Pronësia e medias dhe lidhjet me pushtetin ekonomik

Përqendrimi i pronësisë dhe ndërthurja e mediave me interesa të mëdha ekonomike krijojnë një mjedis ku pavarësia editoriale vihet në presion të vazhdueshëm.

390
Ekosistemi i medias në Shqipëri
Credits: shteg.org - Ekosistemi i medias në Shqipëri

Ndryshe nga tre pushtetet klasike, legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori, pushteti i katërt i cili në dukje ushtron autoritet simbolik, media është shumë i rëndësishëm.

Ky pushtet, nuk ka forcën për të të miratuar ligje, për të qeverisur apo për të dënuar por ka fuqinë për të ndikuar mbi opinionin publik dhe për të formësuar mënyrën si shoqëria e percepton të vërtetën.

Roli i medias është të mbikëqyrë pushtetet e tjera dhe të mbrojë interesin publik, por në sisteme ku politika dhe kapitali ndikojnë mbi pronësinë mediatike, ajo rrezikon të mos mbetet më një vëzhguese e pushtetit, por të shndërrohet vetë në pjesë të tij.

Në Shqipëri janë të regjistruara me licensë televizive 38 media të cilat informojnë në rang kombëtar, të pjesshëm apo lokal.

raportin e publikuar nga Qendra Res Publica mbi “Ekspozimin ekonomik të Medias” rezulton se, në mënyrë indirekte, pas tyre qëndron një rrjet interesash ekonomike, marrëdhëniesh me shtetin dhe përfitimesh që po e bëjnë gjithnjë e më të brishtë kufirin mes informimit publik dhe interesit privat.

Një nga gjetjet kryesore është se tregu audioviziv kombëtar paraqitet i përqendruar në pak grupe pronësie dhe interesa ekonomike. Kjo nuk është vetëm çështje tregu, por çështje pluralizmi real. Sa më i kufizuar të jetë numri i aktorëve që kontrollojnë burimet kryesore të informimit, aq më e madhe bëhet nevoja për transparencë mbi pronësinë, financimin dhe marrëdhëniet ekonomike me shtetin.

Raporti evidenton se ekspozimi ekonomik i medias nuk ndodh vetëm përmes reklamave shtetërore apo pagesave direkte nga buxheti. Ai mund të shfaqet më i fortë përmes lejeve, kontratave, përdorimit të pasurive publike, statusit të “investitorit strategjik”, projekteve infrastrukturore, koncesioneve, PPP-ve, fondeve publike dhe vendimmarrjeve të tjera rregullatore me ndikim të madh ekonomik.

Një pjesë e rëndësishme e mediave kombëtare ndodhen në një marrëdhënie varësie me politikën dhe institucionet publike, jo domosdoshmërisht përmes censurës së drejtpërdrejtë, por përmes interesave ekonomike që ndërthuren me pronësinë mediatike.

Kjo dokumentohet përmes një sërë vendimesh, statusesh strategjike, përfitimesh mbi prona publike dhe kompensimesh financiare që kanë prekur grupe të lidhura me televizionet më të mëdha në vend.

Raporti sjell tipologji rastesh, indikatorë të ekspozimit dhe rekomandime konkrete për rritjen e transparencës. Ai kërkon që debati për median të mos kufizohet vetëm te pronësia formale, por të shtrihet te kontrolli real, pronarët përfitues, personat e lidhur, financimi direkt dhe indirekt dhe përfitimet ekonomike që burojnë nga vendimmarrja publike.

Media, biznesi dhe shteti

Media Matrix
Credits: Qendra Res Publica – Media Matrix

Në Shqipëri, një pjesë e madhe e tregut mediatik kontrollohet nga pak familje apo grupe biznesi, të cilat paralelisht operojnë në sektorë me interes të lartë ekonomik, si ndërtimi, turizmi apo investimet strategjike. Pikërisht këtu lind edhe rreziku për pavarësinë editoriale, kur media dhe biznesi varen nga vendimmarrja e shtetit, raporti me pushtetin bëhet më i ndërlikuar.

Në deklaratën e “Gjetjeve dhe Konkluzioneve Paraprake” për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, misioni ndërkombëtar i vëzhgimit, IEOM, evidentoi se përqendrimi i pronësisë mediatike, vetëcensura dhe dominimi i mbulimit nga partitë e mëdha kufizuan mundësinë e qytetarëve për t’u informuar në mënyrë të balancuar.

Më 10 prill të vitit 2025, Komiteti i Investimeve Strategjike i ka dhënë statusin “Investitor strategjik” projektit “ANIMA”, një kompleks me hotel, rezidenca dhe shërbime që pritet të ndërtohet në Tiranë, me vlerë investimi 55.6 milionë euro.

