pakontestueshëm”, duke nisur një riorganizim të plotë të strukturës sportive.

Tare kishte marrë detyrën vetëm një sezon më parë dhe largimi i tij vjen si pjesë e ndryshimeve të thella në klub, ndërsa pritet që drejtues të rinj të emërohen në ditët në vijim.

Hetimet e SPAK ndaj tij vijojnë, ndërsa çështja mbetet pjesë e një dosjeje më të gjerë që përfshin ish-zëvendëskryeministren, Belinda Balluku, e cila akuzohet për shkelje në procedurat e prokurimeve publike gjatë kohës që ajo drejtonte institucione kyçe si Albcontrol dhe Ministrinë e Infrastrukturës.

Sipas SPAK, hetimet përfshijnë akuza për shkelje të barazisë në tendera, korrupsion dhe pastrim parash, në disa projekte me vlerë të lartë publike, përfshirë edhe tendera të mëdhenj infrastrukturorë si Tuneli i Llogarasë dhe segmente të Unazës së Madhe.

Xhesika Tollia
+ posts

Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.

Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.