Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar zhvilloi të enjten seancën e radhës në procesin gjyqësor ndaj kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, dhe ish-deputetes Monika Kryemadhi, ku mbrojtja kundërshtoi provat e paraqitura nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe kërkoi kryerjen e një ekspertize të re kontabël.
Meta dhe Kryemadhi, të cilët akuzohen nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, ishin të pranishëm në sallën e gjyqit. Meta u përfaqësua nga avokati Bujar Musta, pas vendimit të tij për të ndryshuar përfaqësimin ligjor dhe për të revokuar avokatin e mëparshëm Kujtim Cakrani.
Gjatë seancës, Meta pretendoi se mbrojtja nuk kishte pasur akses në të gjitha aktet e dosjes hetimore dhe se kjo kishte ndikuar në përgatitjen e mbrojtjes.
“Nuk më janë vënë në dispozicion të gjitha aktet me qëllim që procesi të zhvillohet në një kohë sa më të shpejtë”, deklaroi Meta.
Gjykata tha se materialet e çështjes kishin qenë të disponueshme prej kohësh dhe se, sipas saj, avokati i mëparshëm i mbrojtjes kishte refuzuar t’i merrte.
Çështja ndaj Metës dhe Kryemadhit është ndarë nga procedimi penal ndaj tre personave të tjerë, Fatime Kryemadhit, Pirro Xhixhos dhe Ema Çokut. Ndërsa Meta dhe Kryemadhi do të gjykohen me procedurë të zakonshme, tre të pandehurit e tjerë kanë zgjedhur gjykimin e shkurtuar.
Mbrojtja kërkon ekspertizë të re financiare
Avokati i Monikës Kryemadhi, Redi Llanaj, kërkoi që gjykata të urdhërojë një akt-ekspertimi të ri kontabël për të analizuar të ardhurat dhe pasurinë e çiftit Meta–Kryemadhi ndër vite.
Sipas mbrojtjes, ekspertiza e përdorur nga SPAK është e njëanshme dhe nuk mund të shërbejë si provë e vlefshme në proces.
“Ky akt, për ne, është totalisht i njëanshëm dhe duhet të konsiderohet i papërdorshëm. Ne kemi paraqitur një akt-ekspertim që e kundërshton këtë akt. Ky është momenti për të caktuar një ekspert të pavarur ose një grup ekspertësh”, tha Llanaj.
Avokati pretendoi gjithashtu se çështja ndaj Kryemadhit nuk ka bazë penale dhe se hetimi ka karakter politik. SPAK ka deklaruar më herët se hetimi është zhvilluar mbi bazën e provave të administruara dhe në përputhje me procedurat ligjore.
Gjatë debatit në sallën e gjyqit, gjyqtari Erion Bani i kërkoi avokatit të ruante gjuhën e përshtatshme për një proces gjyqësor. Llanaj sqaroi se disa prej shprehjeve të përdorura prej tij kishin pasur kuptimin e “instrumentit” dhe jo të një fyerjeje.
Kundërshtime për provat elektronike dhe dëshmitarë të rinj
Mbrojtja e Kryemadhit kërkoi gjithashtu që gjykata të shpallë të papërdorshme të dhënat dhe tabulatet e marra nga telefoni i saj celular gjatë hetimeve.
Kryemadhi pretendoi se sekuestrimi i pajisjes ishte kryer në mënyrë të paligjshme, pasi në atë periudhë ajo mbante mandatin e deputetes dhe, sipas saj, nuk ishin respektuar procedurat për marrjen e provave.
Sipas SPAK, nga të dhënat e administruara gjatë hetimit rezultojnë komunikime që lidhen me një marrëveshje mes kompanisë UNIFI dhe Vodafone Albania.
Mbrojtja kërkoi marrjen në pyetje të Adrian Shatkut përmes letërporosisë, duke pretenduar se dëshmia e tij mund të ndihmojë në sqarimin e rolit të Kryemadhit në këtë marrëveshje.
Avokati Llanaj kërkoi gjithashtu dëshminë e një shtetasi afrikano-jugor, i cili, sipas tij, mund të sqarojë rrethanat e negociatave dhe nëse Kryemadhi kishte kompetenca reale për të ndërhyrë në proces.
Në listën e personave që mbrojtja kërkoi të dëgjohen janë edhe disa zyrtarë e ish-zyrtarë, mes tyre kryeministri Edi Rama dhe ish-ministri i Energjisë Damian Gjiknuri.
Gjykata pritet të shqyrtojë në vijim kërkesat e palëve për administrimin e provave dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve të propozuar.
Procesi ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit vijon, ndërsa palët debatojnë mbi vlefshmërinë e provave dhe mënyrën e administrimit të tyre në gjykatë.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.


























