Mbetje spitalore në korridore dhe mungesë standardesh në spitalet e vendit

Inspektimet e ISHSH gjatë vitit 2025 zbulojnë mangësi në menaxhimin e mbetjeve, kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare dhe mungesë dokumentacioni në institucionet shëndetësore publike dhe private.

327
Mbetjet Spitalore
Credits: shteg.org - Mbetjet Spitalore/Ilustrim

Gjatë vitit 2025, kontrollet e kryera në spitale, qendra shëndetësore dhe klinika dentare në të gjithë vendin kanë nxjerrë në pah një sërë problematikash që prekin drejtpërdrejt kushtet e trajtimit të pacientëve dhe sigurinë shëndetësore.

Në terren, inspektorët janë përballur me pavijone që nuk plotësojnë standardet bazë të higjienës, mungesë të ujit të rrjedhshëm dhe raste kur dokumentacioni i subjekteve rezulton i paplotë ose i parregullt.

Sipas të dhënave të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, gjatë vitit 2025 janë kryer 4,993 inspektime shëndetësore në institucionet publike dhe private, nga të cilat 4,882 ishin inspektime dhe 111 ri-inspektime. Në përfundim të kontrolleve janë vendosur 13 gjoba, 11 vendime të ndërmjetme për masa urgjente dhe 296 paralajmërime, duke reflektuar shkelje të përsëritura në disa kategori shërbimesh.

Një nga gjetjet më shqetësuese lidhet me menaxhimin e mbetjeve spitalore. Raporti evidenton raste kur mbetjet e rrezikshme janë grumbulluar në korridore dhe tualete, madje edhe në të njëjtën hapësirë me mbetjet urbane dhe materialet e pastrimit. Në disa spitale është konstatuar mungesë infrastrukture për transportimin dhe magazinimin e tyre, si dhe mosrespektim i procedurave për ndarjen në burim dhe etiketimin e mbetjeve.

“Grumbullimi i mbetjeve spitalore në pikën provizore kryhej në kundërshtim me kriteret e përcaktuara, në ambiente të papërshtatshme, korridore dhe në tualet në të njëjtën hapësirë ku depozitohen dhe mbetjet urbane dhe setet e pastrimit. Nuk respektohej me korrektësi procedura për ndarjen në burim, etiketimin dhe regjistrimin e mbetjeve spitalore.” – thuhet në raport.

Gjetjet tregojnë se “magazinimi i mbetjeve spitalore në vend grumbullimin e përkohshëm brenda territorit të spitalit kryhej jashtë çdo standardi, në kushte të papërshtatshme dhe në kundërshtim me kriteret e përcaktuara.”

Problemi shoqërohet edhe me mungesë trajnimi të personelit dhe mungesë të pajisjeve mbrojtëse për punonjësit që merren me trajtimin e mbetjeve spitalore, duke rritur rrezikun për ekspozim ndaj materialeve të rrezikshme.

“Ka mangësi në lidhje me trajnimin e personelit që merret me trajtimin e mbetjeve spitalore.”

“Mangësi në infrastrukturën për transportimin e mbetjeve spitalore nga pika provizore e grumbullimit deri në pikën qendrore të grumbullimit dhe magazinimit. Punonjësit e shërbimit të trajtimit të mbetjeve spitalore (hidroklava) nuk ishin të pajisur me veshjet dhe masat mbrojtëse specifike sipas kritereve të përcaktuara.” – theksohet në raport.

Përtej kësaj, inspektimet kanë evidentuar mangësi në organizimin e shërbimeve spitalore, përfshirë pavijone që nuk respektojnë sipërfaqen minimale për pacientët dhe ambiente urgjence që vetëm pjesërisht përmbushin standardet higjieno-sanitare. Në disa institucione, mungojnë gjithashtu protokollet dhe rregulloret e brendshme të funksionimit.

Në kujdesin shëndetësor parësor situata paraqitet po ashtu problematike, me raste të mungesës së ujit të rrjedhshëm, amortizimit të infrastrukturës elektrike, mungesës së pajisjeve bazë mjekësore dhe kontratave për evadimin e mbetjeve. Në tërësi, raporti i vitit 2025 tregon një sistem ku standardet higjieno-sanitare mbeten ende të paqëndrueshme në disa segmente të rëndësishme të shërbimit shëndetësor.

Mbetje spitalore të grumbulluara në korridore dhe tualete, pavijone që nuk plotësojnë standardet bazë të higjienës, mungesë ujit të rrjedhshëm dhe klinika që operojnë me dokumentacion të paplotë.

Të dhënat e marra nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor tregojnë se gjatë vitit 2025 u kryen mijëra inspektime në institucionet publike dhe private të kujdesit shëndetësor, ku ndër problematikat më të forta rezulton menaxhimi i mbetjeve spitalore. Në disa raste, mbetjet e rrezikshme ruheshin në ambiente të papërshtatshme, në korridore apo tualete, madje në të njëjtën hapësirë me mbetjet urbane dhe pajisjet e pastrimit.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.