Projekti do të zhvillohet nga kompanitë “ANIMA CON” dhe “EB Construction”, ndërsa në dokumentacion rezulton se pronare e “ANIMA CON” është Lorela Hoxha, me 100% të kuotave të dhuruara nga Vjollca Hoxha.

Top Channel, media kombëtare shumë e madhe dhe me ndikim të madh në opinionin publik, e ndërthur aktivitetin mediatik me një portofol të gjerë shoqërish në sektorë të ndryshëm ekonomikë, përfshirë media, reklama, IT, telekomunikacion, tregti dhe investime. Një element i rëndësishëm i këtij profili lidhet me përdorimin e aseteve me origjinë publike, përfshirë rastin e Piramidës në Tiranë, një hapësirë me vlerë të lartë urbane në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Familja Hoxha rezulton aksionere me rreth 61% në DigitAlb, ndërsa për këtë shoqëri janë evidentuar përfitime financiare nga buxheti i shtetit në periudha të ndryshme.

“Përfitime nga buxheti i shtetit për vitet 2015-2018,  8,108,349 lekë dhe në vitet 2019-2026, 12,037,600 lekë” – tregohet në raport.

Struktura e pronësisë shtrihet përmes disa shoqërive të lidhura, përfshirë LORESA sh.p.k., si dhe subjekte të tjera në fusha si marketingu, reklamimi dhe shërbimet dixhitale. Paralelisht, grupi ka diversifikuar aktivitetin edhe në sektorë jashtë medias, si import-eksport ushqimor dhe verërash, si dhe shërbime të ndryshme tregtare.

Në disa raste, mediatike dhe publike janë ngritur edhe pretendime mbi lidhje të mundshme ekonomike midis personave të lidhur me rrethin e pronësisë dhe aktorëve të përfshirë në çështje të mëdha koncesionare.

Televizioni Klan dhe familja Frangaj-Gina zënë gjithashtu një pjesë të rëndësishme të raportit. Projekti “White Roads Hotel” përfitoi status strategjik, tokë shtetërore dhe më pas kontrata me tarifën simbolike “1 euro”. Më vonë, sipërfaqja e përfituar u zgjerua me mijëra metra katrorë të tjerë, ndërsa projekti mori edhe masa mbështetëse për përdorimin e bregdetit. Raporti evidenton se një pjesë e dokumentacionit dhe koordinatave shoqëruese nuk janë publikuar, duke ngritur dyshime për shkak të nivelit të transparencës.

Këto raste trajtohen si indikatorë të një marrëdhënieje ekonomike të favorshme mes shtetit dhe subjekteve të lidhura me median.

Në Shqipëri, pronësia mediatike ndërthuret me aktivitete ekonomike në sektorë të tjerë që varen nga vendimmarrja publike, si ndërtimi, turizmi dhe zhvillimi urban.

Rrjeti Frangaj-Gina përfshin operatorin mediatik TV Klan dhe një numër të madh shoqërish tregtare të lidhura drejtpërdrejt ose tërthorazi, të angazhuara në këto sektorë. Ky rrjet përfshin mbi 30 shoqëri dhe disa projekte të mëdha zhvillimore, përfshirë “Green Coast”, “white Roads Hotel”, “Drymades Villas” dhe projekte të tjera turistike dhe rezidenciale në bregdet dhe zona urbane.

Këto projekte lidhen me përdorimin e tokës, lejet e ndërtimit dhe statuset e veçanta të zhvillimit, përfshirë rastet e investimeve strategjike. Këto të dhëna tregojnë një ndërthurje të aktiviteteve mediatike me interesa ekonomike në sektorë të varur nga vendimmarrja publike, ku kufiri mes funksionit mediatik dhe ekspozimit ekonomik nuk është i ndarë në mënyrë të plotë.

Një tjetër grup i përmendur është familja Dulaku, e lidhur me Vizion Plus e cila ka përfituar statusin e investitorit stratëgjik për të paktën dy projekte, “San Pietro” në Gjirin e Lalzit dhe “Gone Perivol” në Dhërmi. Vetëm për këto dy projekte raportohen investime që arrijnë deri në 120 milionë euro dhe për shkak të statusit kryhen me procedura të përshpejtuara dhe masa mbështetëse për përdorimin e zonave bregdetare.

Tre vëllezërit Artan, Adrian dhe Genci Dulaku rezultojnë të lidhur dhe me shoqëri të tjera në fushën e transmetimeve dhe telekomunikacionit. Paralelisht, grupi shfaqet i zgjeruar në sektorë të tjerë si turizmi, ndërtimi, zhvillimi rezidencial dhe infrastruktura portuale, përmes një numri të konsiderueshëm shoqërish të lidhura.

