Qeveria flet për “dezinformim”, ambientalistët sjellin faktet për Zvërnecin

Drejtori i EcoAlbania, Olsi Nika, kundërshton akuzat e mazhorancës, duke argumentuar se shqetësimet për projektin bazohen në prova shkencore, standardet e Bashkimit Evropian dhe shkelje të pretenduara procedurale në zonën e Pishë Poro-Nartë.

19
Olsi Nika drejtor i organizatës Eco Albania
Credits: shteg.org - Olsi Nika drejtor i organizatës Eco Albania

Një shkëmbim komunikimesh mes përfaqësuesve të qeverisë shqiptare dhe anëtarëve të Parlamentit Evropian ka rikthyer në qendër të vëmendjes debatin për projektin në Zvërnec dhe ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura në Shqipëri. Në një email drejtuar eurodeputetëve, Taulant Balla, bashkëkryetar i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri, dhe Bora Muzhaqi, nënkryetare e Komisionit Parlamentar për Çështjet Evropiane dhe Punët e Jashtme, kanë argumentuar se kundërshtimet ndaj projektit bazohen në një “fushatë dezinformimi” dhe kanë kërkuar që të mos mbështeten amendamentet 4 dhe 17 të Raportit për Shqipërinë.

Olsi Nika, drejtor i EcoAlbania, në një intervistë për “Shteg”, e cilëson këtë interpretim si një përpjekje për të delegjitimuar kritikat, duke theksuar se shqetësimet e ngritura bazohen në dokumente, analiza dhe parime të së drejtës evropiane, jo në narrativa politike.

Sipas Nikës, projekti në Zvërnec nuk mund të trajtohet i izoluar nga ekosistemi i gjerë i Nartës dhe Vjosës, pasi ndikimet mjedisore duhen parë në mënyrë kumulative dhe jo vetëm sipas kufijve administrativë. Ai thekson se zona përfaqëson një sistem të ndërlidhur lagunash, ligatinash dhe habitatësh të rëndësishëm për biodiversitetin, ndaj çdo ndërhyrje duhet të vlerësohet në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e natyrës.

Po ashtu, Nika thekson se statusi formal i mbrojtjes së zonës Pishë Poro–Nartë nuk mjafton për të garantuar ruajtjen e saj, pasi ndryshimet ligjore të fundit kanë dobësuar regjimin e mbrojtjes dhe kanë zgjeruar mundësitë për zhvillime turistike.

Sipas një emaili të dërguar anëtarëve të Parlamentit Evropian, kundërshtimi ndaj projektit në Zvërnec cilësohet si rezultat i një “fushate dezinformimi”, ndërsa eurodeputetëve u kërkohet të mos mbështesin amendamentet 4 dhe 17 të Raportit për Shqipërinë. A mendoni se faktet që keni paraqitur janë shtrembëruar?

Prej muajsh po shohim një përpjekje të koordinuar të qeverisë dhe eksponentëve të mazhorancës për të ndërtuar një narrativë sipas së cilës çdo kritikë ndaj ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura është produkt i një “fushate dezinformimi”. Kjo nuk është një përgjigje ndaj shqetësimeve të ngritura; është një përpjekje për t’i delegjitimuar ato që në fillesë. Në vend që të diskutohet për përmbajtjen e argumenteve, synohet të diskreditohen ata që i paraqesin.

Paradoksi është se, ndërsa flitet vazhdimisht për dezinformim, deri më sot nuk është paraqitur asnjë analizë serioze që të provojë se cilat nga faktet tona janë të pavërteta ose të shtrembëruara. Kur argumentet nuk rrëzohen dot me fakte, etiketa e “dezinformimit” përdoret si zëvendësim i debatit. Historia na ka treguar shpesh se ata që ndërtojnë narrativa për të relativizuar faktet janë të parët që akuzojnë të tjerët për dezinformim. Por etiketat nuk i zëvendësojnë provat dhe propaganda nuk mund ta zëvendësojë argumentin.

