GJKKO rrëzon kërkesat për pavlefshmëri të akteve në dosjen “Partizani”

GJKKO vlerëson se aktet hetimore të SPAK për dosjen ku akuzohen Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi për korrupsion dhe pastrim parash, janë kryer sipas procedurave ligjore.

1360
Dosja Partizani Berisha Malltezi SPAK
Credits: shteg.org - Dosja Partizani Berisha Malltezi SPAK

GJKKO ka refuzuar kërkesat e avokatëve të të pandehurve në dosjen “Partizani”, të cilët kërkonin pavlefshmëri absolute të disa akteve hetimore të Prokurorisë së Posaçme.

Në seancën e sotme, gjykata deklaroi se pretendimet e mbrojtjes nuk mbështeten në ligj dhe në prova, duke theksuar se vendimet e marra gjatë hetimeve paraprake nga gjyqtarja Irena Gjoka janë zhvilluar në përputhje me procedurat ligjore.

Sipas GJKKO, pretendimet për tejkalim kompetencash nga SPAK nuk rezultojnë të bazuara, ndërsa kujtoi se të gjitha masat e sigurimit, personale dhe pasurore, janë shqyrtuar më herët në të gjitha shkallët e gjyqësorit, përfshirë Gjykatën Kushtetuese.

Lidhur me pretendimet se disa ekspertë të çështjes nuk ishin të licencuar ose ndodheshin në konflikt interesi, gjykata vlerësoi se këto rrethana nuk sjellin pavlefshmëri të akteve hetimore. U bë e ditur se ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore kanë kryer detyrat e tyre sipas ligjit.

GJKKO njoftoi se në vijim do të thërrasë një ekspert topograf për të dëshmuar mbi kualifikimet e tij, përpara se të shprehet përfundimisht mbi një prej kërkesave të mbrojtjes.

Gjykata rrëzoi gjithashtu pretendimet për shkelje të procedurave në sekuestrimin dhe ekspertimin e pajisjeve kompjuterike. Sipas vendimit, sekuestrimet e kryera në “Studio Pustina” dhe të dhënat e marra nga kompania “Homeplan” janë të ligjshme, ndërsa të dhënat e përfituara nga pajisjet që më pas janë kthyer tek të pandehurit nuk mund të përdoren si prova.

GJKKO theksoi se nuk janë konstatuar shkelje të afateve ligjore për kryerjen e ekspertimeve dhe se nuk ka prova që ekspertët të kenë qenë të ndikuar ose të njëanshëm.

Në përfundim, gjykata vlerësoi se një pjesë e pretendimeve të mbrojtjes nuk përbëjnë kërkesa paraprake dhe do të shqyrtohen gjatë procesit gjyqësor.

Dosja për aferën “Partizani” kaloi për gjykim më 19 maj, pas një vonese prej rreth 7 muajsh.

Ish-kryeministri Sali Berisha po gjykohet për akuzën e “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, pasi dyshohet se, në kohën kur ishte në detyrë, ka ndërmarrë veprime ligjore dhe nënligjore që i kanë sjellë përfitime dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezit.

Ndërkohë, Malltezi akuzohet për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”. Sipas SPAK, ai ka përfituar në mënyrë të parregullt të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një projekt ndërtimi, përmes vendimeve të favorizuara të qeverisë të asaj kohe.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.