Një pjesë e rëndësishme e ekspozimit ekonomik lidhet me përdorimin e pasurive publike. Dy kontrata të tipit “1 euro” të miratuara me VKM i japin grupit të drejtën e përdorimit për periudha afatgjata të sipërfaqeve në zonën e Limionit në Sarandë, përfshirë ambiente portuale dhe sipërfaqe të mëdha tokësore. Po ashtu, projekti “Marina Limion” dhe marrëveshje PPP në të njëjtën zonë tregojnë ndërthurje të drejtpërdrejtë me infrastrukturën publike.

Në turizëm dhe zhvillim rezidencial, grupi rezulton i përfshirë në projekte të mëdha si “San Pietro” dhe “Gone Perivol”, të dyja me status investitori strategjik, si dhe në zhvillime të tjera si “Arameras” në Ksamil dhe “Marina of Orikum”, që kombinojnë funksione turistike, portuale dhe rezidenciale. Këto projekte varen drejtpërdrejt nga lejet, statuset dhe vendimmarrja administrative.

Sa i përket medias A2, nën pronësi të grupit të vëllezërve Ulaj (G2 Media sh.p.k.), rezulton përfituese nga fondet publike në vlerën rreth 9.8 milionë lekë, duke treguar ekspozim të kufizuar të medias në raport me aktivitetet e tjera të grupit.

Shtrirja e licencave televizive në Shqipëri (2025)
Credits: Qendra Res Publica – Shtrirja e licencave televizive në Shqipëri (2025)

Portofoli përfshin projekte PPP dhe koncesione në infrastrukturë rrugore dhe urbane si Milot-Thumanë, Thumanë-Fushë-Krujë-Vorë-Kashar, Parkimi “Sheshi Italia”, si dhe projekte në energji dhe hidrocentrale përmes shoqërive SPV. Po ashtu, grupi është i pranishëm në zhvillim urban dhe turizëm, ku lejet dhe vendimmarrja publike kanë peshë të drejtpërdrejtë.

A2 përbën një komponent mediatik brenda një strukture të gjerë ekonomike me ekspozim të lartë ndaj shtetit, çka e bën të rëndësishëm monitorimin e marrëdhënies mes interesave biznesore dhe medias.

Problemi nuk është se pronarët e mediave kanë biznese të tjera, por se këto biznese përfitojnë nga vendimmarrje shtetërore, prona publike, procedura preferenciale apo mbështetje financiare. Në një treg të vogël si ai shqiptar, kjo krijon një sistem ku mbijetesa ekonomike dhe raporti me pushtetin politik mund të ndërthuren.

Përpos këtyre fakteve të cilat nxisin dyshime për krijim të një marrëdhënieje varësie, gjithashtu edhe kompensimet financiare që shteti ka dhënë për operatorët audiovizivë gjatë tranzicionit drejt transmetimeve numerike, nxisin të njëjtin dyshim.

Përmes VKM-ve dhe ligjeve të miratuara ndër vite, miliona euro janë shpërndarë për operatorë kombëtarë si TV Klan, Top Channel, Vizion Plus, DigitAlb dhe Tring, me argumentin e mbulimit të kostove teknologjike.

“VKM nr. 240/2019 miratoi kriteret për një skemë kompensimi të lidhur me kalimin në transmetimet numerike dhe lirimin e frekuencave të digjital-dividentit. Vendimi parashikon një fond total prej 4 milionë euro, të ndarë në dy komponentë. Komponenti i parë 2 milionë euro për “operatorët me eksperiencë në transmetimet numerike” (që janë Digit-Alb dhe Tring i operuar në atë kohë nga Mediavizion) dhe 2 milionë euro për “operatorët privatë historikë kombëtarë” që përfshin Tv Klan, Top Channel dhe Vizion Plus.” – thuhet në gjetjet e ResPubica-s.

Raporti pranon se tranzicioni teknologjik ka sjellë kosto reale për transmetuesit, por ngre pyetjen se sa transparente dhe proporcionale kanë qenë këto skema kompensimi, sidomos kur përfituesit janë pikërisht aktorët dominues të tregut mediatik.

Presioni ndaj medias nuk vjen gjithmonë përmes telefonatave, kërcënimeve apo censurës së hapur, ai mund të ndërtohet në heshtje, përmes lejeve, kontratave, statusit strategjik, tokës publike dhe miliona eurove që krijojnë një marrëdhënie varësie, pavarësisht se rolet e pushteteve jane të ndara dhe fiksuara për funksionet e tyre.

Media është një hapësirë ku prodhohet e vërteta që shoqëria pranon si të tillë. Ajo përcakton jo vetëm çfarë dimë, por edhe mënyrën se si mendojmë, si reagojmë dhe si veprojmë. Në këtë kuptim, media nuk informon vetëm publikun por orienton debatin publik dhe ndikon mbi vetë ndërgjegjen kolektive.

Vjolanda Peca
+ posts

Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.