Dy ish-zyrtarë të AMP-së shpallen fajtorë për shpërdorim detyre

Artjol Saliasi dhe Gëzim Sala u dënuan me nga gjashtë muaj burg, ndërsa ekzekutimi i dënimit u pezullua dhe u zëvendësua me një vit shërbim prove. Hetimet lidhen me procedurën e punësimit të Muçi Shaljanit, i vrarë në atentatin e Rinasit në vitin 2025, ku humbi jetën edhe Gilmando Dani.

27
Atentati pranë Aeroportit të Rinasit, Gilmando Dani, AMP
Credits: shteg.org - Atentati pranë Aeroportit të Rinasit

Gjykata e Tiranës dënoi të mërkurën dy ish-zyrtarë të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), Artjol Saliasin dhe Gëzim Salën, me nga nëntë muaj burg për shpërdorim detyre, por vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vënien e tyre në shërbim prove për një vit.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi për secilin u ul me një të tretën, duke u konvertuar në gjashtë muaj heqje lirie, të cilat gjykata i pezulloi.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, hetimet lidhen me procedurën e ndjekur për punësimin në AMP të Muçi Shaljanit, i cili u vra në atentatin e ndodhur në rrethrrotullimin e Rinasit në nëntor 2025, ku humbi jetën edhe Gilmando Dani.

Prokuroria tha se Gëzim Sala lejoi punësimin e Shaljanit në kundërshtim me ligjin, duke e emëruar vetëm gjashtë ditë pas paraqitjes së kërkesës dhe pa kaluar procedurat e detyrueshme të konkurrimit, verifikimit, testimit dhe periudhës së provës. Sipas organit të akuzës, Shaljani u pranua me kontratë të përkohshme për “nevoja emergjente”, megjithëse legjislacioni nuk parashikon një procedurë të tillë për këtë kategori punësimi.

Prokuroria tha se Shaljani u pagua nga AMP-ja nga 16 shtatori deri më 11 nëntor 2025, ditën kur u vra, pa u paraqitur në punë dhe pa kryer detyra konkrete.

Sipas dosjes së akuzës, hetimet kanë ngritur dyshime se rekrutimi nuk ishte i rastësishëm dhe se pozicioni i tij, i lidhur me aktivitetin e vëzhgimit, mund të ishte përdorur për qëllime që nuk lidhen me funksionin institucional të AMP-së. Prokuroria nuk tha se këto dyshime janë provuar në gjykatë.

Organi i akuzës tha gjithashtu se Sala vijoi të ushtronte funksione administrative dhe të qarkullonte dokumente zyrtare edhe pasi kishin nisur hetimet ndaj tij, duke krijuar, sipas prokurorisë, pengesa për procesin hetimor.

Atentati i Rinasit po hetohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), pasi Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencën e saj për shkak të dyshimeve për përfshirje të grupeve kriminale.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.