Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla është marrë në pyetje si dëshmitar në procesin gjyqësor për dosjen “Partizani”, që lidhet me ish-kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi.
Gjatë dëshmisë së tij, Balla deklaroi se kallëzimi është mbështetur në dokumente dhe të dhëna konkrete, të siguruara nga institucione shtetërore, qytetarë dhe burime publike.
Seanca e cila zgjati mbi tre orë u shoqërua me përplasje të vazhdueshme mes dëshmitarit dhe Jamarbër Malltezit apo mbrojtjes, duke e fokusuar tek mënyra se si Balla kishte siguruar informacionin.
Avokatët mbrojtës ngritën dyshime mbi burimin e provave, duke theksuar se dëshmitari i referohej shpesh mediave dhe jo dokumenteve zyrtare.
“Çfarë kam pasur në dispozicion i kam bashkëlidhur. Një pjesë në rrugë zyrtare, një pjesë nga qytetarët dhe mediat” – deklaroi Balla, duke shtuar se kallëzimi ishte një ndërthurje e rolit të tij si deputet dhe si qytetar duke shtuar, me njëfarë krenarie, që ka bërë gjënë e duhur duke denoncuar veprën penale.
Ai ngriti dyshime mbi mënyrën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, duke pretenduar se procesi ishte përshpejtuar për të favorizuar Malltezin, duke përfshirë, sipas tij, edhe ndikimin e Berishës si ish-kryeministër.
“Sali Berisha, për shkak të pozicionit si kryeministër, përfshihet drejtpërdrejt, pasi dhëndri i tij ka shfrytëzuar lidhjen familjare për të përmbyllur procesin me një vlerë qesharake”, tha gjatë seancës Balla duke e përshkruar rastin jsi një mekanizëm ku prona shtetërore kalon në duar private përmes ndikimit politik.
Megjithatë, mbrojtja e kundërshtoi fort këtë linjë, duke kërkuar konkretizim të veprimeve penale.
Një nga pyetjet më të përsëritura nga pothuajse të gjithë avokatët e pranishëm ishte se çfarë veprimesh konkrete kanë ndërmarrë Jamarbër Malltezi dhe Sali Berisha në lidhje me çështjen. Megjithatë, kjo pyetje nuk mori një përgjigje të drejtpërdrejtë nga dëshmitari Taulant Balla.
Debatet u ashpërsuan kur Malltezi e akuzoi Ballën për pasaktësi, duke deklaruar herë me zë të lartë dhe herë nën zë se ai po gënjente, çka solli reagimin e Ballës, i cili u shfaq i ofenduar nga deklaratat.
Për shkak të mënyrës së tij të sjelljes gjatë seancës, e cila herë pas here e kthente procesin në debate të tensionuara, gjykata i tërhoqi vëmendjen Ballës, duke i kujtuar se ndodhej në sallë vetëm në cilësinë e dëshmitarit dhe jo si funksionar politik.
Gjatë seancës gjyqësore, trupa gjyqësore shqyrtoi edhe kërkesën e gazetarëve për transmetimin live të procesit. Kjo kërkesë u bë me argumentin se çështja ka interes të lartë publik, por gjykata vendosi të mos e pranojë, duke e përjashtuar mundësinë e transmetimit të drejtpërdrejtë dhe të pranisë së audiencës në sallë.
Dosja “Partizani” lidhet me një seri vendimesh dhe ndryshimesh ligjore që, sipas Prokurorisë së Posaçme, hapën rrugën për kthimin dhe më pas privatizimin e një prone shtetërore me vlerë të lartë në kryeqytet.
Në vitin 2005, një vendim i Këshillit të Ministrave ndryshoi kuadrin ligjor për kthimin e pronave, duke hequr kufizime për prona që shërbenin për interes publik apo mbrojtje kombëtare. Kjo, sipas hetuesve, krijoi mundësinë që toka e kompleksit “Partizani” të kalonte te ish-pronarët.
Pak më vonë, përfaqësimi i tyre në procedura iu besua Jamarbër Malltezit, ndërsa kontratat përfshinin edhe klauzola financiare që SPAK i konsideron si mekanizma të mundshëm për përfitime të paligjshme.
Më pas, themelimi i kompanisë “Homeplan” sh.p.k dhe zhvillimi i projekteve të ndërtimit në zonë sollën përfitime të konsiderueshme financiare për ortakët, përfshirë Malltezin, i cili sipas akuzës ka përfituar miliona euro pa investime reale.
Hetimet përfshijnë dyshime për korrupsion, pastrim parash dhe përdorim të lidhjeve politike për të ndikuar vendimmarrjen shtetërore, ndërsa në skemë përfshihen edhe biznesmenë dhe bashkëpunëtorë të tjerë.
Berisha dhe Malltezi i kanë mohuar akuzat, duke e cilësuar procesin si të motivuar politikisht dhe duke akuzuar prokurorinë për ndikim nga qeveria.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.



























