Këshilli i Medias i shqetësuar për rritjen e presionit politik ndaj medias

Këshilli Shqiptar i Medias kërkon përmbajtje nga aktorët politikë dhe respektim të rolit të medias, duke theksuar se shqetësimet etike duhet të adresohen përmes mekanizmave të vetërregullimit dhe jo përmes sulmeve publike.

271
Presioni ndaj medias
Credits: ResPublika - Presioni ndaj medias

Këshilli Shqiptar i Medias ka ngritur shqetësimin për rritjen e rasteve të presionit ndaj gazetarëve dhe gazetarisë investigative në vend, duke theksuar se sulmet dhe aludimet e pabazuara rrezikojnë të cenojnë integritetin profesional dhe të kufizojnë lirinë e medias.

Sipas KShM, çdo përpjekje për të delegjitimuar punën e gazetarëve përmes deklaratave publike të pambështetura në fakte përbën një formë presioni të papranueshme në një shoqëri demokratike.

Në këtë kontekst, reagimi i Këshillit vjen edhe pas deklaratave publike të bëra ndaj gazetares investigative Lindita Çela, të cilat janë cilësuar si shembull i këtij lloj presioni ndaj medias.

Organizata mediatike thekson se sulme të tilla nominale dhe akuzat e pambështetura në fakte përbëjnë përpjekje për të cenuar integritetin profesional të gazetarëve dhe për të delegjitimuar punën e tyre.

“Sulmet, akuzat dhe aludimet e pabazuara në fakte, sikurse dhe përpjekjet për të cënuar integritetin profesional të një gazetareje pa ofruar fakte, përbëjnë thjesht një presion ndaj gazetarëve dhe tentativë për të delegjitimuar gazetarinë profesionale, çka është i papranueshëm në një shoqëri demokratike.” thuhet në deklaratë.

Këshilli Shqiptar i Medias i është bashkuar gjithashtu thirrjes së Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, duke kërkuar nga aktorët politikë dhe publikë të tregojnë përmbajtje në gjuhën publike dhe të respektojnë rolin e medias në informimin e publikut dhe garantimin e llogaridhënies demokratike.

Debati mbi deklaratat publike ndaj gazetares Lindita Çela vjen në një moment kur çështjet që lidhen me raportin mes pushtetit dhe medias janë rikthyer në qendër të vëmendjes publike.

Në javët e fundit në diskursin profesional e publik është theksuar gjithnjë e më shumë shqetësimi për mënyrën se si gjuha politike dhe zhvillimet institucionale mund të ndikojnë në ushtrimin e lirë të gazetarisë investigative në Shqipëri.

Një vendim i Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë ka ngritur debat të gjerë në komunitetin e medias, pasi urdhëroi fshirjen e artikujve të publikuar nga të paktën 10 media online përpara se çështja të shqyrtohej në themel dhe pa praninë e palëve në seancë.

Vendimi u mor pas një padie të ngritur nga biznesmeni Dionis Teqja, i cili kundërshtoi raportime mediatike ku identifikohej si “i shpallur në kërkim”, ndërsa çështja në fjalë lidhej me një procedurë civile/tregtare dhe jo penale.

Ajo që ka ngritur shqetësimin më të madh mes organizatave të medias dhe ekspertëve të ligjit nuk është vetëm ekzistenca e padisë, por mënyra si ndërhyri gjykata, pasi urdhri nuk kërkonte korrigjimin apo përgënjeshtrimin e informacionit të publikuar, por heqjen e plotë të materialeve dhe bllokimin e aksesit publik ndaj tyre deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

Ekspertë të medias e kanë konsideruar këtë një precendent të pazakontë për praktikën shqiptare dhe kanë paralajmëruar se raste të tilla mund të krijojnë klimë autocensure në redaksi, ku mediat shmangin publikimin e investigimeve apo raportimeve sensitive nga frika e padive të kushtueshme apo urdhrave për heqje të mënjëhershme të përmbajtjes.

Ndërkohë edhe Raportet ndërkombëtare për lirinë e medias kanë evidentuar gjithashtu përkeqësim të klimës për gazetarinë në Shqipëri. Sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa kufinj” vlerësimet tregojnë rënie të vendit në renditjen globale për lirinë e shtypit, duke e renditur Shqipërinë në vend të 80 nga 180 vende të botës, ndërsa në raport ngrihen shqetësime për presionin politik dhe ekonomik ndaj mediave, mbrojtjen e pamjaftueshme të burimeve gazetareske dhe kufizimet në raportimin mbi çështje me interes publik.

Xhesika Tollia
+ posts

Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.

Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.