“Panairi i Lirisë”, rrugëtimi i vështirë i medias

Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, Qendra Res Publica organizon “Panairin e Lirisë” duke sjellë në vëmendje rastet dhe sfidat e medias në Shqipëri.

330
Panairi i lirisë
Credits: shteg.org - Panairi i lirisë

Gazetari Ylli Rakipi u përball me një padi nga kryeministri Edi Rama për shkak të kritikave të tij ndaj mënyrës së qeverisjes së vendit. Rakipi e konsideroi padinë si presion ndaj gazetarisë. Kryeministri u tërhoq nga padia …

Gazetarët Bledian Koka dhe Vojo Bregu u përballën me një padi penale për shpifje nga Erion Veliaj pas transmetimit të emisionit “Piranjat”. Akuzat ndaj gazetarëve u ngritën për pyetjet e bëra. Çështja u pushua, por Veliaj ngriti sërish padi, për të hequr dorë nga procesi pak muaj më vonë …

Lapsi.al u përball me një ndërhyrje të rëndë ndaj lirisë së shtypit pasi publikoi skandalin e patronazhistëve. Gjykata urdhëroi sekuestrimin e serverëve dhe pajisjeve duke rrezikuar zbulimin e burimeve konfidenciale të gazetarëve Armand Shkullaku dhe Andi Bushati. Çështja u dërgua në gjykatën e Strasburgut, e cila ndërhyri për pezullimin e menjëhershëm të vendimit të sekuestrimit …

Gazetarja Lindita Çela u përball me refuzimin e gjykatës së posaçme për të marrë dokumentet e një dosjeje penale. GJKKO pretendoi se aktet ishin sekret shtetëror. Gjykata administrative nga ana tjetër rrëzoi pretendimet e gjykatës së posaçme dhe e detyroi atë t’i vërë në dispozicion gazetarëve informacionin e kërkuar …

Përballje të ngjashme dhe të gazetarëve të tjerë, megjithëse përfaqësojnë histori rezistence dhe suksesi, nxjerrin në pah sfidat reale me të cilat përballet media në vend. Në këtë kontekst, organizata Qendra ResPublica ka ndërmarrë iniciativa për të sensibilizuar opinionin publik në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, e cila shënohet çdo vit më 3 maj.

E ideuar si “Panairi i Lirisë”, mëngjesin e së dielës stendat që tregojnë sfidat e gazetarëve janë vendosur në pedonalen e rrugës “Murat Toptani” në afërsi të Galerisë Kombëtare në Tiranë, jo vetëm si një dëshmi e betejave të fituara, por edhe si reflektim mbi rëndësinë e medias së lirë dhe rolin thelbësor të informacionit në shoqëritë demokratike.

3 Maji, i shpallur nga UNESCO si Dita Ndërkombëtare e Lirisë në vitin 1993, synon të promovojë lirinë e shprehjes si një e drejtë themelore dhe të nderojë gazetarët që kanë humbur jetën në detyrë. Sipas raporteve të UNESCO-s, liria e shprehjes në nivel global ka rënë me rreth 10% që nga viti 2012, ndërsa vetëcensura është rritur ndjeshëm për shkak të presioneve të ndryshme.

Liria e medias mbetet një nga shtyllat themelore të demokracisë, por në Shqipëri ajo vazhdon të përballet me sfida të shumta. Raste konkrete të viteve të fundit tregojnë presionet, pengesat dhe rreziqet me të cilat përballen gazetarët në ushtrimin e profesionit të tyre.

Edhe raporti i Qendrës për Pluralizmin dhe Lirinë e Medias (CMPF) pranë Institutit Universitar Evropian në Firence e rendit Shqipërinë në kategorinë e vendeve me “rrezik të lartë” për median. Veçanërisht shqetësues mbetet treguesi i pluralizmit të medias, i cili arrin nivelin 92%.

Raporti thekson probleme si mungesa e sigurisë për gazetarët, kushtet e dobëta të punës, ndikimi politik dhe ekonomik mbi median, si dhe mungesa e pavarësisë editoriale. Shqipëria renditet ndër vendet më problematike në rajon, duke lënë pas vetëm disa vende si Turqia, Hungaria dhe Serbia në disa tregues të caktuar.

Ekspertët rekomandojnë masa konkrete, përfshirë rritjen e transparencës së pronësisë së mediave, mbrojtjen ligjore të gazetarëve nga paditë strategjike (SLAPP), dekriminalizimin e shpifjes dhe ndarjen e qartë mes medias dhe interesave politike apo ekonomike.

Pavarësisht këtyre sfidave, Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit mbetet një thirrje për solidaritet dhe mbështetje ndaj gazetarisë së pavarur. Një shtyp i lirë nuk është vetëm një ideal, por një domosdoshmëri për transparencën, llogaridhënien dhe funksionimin e shëndetshëm të demokracisë.

Xhesika Tollia
+ posts

Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.

Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.