Sulmet ndaj gazetarëve rikthejnë debatin për lirinë e medias në Shqipëri

Reagimet e organizatave të medias dhe aktivistëve të shoqërisë civile pas deklaratave të Monika Kryemadhit ngrenë shqetësime për presionin ndaj gazetarisë investigative dhe përpjekjet për të cenuar besueshmërinë e mediave të pavarura.

300
Liria shprehjes
Credits: Respublika - Liria shprehjes

Organizatat e medias, asosacionet e gazetarëve dhe aktivistë të mbrojtjes së lirisë së shprehjes kanë ngritur shqetësime pas deklaratatave publike të bëra nga Monika Kryemadhi, në të cilat ajo përmendi gazetaren investigative Lindita Çela.

Gjatë një emisioni televiziv ku po diskutohej përballja e Kryemadhit dhe e ish-bashkëshortit Ilir Meta, njëkohësisht një prej figurave që ka mbajtur postet më të larta në hierarkinë shtetërore në vend, me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsioni dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Kryemadhi riktheu në vëmendje një shkrim të Çelës të publikuar rreth një dekadë më parë.

“Historia e CEZ-DIA-s ka filluar nëpërmjet një shkrimi që është bërë nga Lindita Çela të cilin e ka marrë nga Lulzim Basha si shkrim” deklaroi Kryemadhi.

Kjo deklaratë ka sjellë reagimin e organizatave të medias dhe asociacioneve të gazetarëve, që e kanë interpretuar situatën si një tjetër rast të presionit ndaj gazetarisë së pavarur.

Zërat e shoqërisë civile e shohin gjuhën e përdorur ndaj gazetares investigative jo si një përplasje personale apo reagim i izoluar, por si një alarm për mënyrën se si tentohet të vihet në dyshim besueshmëria e medias dhe puna e atyre që raportojnë mbi pushtetin.

“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë shpreh shqetësim për deklaratat publike të znj. Monika Kryemadhi ndaj gazetares Lindita Çela, të cilat cënojnë integritetin profesional të saj dhe përpiqen të vendosin në dyshim punën gazetareske përmes aludimeve të pambështetura”, thuhet në reagimin e AGSH-së.

Asociacioni thekson gjithashtu se “gazetarët nuk mund dhe nuk duhet të bëhen shënjestër e sulmeve personale apo politike për shkak të raportimeve të tyre, veçanërisht kur këto raportime lidhen me çështje të korrupsionit, krimit të organizuar apo proceseve gjyqësore me interes të lartë publik”.

Nga ana tjetër, në reagimin e saj publik, Lindita Çela theksoi se sulmet ndaj gazetarëve investigativë janë një kosto e pashmangshme që shpesh shoqëron raportimin mbi korrupsionin dhe figurat me pushtet, duke shtuar se këto përpjekje nuk mbeten vetëm në nivel personal, por synojnë edhe të cenojnë besueshmërinë e medias që ajo drejton, e cila sipas saj mbështetet tërësisht te besimi i publikut për të ushtruar gazetari të pavarur.

“Këto sulme nuk prekin vetëm mua personalisht. Ato mund të ndikojnë edhe te vetë “shteg.org”, sepse kur vihet në dyshim integriteti i një gazetari, synimi shpesh është të goditet besueshmëria e medias ku ai punon. Për media të vogla dhe të pavarura si “shteg.org”, besimi i publikut është gjithçka. Dhe kur politikanët përdorin ekranet televizive për të krijuar dyshime apo narrativa të pavërteta, kjo mund të ndikojë te marrëdhënia me lexuesit, partnerët apo edhe te mundësia për të vazhduar të bësh gazetari të pavarur me të njëjtën forcë. Kjo është arsyeja pse sulme të tilla nuk duhen parë thjesht si debate personale, por edhe si forma presioni ndaj medias së lirë.” tha ajo.

Në të njëjtën linjë reagoi dhe Blerjana Bino, Drejtore Ekzekutive e SCiDEV dhe kërkuese e Rrjetit SafeJournalists Network të Ballkanit Perëndimor.

“Natyrisht, solidarizohem me Lindita Çelën dhe gazetarët e tjerë që bëjnë gazetari në interes të publikut. Përpjekjet për ta paraqitur gazetarinë investigative profesionale si sulm politik apo si veprim të porositur janë një mënyrë për të shmangur thelbin e çështjeve që raportohen dhe për të zhvendosur presionin te gazetarët”, deklaroi Bino.

Ajo theksoi në qëndrimin e saj se përpjekjet të tilla që synojnë intimidimin e gazetarëve nuk i shërbejnë debatit publik dhe as llogaridhënies.

“Është shumë e rëndësishme që gazetarët të kenë hapësirën dhe sigurinë për të bërë punën e tyre, sidomos kur raportojnë mbi çështje me interes publik, mbi abuzimin me pushtetin apo mbi procese që kërkojnë transparencë dhe llogaridhënie”, shtoi Blerjana Bino.

Xhesika Tollia
+ posts

Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.

Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.