Gjykata lë në fuqi sekuestron mbi pasuritë e dhëndrit të Berishës

Gjykata e Posaçme rrëzon kërkesën për heqjen e sekuestros, duke lënë në fuqi 25 pasuri të sekuestruara në kuadër të hetimeve për dosjen “Partizani”.

1002
Jamarbër dhe Argita Malltezi
Credits: shteg.org - Jamarbër dhe Argita Malltezi

Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e Jamarbër dhe Argita Malltezit për heqjen e sekuestros mbi pasuritë e tyre, duke lënë në fuqi “sekuestron preventive” të një sërë pasurish të sekuestruara në kuadër të hetimeve për dosjen e aferës “Partizani”.

Në total, janë 25 pasuri të sekuestruara, që  përfshijnë një kombinim të pasurive të paluajtshme, llogarive bankare dhe pjesëmarrjes në kapitalin e disa kompanive. Në llogaritë e tij bankare janë gjetur shuma të konsiderueshme në euro, lekë dhe dollarë, që pas konvertimit arrijnë rreth 252 mijë euro në total. Konkretisht, në emër të tij ndodhen 63,657.10 euro, 2,699,408.46 lekë, 29,259.43 dollarë dhe tre llogari të tjera me vlera 62,018.49 euro, 45,705.66 euro dhe 26,492.72 euro.

Nga ana e pasurive të paluajtshme, Malltezi zotëron shtatë apartamente me sipërfaqe që varion nga 102.6 deri në 356.3 m², disa prej të cilave kanë edhe sipërfaqe të përbashkët, një vilë tip dublex mbi truall 187.7 m² me ndërtim të ndarë në dy kate dhe verande 22.73 m², si dhe tre bodrume me sipërfaqe 18–28 m².

Përveç tyre, janë sekuestruar edhe katër njësi tregtare dhe një pasuri në bashkëpronësi me Argita Malltezin. Në total, sipërfaqja e ndërtimit të pasurive të paluajtshme arrin mbi 3,350 m², pa përfshirë truallin dhe sipërfaqet e përbashkëta.

Përveç pasurive fizike dhe llogarive bankare, sekuestrimi përfshin edhe pjesëmarrjen e tij në kapitalin e disa kompanive: 45% të “Homeplan sh.p.k.”, 100% të “Magnet IMO sh.p.k.” dhe 60% të “Magnet Gym&Fit”.

Vendimi për të lënë në fuqi sekuestron është marrë nga trupa gjyqësore e përbërë nga Elsa Ulliri, Bib Ndreca dhe Rudina Palloi. Kërkesa e mbrojtjes për heqjen e sekuestros është rrëzuar, ndërsa po sot në GJKKO u shty edhe seanca e radhës për dosjen Partizani, për shkak të mungesës së një avokati.

Në këtë seancë parashikohej që GJKKO të shprehej mbi kërkesën e mbrojtjes për pavlefshmëri aktesh, të hetimit gjyqsor i nisur më 19 Maj 2025.

Dosja në gjykim lidhet me akuzat për korrupsion ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezit. SPAK pretendon se Malltezi përfitoi rreth 5.4 milionë euro nga një projekt ndërtimi falë vendimeve qeveritare të kohës kur kryeministër ishte vjehrri i tij.

Si Berisha, ashtu edhe Malltezi i kanë kundërshtuar akuzat duke i cilësuar ato të orkestruara nga kryeministri Edi Rama dhe të drejtuara për të goditur opozitën.

Nën akuzë janë Fatmir Bektashi i cili akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ortaku i Malltezit dhe trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja, dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.