Kur shpresa e pacientëve me kancer kthehet në pazar

Prokuroria e Tiranës dërgon për gjykim drejtues dhe staf të QSUT-së, si dhe një administrator privat, nën akuzat për shpërdorim detyre, fshehje të ardhurash dhe kontrabandë barnash, mes dyshimeve për orientim të pacientëve drejt klinikave private dhe mungesë shërbimi në sistemin publik.

329
Pacientë në QSUT, ilustrim
Credits: shteg.org - Pacientë në QSUT/Ilustrim

Në korridoret e Qendrës Spitalore Universitare Tiranë, aty ku çdo ditë dhjetëra pacientë kërkojnë shpresë për jetën, hetimet e Prokurorisë së Tiranës kanë zbuluar një realitet që ngre pikëpyetje të forta mbi funksionimin e sistemit publik shëndetësor.

Gjashtë persona, drejtues, mjekë, specialistë dhe një administrator privat janë dërguar për gjykim nën akuza që variojnë nga shpërdorimi i detyrës te fshehja e të ardhurave dhe kontrabanda e barnave.

Sipas organit të akuzës, në QSUT ekistonte një skemë e mirëorganizuar, ku pacientët me sëmundje tumorale nuk merrnin shërbimin e duhur në kohë në spitalin publik, por orientoheshin drejt klinikave private.

“Hetimet arritën të dokumentojnë raste ku pacientëve të ndryshëm, pasi nuk i jepej trajtimi i duhur mjekësor orientoheshin në klinikat private ku kundrejt tarifave të fryra kryheshin shërbime dhe ndërhyrje kirurgjikale të cilat duhet t’i jepeshin falas nga mjekët e spitalit onkologjik pranë QSUNT” – thuhet në njoftimin për shtyp ku rastet përshkruhen si një mekanizëm të përsëritur.

Pacientët që paraqiteshin në Spitalin Onkologjik përballeshin me vonesa apo mungesë shërbimi, ndërsa në mënyrë të tërthortë apo të drejtpërdrejtë, u sugjerohej trajtimi në privat, kundrejt tarifave të larta. Shërbime që, sipas ligjit, duhet të ofroheshin falas në sistemin publik.

Në këtë skemë, roli i koordinatorit Emiljano Lela konsiderohet kyç. Sipas Prokurorisë, ai ndërhynte në listat e pritjes, përzgjidhte pacientë dhe i orientonte drejt klinikave private, duke përfituar financiarisht nga ky proces. Në të njëjtën linjë, edhe administratorja Alketa Pere akuzohet se ka tejkaluar kompetencat, duke dërguar pacientë jashtë sistemit publik në kundërshtim me rregullat.

Por një nga elementët më shqetësues të hetimit lidhet me një pajisje jetike për trajtimin e kancerit: aparaturën e kobaltit. E sjellë në Shqipëri që në vitin 2021, ajo nuk u vu kurrë në funksion.

“Ky aparat ka mbërritur në Shqipëri nuk është në shfrytëzim por është lënë në kushte të papërshtatshme duke u bërë burim rreziku ndaj vetë personelit mjekësor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që emëton” sqaron prokuroria.

Mungesa e një bunkeri të specializuar antiradioaktiv dhe instalimi në kushte të papërshtatshme jo vetëm që e bëri të papërdorshme, por krijoi edhe rrezik për stafin mjekësor. Për këtë situatë, përgjegjësi i atribuohet edhe zv.drejtoreshës Brikena Qirjazi, e cila dyshohet se nuk ndërmori masat e nevojshme për funksionalizimin e saj.

“Ajo nuk ka marrë masa për vënien në funksion të kësaj pajisjeje, duke bërë që pacientëve të mos u ofrohej në kohë shërbimi i nevojshëm mjekësor. Për pasojë, pacientëve nuk u është dhënë mundësia e zgjedhjes së metodës së trajtimit, duke u kufizuar vetëm në një alternativë të vetme trajtimi. Sa më sipër, rezulton e provuar se e pandehura Brikena Qirjazi ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” – vijon njoftimi.

Hetimi nuk ndalet vetëm brenda mureve të spitalit publik. Në sektorin privat, administratori i një klinike, Halil Gashi, akuzohet për fshehje të ardhurash, përmes mungesës së faturimit dhe lejimit të punës së paregjistruar të mjekëve. Ndërkohë, Florian Marku përballet me akuza për tregtim të barnave kontrabandë, përfshirë një medikament pa pullë identifikuese dhe me të dhëna të dëmtuara.

Çështja kishte kaluar fillimisht për verifikim në Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, por më pas u rikthye në juridiksionin e Prokurorisë së Tiranës, ndërsa hetimet vijojnë të ndara për një mjek tjetër të dyshuar për korrupsion pasiv.

Sipas Prokurorisë, kjo skemë ka prodhuar një dëm të drejtpërdrejtë për pacientët: vonesa në trajtim, mungesë alternativash dhe detyrim për të paguar shërbime të kushtueshme jashtë sistemit publik.

Vjolanda Peca
+ posts

Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.