Trajtimi çnjerëzor nga policia nuk justifikohet nga asnjë interes publik dhe duhet të hetohet si krim, ndërsa dhuna e disa individëve nuk e delegjitimon protestën dhe nuk e kthen atë në një protestë të dhunshme.
Pamjet e një qytetari të shtrirë përtokë dje para Kuvendit, që goditet me shkop gome, zvarritja e të tjerëve dhe përdorimi pa dallim i gazit lotsjellës dhe i sprajit djegës nuk mund të relativizohen me shprehjen “policia po ruante rendin”. Këto veprime duhet të hetohen penalisht.
Kur një person është neutralizuar, pra është shtrirë përtokë, nuk paraqet rrezik ose po përpiqet të largohet, çdo forcë e përdorur cenon integritetin fizik dhe dinjitetin njerëzor. Në të drejtën penale, kjo nuk është thjesht “teprim”. Mund të përbëjë trajtim çnjerëzor ose poshtërues.
Për kulturë juridike, ndalimi i torturës dhe i trajtimit çnjerëzor ose poshtërues është i vetmi ndalim absolut. As e drejta e jetës nuk e ka këtë atribut. Në kuptimin e Kushtetutës dhe të Konventës Evropiane, njihen raste, natyrisht tepër të kufizuara, kur përdorimi i forcës vdekjeprurëse mund të konsiderohet i justifikuar. Por as lufta, as emergjenca, as ruajtja e rendit publik, as dhuna e protestuesve dhe asnjë interes tjetër publik nuk mund të justifikojnë trajtimin çnjerëzor. Dhuna policore ndaj qytetarit dje ishte trajtim çnjerëzor.
Nëse Prokuroria do të vazhdojë të mbajë akuza penale ndaj protestuesve, por nuk do të ngrejë akuza dhe nuk do të zhvillojë një hetim efektiv për dhunën e policisë, atëherë ajo nuk po qëndron mes qytetarit dhe pushtetit. Po bëhet palë me një pushtet tashmë të delegjitimuar.
Nga ana tjetër, disa individë mund të penalizohen sepse kanë tejkaluar kufijtë e protestës me dhunë. Disa të tjerë mund të bëhen shembull pa të drejtë, me akuza të renditura teorikisht, por të paprovuara konkretisht ndaj secilit (pesë akuza, p.sh., që i ishin ngarkuar një të arrestuari dje – kazus për eksperiment). Përgjegjësia penale është individuale. Dhuna e një personi nuk “infekton” protestën dhe nuk e bën të dhunshëm çdo qytetar që ndodhej aty.
Por dhuna policore ka një rëndesë tjetër. Ajo ushtrohet nga shteti, nga njerëz të pajisur me forcë dhe autoritet nga ligji, të trajnuar dhe të ngarkuar pikërisht për të mbrojtur qytetarin. Kur policia përdor forcën për të ndëshkuar, dhe jo për të neutralizuar një rrezik real, ajo cenon jo vetëm trupin e një personi, por vetë kufirin që ndan shtetin ligjor nga arbitrariteti.
Dhuna e disa individëve kërkon përgjegjësi individuale. Dhuna e shtetit kërkon përgjegjësi shtetërore dhe penale. Njëra nuk mund të përdoret për të fshehur tjetrën.
Ne, qytetarët, nuk dolëm në rrugë për kapriço. Për më shumë se 30 ditë kërkuam të dëgjohej zëri ynë. Përgjigjja nuk mund të jetë gazi lotsjellës, spraji djegës dhe shkopi i gomës mbi një trup të shtrirë përtokë, edhe nëse digjej apo prishej një makinë, aq më tepër nëse u bllokua një nga hyrjet e Kuvendit, e aq më tepër edhe nëse u hodhën vezë e gjizë ndaj makinave të deputetëve. Këto të fundit nuk janë krime dhe janë pjesë e së drejtës së qytetarëve për të protestuar; madje janë në minimumin e revoltës që provokohet çdo ditë nga foltoret e shëmtisë së vetë pushtetit.
Një lajm i mirë është se pushteti ka humbur toruan, përmbajtjen ndaj qytetarëve të vet dhe, bashkë me to, edhe besimin.
Dhe me këtë nuk dua ta ngatërroj mbrojtjen e protestës me mbrojtjen e kujtdo elementi të dhunshëm. Përkundrazi, distancohem qartë nga dhuna ndaj policisë, deputetëve dhe pronës. Por mendoj se elementët e dhunshëm i interesojnë dhe i shërbejnë vetëm pushtetit, Ramës dhe Berishës, sepse e zhvendosin vëmendjen nga arsyeja e protestës, e kriminalizojnë atë në sytë e publikut dhe krijojnë justifikimin për dhunën policore.
Irena Dule është avokate dhe eksperte ligjore e angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, interesit publik dhe shtetit të së drejtës.
Me një eksperiencë të gjatë në çështje administrative, mjedisore dhe të të drejtave të konsumatorëve, ajo ka bashkëpunuar për vite me radhë me organizata të shoqërisë civile, veçanërisht me Qendrën Res Publica, duke përfaqësuar qytetarë dhe grupe interesi në procese gjyqësore kundër institucioneve publike.
Dule njihet për angazhimin e saj në kauza që lidhen me transparencën, llogaridhënien dhe mbrojtjen e interesit publik në Shqipëri.
Po ashtu, ajo ka qenë pjesë e ekipit ligjor që kundërshtoi në gjykatë planifikimin urban të Bashkisë së Tiranës, në një çështje ku gjykata konstatoi shkelje procedurale dhe tejkalim kompetencash nga autoritetet vendore.






