Amendamentet 4 dhe 17 të Rezolutës së Parlamentit Evropian, të datës 17 qershor 2026, nuk janë produkt i një fushate dezinformimi. Ato pasqyrojnë shqetësime reale dhe të dokumentuara, të ngritura prej kohësh nga organizata të shoqërisë civile, ekspertë të mjedisit dhe aktorë të tjerë të interesuar mbi ndikimin që ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura mund të kenë mbi integritetin e këtyre zonave dhe mbi përputhshmërinë e legjislacionit shqiptar me standardet evropiane. Ne kemi paraqitur dokumente, analiza ligjore dhe argumente të verifikueshme. Deri më sot, këto nuk janë kundërshtuar me prova apo ekspertizë juridike, por vetëm me etiketime politike.

Po aq domethënës është fakti që, në vend të një dialogu të hapur dhe transparent mbi thelbin e amendamenteve, është zgjedhur rruga e komunikimeve politike me eurodeputetët për t’u kërkuar atyre të mos i mbështesin ato. Kjo ngre një pyetje të thjeshtë: nëse amendamentet janë vërtet të pabazuara, pse nuk u kundërshtuan me argumente dhe fakte? Pse u zgjodh të ndërtohej një narrativë mbi “dezinformimin”, në vend që të zhvillohej një debat i ndershëm mbi përmbajtjen e tyre?

Në fund të fundit, nuk është dezinformim të kërkosh që ligjet që prekin pasurinë natyrore të vendit të jenë në përputhje me standardet evropiane. Nuk është dezinformim të kërkosh transparencë, llogaridhënie dhe respektim të shtetit të së drejtës. Përkundrazi, është shqetësuese kur çdo zë kritik tentohet të etiketohet si dezinformues vetëm sepse ngre pyetje, të cilave pushteti nuk dëshiron t’u përgjigjet.

Parlamenti Evropian është një institucion që merr vendime mbi bazën e fakteve, analizave dhe vlerësimeve të pavarura, jo mbi bazën e etiketave politike. Pikërisht për këtë arsye kemi besim se çdo amendament do të vlerësohet mbi meritat e tij dhe jo mbi narrativat që ndërtohen për ta diskredituar.

Autorët e letrës pretendojnë se projekti në Zvërnec nuk ka lidhje me Deltën e Vjosës. A është ky një vlerësim i saktë nga pikëpamja ekologjike dhe shkencore?

Në fakt, kjo deklaratë, e përsëritur vazhdimisht nga Kryeministri dhe eksponentë të tjerë të qeverisë dhe mazhorancës, është vetë thelbi i narrativës së dezinformimit që është ndërtuar rreth kësaj çështjeje. Ajo krijon një alternativë të rreme: ose projekti ndodhet brenda kufijve të Parkut Kombëtar të Lumit Vjosa, ose nuk ka asnjë lidhje me Deltën e Vjosës. Por shkenca e ekologjisë nuk funksionon me alternativa të tilla dhe natyra nuk i njeh kufijtë administrativë që vizaton njeriu në hartë.

Kompleksi lagunor i Nartës, dunat bregdetare, pylli i Pishë Poros dhe vetë morfologjia e këtij segmenti të Adriatikut janë rezultat i proceseve gjeologjike dhe hidrologjike që kanë vepruar për mijëra e miliona vjet, ku sistemi lumor i Vjosës ka pasur një rol përcaktues. Deltat nuk janë thjesht pika të shënuara në hartë; ato janë sisteme dinamike të krijuara nga transporti i sedimenteve, rrjedhat ujore dhe proceset natyrore që modelojnë të gjithë peizazhin bregdetar. Prandaj, është shkencërisht e pasaktë të thuhet se Laguna e Nartës dhe kompleksi natyror përreth saj “nuk kanë asnjë lidhje” me proceset që kanë krijuar dhe vazhdojnë të ndikojnë në Deltën e Vjosës.

