Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar tre persona të akuzuar për trafikim emigrantësh, falsifikim dokumentesh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, pas një procesi gjyqësor që zgjati rreth shtatë muaj.
Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Besmir Stroka, Flojera Davidhi dhe Elsa Ulliri shpalli fajtorë Luc Melaj, Emanuel Melaj dhe Gëzim Camaj.
Sipas vendimit të Gjykatës, Luc Melaj u gjet fajtor për veprat penale “Grup i strukturuar kriminal”, “Falsifikim dokumentesh”, “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municionit”. Fillimisht ai u dënua me 12 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar përfitoi ulje dënimi dhe u dënua përfundimisht me 8 vite burgim. Dënimi do të vuhet në një burg të sigurisë së lartë dhe llogaritet nga data e arrestimit të tij më 22 korrik 2024.
Ndërkohë, Emanuel Melaj dhe Gëzim Camaj u dënuan secili me nga 4 vite burg pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar. Megjithatë, Gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vendosjen e tyre në shërbim prove për një periudhë trevjeçare.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, grupi kriminal i drejtuar nga Luc Melaj ka ndihmuar 25 shtetas shqiptarë të hyjnë në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke ndjekur itinerarin Shqipëri–Spanjë–Meksikë–SHBA. Hetimet treguan se anëtarët e grupit përdornin dokumente të falsifikuara, kryesisht franceze, ndërsa për çdo person përfitonin pagesa nga 40 deri në 45 mijë dollarë.
Personat e trafikuar ishin kryesisht nga veriu i Shqipërisë, konkretisht nga Malësia e Madhe, Shkodra, Lezha dhe Tropoja, shumë prej tyre me lidhje familjare me emigrantë që jetojnë në SHBA.
Sipas hetimeve, Luc Melaj dhe Gëzim Camaj organizonin kalimin e qytetarëve nëpërmjet Malit të Zi, ndërsa aktiviteti kriminal ishte i mirëorganizuar dhe i ndarë në role të përcaktuara për secilin anëtar të grupit.
Gjykata e Posaçme njoftoi gjithashtu se, nëse vendimi merr formë të prerë në Apel, pasuritë e konfiskuara më herët ndaj anëtarëve të grupit kriminal do të kalojnë në favor të shtetit.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.



























