Trafikuan mbi dy tonë drogë, arrestohet Emiljan Burba, i dyshuar si “koka” e grupit

Prokuroria e Posaçme dokumentoi rrugët e trafikut nga Shqipëria, Mali i Zi, Turqia dhe Amerika e Jugut, ndërsa hetimi mbetet i hapur.

10
Arrestimet nga SPAK/Ilustrim
Credits: shteg.org - Arrestimet nga SPAK/Ilustrim

Autoritetet shqiptare kanë arrestuar një nga personat që Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) e konsideron si një prej drejtuesve të dyshuar të një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike, në një hetim që shtrihet në disa vende të Evropës dhe Amerikës Latine.

Emiljan Burba u arrestua më 6 korrik pas një urdhri të Gjykatës së Posaçme, e cila caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”. Sipas SPAK, hetimi ka zbardhur një seri operacionesh të dyshuara të trafikut të drogës, që përfshijnë rrugë nga Shqipëria drejt Malit të Zi, Turqisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian, si edhe transportime nga Amerika e Jugut drejt Evropës.

Prokuroria e Posaçme deklaroi se procedimi penal, i regjistruar në janar të vitit 2024, është zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare të drejtësisë, Policinë Kriminale, Byronë Kombëtare të Hetimit, si dhe me mbështetjen e agjencive evropiane Eurojust dhe Europol.

Sipas hetuesve, një pjesë e rëndësishme e provave është siguruar përmes analizimit të komunikimeve në platformën e enkriptuar Sky ECC, të cilat janë administruar nga autoritetet franceze në kuadër të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.

SPAK thotë se hetimet kanë dokumentuar tri episode konkrete të trafikut ndërkombëtar të drogës.

Në nëntor të vitit 2020, autoritetet malazeze sekuestruan 1,722 kilogramë marijuanë, e cila dyshohet se ishte nisur nga Shqipëria me destinacion final Gjermaninë.

Dy muaj më vonë, në janar 2021, autoritetet turke sekuestruan 236 kilogramë marijuanë të transportuar nga Shqipëria drejt Turqisë.

Një tjetër episod i hetuar lidhet me sekuestrimin e 475 kilogramëve kokainë në Portin e Vlissingen në Holandë, më 23 nëntor 2020. Sipas SPAK, ngarkesa kishte ardhur nga Ekuadori dhe ishte destinuar për tregjet evropiane.

Në total, këto episode përbëjnë rreth 2.4 tonë lëndë narkotike, të sekuestruar nga autoritetet në vende të ndryshme.

Emri i Emiljan Burbës është përmendur nga autoritetet si pjesë e një rrjeti më të gjerë bashkëpunëtorësh kriminalë. Sipas burimeve të hetimit të bëra publike nga SPAK, ai dyshohet se ka pasur bashkëpunim me anëtarë të fisit Rraja, një grup që është hetuar dhe goditur më herët nga institucionet shqiptare të drejtësisë.

SPAK nuk ka deklaruar përfundimin e hetimit dhe thekson se personat e përfshirë janë nën hetim, ndërsa provat dhe rolet individuale të secilit do të vlerësohen gjatë procedurave gjyqësore.

Nga analiza e të dhënave hetimore, prokuroria ka identifikuar fillimisht 14 persona të dyshuar për përfshirje në aktivitetet e grupit. Ndaj disa prej tyre janë marrë më herët masa sigurie.

Sipas SPAK, Burba dyshohet se ka pasur një rol drejtues, veçanërisht në episodin që lidhet me transportin e drogës drejt Turqisë.

Emiljano Burba njihet si miku i Aldo Bares dhe në shkurt të këtij viti iu sekuestruan dy resorte në vlerë 3 milionë euro, të cilat dyshohet se vinin nga veprimtaria kriminale e 55-vjeçarit të dënuar në Itali me 21 vjet burgim për trafik droge. Gjykata sekuestroi konkretisht 2 ndërtesa (resorte) në Sarandë, 1 automjet (kamion) dhe 1 rimorkio.

Emri i 55-vjeçarit u mësua pikërisht 9 vite më parë, teksa një njoftim i policisë bënte me dije se ishte arrestuar për qëllime ekstradimi. Burba, në kohën kur pretendohej se kishte konsumuar veprën penale, që daton nga një operacion i forcave të policisë italiane në vitin e largët 2006, konsiderohej si krahu i djathtë i Aldo Bares, por më pas Gjykata e Torinos nuk mundi ta mbante në qeli.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.