Pikërisht për këtë arsye, që në fazën kur u diskutua krijimi i Parkut Kombëtar të Lumit Vjosa, ne si EcoAlbania kemi kërkuar që edhe Delta e Vjosës të përfshihej brenda kufijve të parkut. Kjo nuk ishte një kërkesë simbolike, por një qëndrim i bazuar në argumente shkencore. Delta përfaqëson një nga pjesët ekologjikisht më të rëndësishme të të gjithë sistemit lumor të Vjosës dhe përbën lidhjen jetike mes lumit dhe detit. Mbrojtja e një lumi nuk mund të konsiderohet e plotë nëse lihen jashtë mbrojtjes pjesët më të ndjeshme dhe më dinamike të ekosistemit të tij. Fatkeqësisht, ky rekomandim nuk u mor në konsideratë. Megjithatë, ne besojmë se përfshirja e deltës në Parkun Kombëtar mbetet një objektiv që Shqipëria duhet ta konsiderojë seriozisht në të ardhmen, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare për menaxhimin e sistemeve lumore.

Por edhe sikur ta pranonim, vetëm për hir të diskutimit, se projekti nuk ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi Parkun Kombëtar të Lumit Vjosa, kjo sërish nuk i përgjigjet pyetjes thelbësore. Debati nuk ka qenë kurrë nëse një resort prek fizikisht kufijtë e parkut. Debati është nëse zhvillimet që po promovohen në të gjithë këtë segment të bregdetit po ushtrojnë një presion gjithnjë e më të madh mbi një kompleks unik lagunash, ligatinash, pyjesh bregdetare, dunash dhe habitatesh me rëndësi të jashtëzakonshme për biodiversitetin.

Resorti në Zvërnec nuk mund të analizohet si një ishull i shkëputur nga realiteti përreth. Ai është pjesë e një modeli zhvillimi më të gjerë, ku ndërhyrjet duhen vlerësuar jo vetëm individualisht, por edhe për efektin e tyre kumulativ. Pikërisht këtë kërkon edhe legjislacioni evropian për mjedisin: të analizohen jo vetëm ndikimet e drejtpërdrejta të një projekti, por edhe ndikimet e kombinuara me projekte të tjera ekzistuese ose të planifikuara. Ky është një parim themelor i së drejtës evropiane mjedisore, sepse shpesh dëmi më i madh nuk vjen nga një projekt i vetëm, por nga akumulimi i shumë ndërhyrjeve që, të marra veçmas, mund të duken të kufizuara.

Prandaj, referimi i vazhdueshëm te fakti se Parku Kombëtar i Lumit Vjosa gëzon status të lartë mbrojtjeje nuk i përgjigjet shqetësimit që është ngritur. Askush nuk ka vënë në diskutim ekzistencën e parkut. Pyetja është shumë më e madhe: a po menaxhohet i gjithë kompleksi natyror Pishë Poro–Nartë sipas logjikës së ruajtjes afatgjatë të ekosistemeve, siç kërkojnë standardet evropiane, apo sipas logjikës së zhvillimit të fragmentuar, projekt pas projekti, derisa ndikimi kumulativ të bëhet i pakthyeshëm?

Ky është debati i vërtetë. Çdo përpjekje për ta reduktuar atë në pyetjen nëse një resort ndodhet disa kilometra brenda apo jashtë kufirit administrativ të një parku kombëtar nuk është argument shkencor; është një mënyrë për të shmangur thelbin e çështjes.

Sipas letrës, qeveria pretendon se nuk është dhënë leje ndërtimi, por vetëm leje zhvillimi për resortin në Lagunën e Nartës. A e ndryshon kjo shqetësimin tuaj për ndikimin që mund të ketë projekti në mjedis?

Letra e dy deputëteve
Credits: shteg.org – Letra e dy deputëteve

Në fakt, kjo nuk e ndryshon në asnjë mënyrë shqetësimin tonë. Përkundrazi, ky argument synon ta zhvendosë debatin nga çështja thelbësore te një dallim formal mes “lejes së zhvillimit” dhe “lejes së ndërtimit”. Problemi nuk është emërtimi i aktit administrativ. Problemi është se është përmbysur rendi logjik dhe ligjor i procedurës së vlerësimit mjedisor.

Mjafton të shohim kronologjinë e ngjarjeve. Në fillim të marsit 2026 nisën vëzhgimet dhe matjet gjeologjike në terren, të cilat u kryen pa pasur nevojë për rrethimin e zonës apo për ndërtimin e rrugëve të aksesit. Më pas, më 30 mars 2026, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, siç e ka pranuar edhe vetë Kryeministri, miratoi Lejen e Zhvillimit për projektin. Vetëm pak javë më vonë, më 5 maj 2026, nisën ndërhyrjet fizike në terren, përfshirë rrethimin e zonës, ngritjen e kampit të punës dhe hapjen e rrugëve të aksesit.

Ironikisht, kjo ndodhi pikërisht në javën kur Shqipëria promovonte vlerat evropiane dhe angazhimin e saj për integrimin në Bashkimin Evropian, pra në Ditën e Evropës, ndërkohë që procedura themelore e kërkuar nga standardet evropiane të mbrojtjes së mjedisit ende nuk ishte përmbushur. Vetëm më 15 maj 2026, pra dhjetë ditë pasi kishin filluar ndërhyrjet në terren, autoriteti përgjegjës për mjedisin vendosi se projekti duhet t’i nënshtrohej një Vlerësimi të Thelluar të Ndikimit në Mjedis.

Kjo kronologji ngre një pyetje të thjeshtë, por themelore: si mund të miratohet zhvillimi i një projekti dhe madje të fillojnë punimet në terren përpara se shteti të ketë vendosur zyrtarisht se projekti kërkon një Vlerësim të Thelluar të Ndikimit në Mjedis? Në çdo sistem serioz të mbrojtjes së mjedisit, përgjigjja është e qartë: nuk duhet të ndodhë.

Sipas legjislacionit shqiptar dhe parimeve themelore të së drejtës evropiane të mjedisit, Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis nuk është një formalitet administrativ që shoqëron zbatimin e projektit. Ai është instrumenti mbi të cilin duhet të mbështetet vetë vendimmarrja. Pikërisht për këtë arsye, ai vendoset në fillim të zinxhirit procedural: për të dokumentuar gjendjen ekzistuese të mjedisit, për të identifikuar vlerat natyrore që mund të preken, për të analizuar alternativat dhe për të përcaktuar nëse një projekt duhet të realizohet, të modifikohet apo të mos lejohet fare.

Edhe argumenti se rrethimi i zonës ishte i nevojshëm për të mundësuar matje dhe monitorime nuk i reziston analizës së fakteve. Vëzhgimet gjeologjike kishin nisur që në fillim të marsit dhe u zhvilluan pa pasur nevojë për rrethim, kamp pune apo rrugë aksesi. Kjo e bën të natyrshme pyetjen: për çfarë shërbeu atëherë rrethimi i mëvonshëm dhe fillimi i punimeve, nëse jo për t’i hapur rrugë zbatimit të projektit përpara përfundimit të procedurës mjedisore?

Kjo është arsyeja pse rendi procedural ka një rëndësi thelbësore. Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis ekziston për të analizuar gjendjen natyrore të zonës përpara çdo ndërhyrjeje. Nëse ndërhyrjet fillojnë më parë, rrezikohet të ndryshohet pikërisht realiteti që duhet të vlerësohet. Me fjalë të tjera, fillimisht merret vendimi për zhvillimin, më pas ndryshohet terreni dhe vetëm në fund analizohet ndikimi mbi mjedisin. Kjo nuk është logjika mbi të cilën është ndërtuar legjislacioni mjedisor shqiptar dhe ai evropian; është përmbysja e saj.

Prandaj, për ne debati nuk është nëse është dhënë një leje zhvillimi apo një leje ndërtimi. Debati është shumë më themelor: a është respektuar parimi që mjedisi duhet të vlerësohet përpara se të merret vendimi për zhvillimin, apo është trajtuar Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis si një procedurë që mund të kryhet pasi vendimi është marrë dhe punimet kanë nisur? Fatkeqësisht, faktet tregojnë se ka ndodhur kjo e dyta, dhe kjo është arsyeja pse shqetësimi ynë mbetet i pandryshuar.

Në email thuhet se çdo ndërtim do t’i nënshtrohet një Vlerësimi të Thelluar të Ndikimit në Mjedis. A është kjo garanci e mjaftueshme sipas standardeve evropiane, apo keni arsye të besoni se procesi mund të mos jetë i besueshëm?

Vetë fakti që një projekt do t’i nënshtrohet një Vlerësimi të Thelluar të Ndikimit në Mjedis nuk përbën, në vetvete, një garanci të mjaftueshme. Një VNM nuk është një vulë që i vendoset një projekti për ta legjitimuar atë. Sipas standardeve evropiane, ajo është instrumenti mbi të cilin duhet të mbështetet vetë vendimmarrja për të përcaktuar nëse një projekt duhet të realizohet, në çfarë kushtesh, apo nëse nuk duhet të lejohet fare.

Për aq kohë sa, që në nisje, ky projekt ka rezultuar me shkelje të rënda procedurale, kjo do të thotë se vendimi për zhvillimin i ka paraprirë vendimit mbi procedurën mjedisore dhe se ndërhyrjet fizike kanë filluar përpara se të përfundonte analiza që duhej të vlerësonte nëse ato ishin të pranueshme.

Kjo bie ndesh me logjikën e legjislacionit shqiptar dhe të së drejtës evropiane të mjedisit. Si Direktiva për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, ashtu edhe Direktiva e Habitateve, bazohen në një parim të thjeshtë: vlerësimi mjedisor duhet t’i paraprijë vendimmarrjes, jo ta ndjekë atë. Arsyeja është po aq e thjeshtë. Një vlerësim objektiv nuk duhet të justifikojë një projekt që është vendosur tashmë, por duhet ta ndihmojë autoritetin të vendosë nëse ai projekt mund të realizohet pa cenuar mjedisin.

Në rastin konkret, standardi evropian është edhe më i lartë. Zona e Pishë Poro–Nartës nuk është një territor i zakonshëm. Ajo është Zonë Emerald dhe zonë pilote Natura 2000, me habitate prioritare dhe specie të mbrojtura me rëndësi evropiane. Në këto raste nuk mjafton një VNM në kuptimin klasik. Neni 6(3) i Direktivës së Habitateve kërkon një Vlerësim të Përshtatshëm (Appropriate Assessment) të plotë, të mbështetur në prova shkencore, që analizon jo vetëm ndikimet e projektit, por edhe alternativat dhe efektet mbi objektivat e ruajtjes së zonës. Jurisprudenca e Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian është po aq e qartë: një projekt mund të miratohet vetëm kur autoriteti kompetent ka arritur një siguri të arsyeshme shkencore se ai nuk do të dëmtojë integritetin ekologjik të zonës.

Prandaj, fakti që është kërkuar një Vlerësim i Thelluar i Ndikimit në Mjedis nuk duhet të paraqitet si provë se sistemi po funksionon. Përkundrazi, ai është një pranim institucional se projekti paraqet rreziqe të tilla mjedisore, që nuk mund të trajtohen me një procedurë të zakonshme. Pikërisht për këtë arsye, ky vlerësim duhej të kishte qenë pika e nisjes së procesit dhe jo një hap që vjen pasi zhvillimi është miratuar dhe punimet kanë filluar.

Për më tepër, përvoja shqiptare e më shumë se dy dekadave ngre shqetësime legjitime për efektivitetin e këtij instrumenti. Në praktikë, Vlerësimet e Ndikimit në Mjedis kanë shërbyer shumë më shpesh për të legjitimuar vendime të marra paraprakisht sesa për të ndaluar ose rishikuar projekte me ndikim të lartë mjedisor. Pikërisht për këtë arsye, në një rast kaq të ndjeshëm nuk mjafton një raport i përgatitur nga ekspertët e kontraktuar nga vetë zhvilluesi. Është e domosdoshme një oponencë e pavarur shkencore dhe teknike, e kryer nga ekspertë pa konflikt interesi, në mënyrë që vendimmarrja të mbështetet në prova objektive dhe të fitojë besimin e publikut.

Shqetësimi ynë nuk është hipotetik. Vëzhgimet e kryera në terren pas fillimit të punimeve tregojnë se kanë ndodhur tashmë ndërhyrje që mund të kenë prekur habitatet natyrore të zonës. Aktiviteti i mjeteve të rënda përgjatë plazheve të Dajlanit dhe Portonovës ngre shqetësime serioze për habitatet e folezimit të breshkës së detit (Caretta caretta), ndërsa sistemet e dunave ranore janë prekur nga depozitimi dhe ngjeshja e materialeve të ndërtimit. Po kështu, ndërhyrjet në kanalin e Portonovës dhe vendosja e gardheve kanë potencialin të ndikojnë proceset ekologjike dhe lëvizjen e faunës së egër. Këto janë pikërisht llojet e ndikimeve që një Vlerësim i Thelluar i Ndikimit në Mjedis duhet të identifikojë dhe analizojë përpara se të lejohen ndërhyrjet, jo pasi ato kanë filluar.

Në fund të fundit, çështja nuk është nëse ekziston një VNM. Çështja është nëse ky proces është zhvilluar në kohën e duhur, sipas standardeve të kërkuara nga e drejta evropiane dhe me pavarësinë shkencore të nevojshme për të garantuar se vendimi përfundimtar do të mbrojë interesin publik dhe integritetin e këtij ekosistemi unik.

Plazhi i Portonovos dhe peizazhi përreth në zonën e Lagunës Vjosë-Nartë pranë Zvërnecit
Credits: Vlasov Sulaj/NurPhoto/NurPhoto via AFP – Plazhi i Portonovos dhe peizazhi përreth në zonën e Lagunës Vjosë-Nartë pranë Zvërnecit

Një tjetër argument është se statusi i mbrojtur i zonës Pishë Poro–Nartë nuk ka ndryshuar. A mjafton ruajtja formale e statusit, apo mendoni se vetë projekti bie ndesh me objektivat e mbrojtjes së kësaj zone?

Jo. Të thuash se statusi i zonës nuk ka ndryshuar dhe, për rrjedhojë, niveli i mbrojtjes mbetet i njëjtë, është një interpretim formal që nuk pasqyron realitetin.

Është e vërtetë që zona vazhdon të quhet “Peizazh i Mbrojtur” sipas kategorisë V të IUCN-së. Por kjo nuk do të thotë se gjithçka ka mbetur e pandryshuar. Përkundrazi, në vitin 2024 ndodhën disa ndryshime thelbësore. Së pari, ish-Rezervati Natyror i Menaxhuar Pishë Poro, që më parë gëzonte një regjim më të lartë mbrojtjeje si kategori IV e IUCN-së, u përfshi brenda kategorisë V. Së dyti, sipërfaqja e zonës së mbrojtur u reduktua me rreth 32%, duke nxjerrë jashtë regjimit të mbrojtjes një pjesë të konsiderueshme të habitateve mbështetëse, përfshirë edhe sipërfaqen ku po ndërtohet Aeroporti i Vlorës. Këto nuk janë ndryshime thjesht administrative; ato ndryshojnë mënyrën se si mbrohet territori.

Por, edhe më të rëndësishme se ndryshimi i kufijve, janë ndryshimet që solli Ligji nr. 21/2024. Ky ligj zgjeroi ndjeshëm aktivitetet që mund të lejohen brenda zonave të mbrojtura, përfshirë zhvillime të lidhura me të ashtuquajturin “turizëm i ekselencës”. