Shteg siguron pamjet e ekzekutimit të Gilmando Danit

Atentati i shpejtë dhe i dhunshëm i ekzekutimit të Gilmando Danit, në Rinas ngre shqetësime për sigurinë në vend pasi ekzekutimi u krye në zonën më të mbikëqyrur të kryeqytetit, pranë Aeroportit “Nënë Tereza”.

1947
Atentati pranë Aeroportit të Rinasit, Gilmando Dani, AMP
Credits: shteg.org - Atentati pranë Aeroportit të Rinasit

Pamjet ekskluzive të siguruara nga “shteg.org” tregojnë dinamikën e atentatit mafioz, në një nga zonat më të sigurta të vendit, vetëm pak metra larg aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

Ngjarja ka ndodhur në më pak se një minutë.

Në një zonë të populluar ku ndodhen dhjetëra kamera sigurie dhe forca policore, mesditën e së martës së 11 nëntorit 2025, u ekzekutua një emër i njohur për lidhjet e tij me figura të botës së krimit, Gilmando Dani.

Pamjet e tjera të siguruara nga “shteg.org” tregojnë se vetëm 2 minuta pas atentatit, një autokolonë prej 4 makinash të një delegacioni zyrtar, kalojnë pikërisht pranë vendit ku ndodhi ngjarja.

Policia e Tiranës njoftoi se atentati ka ndodhur rreth orës 14:20, kur persona ende të paidentifikuar kanë hapur zjarr me breshëri kallashnikovi në drejtim të shënjestrës së tyre, të sapoardhur nga Spanja.

Pamjet tregojnë se ndaj automjetit është qëlluar në tre momente të ndryshme.

Autorët, të maskuar dhe të veshur me uniforma që ngjanin me ato të policisë, kanë qëlluar në drejtim të mjetit, duke e ndaluar atë në vend.

Më pas, një prej autorëve ka zbritur nga makina, ka rimbushur armën dhe ka qëlluar sërish në drejtim të objektivit të tyre, Gilmando Danit, i ulur në sediljen e pasagjerit.

Pas këtij momenti, duket se ndaj makinës së viktimave është qëlluar sërisht, në distancë për herë të tretë.

Pamjet tregojnë se atentatorët janë larguar në drejtim të Fushë-Krujës, ndërsa kalimtarë të rastit janë afruar për të ndihmuar personat brenda mjetit.

Në sediljen e parë u gjet i pajetë Gilmando Dani, 47 vjeç, ndërsa shoferi, Muçi Shaljani, që më vonë rezultoi të ishte një agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, u nxor nga makina me shenja jete.

Policia njofton se po vijon hetimet mbi ngjarjen, por mënyra se si grupet kriminale lajnë hesapet me njëri-tjetrin ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë në vend. 

Jo vetëm për natyrën brutale të ekzekutimit, por edhe për faktin se atentati u kryen në një zonë që konsiderohet ndër më të sigurta, në hyrje të aeroportit kryesor të Shqipërisë.

Investigative Journalist
Gazetare at  | [email protected] |  + posts

Lindita Çela është një gazetare investigative e shquar, e njohur për raportimet e saj të përpikta dhe të guximshme mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në Shqipëri. Me një karrierë që shtrihet për mbi dy dekada, Çela është konsoliduar si një figurë e rëndësishme në fushën e gazetarisë investigative, duke fituar vlerësime si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar për punën e saj.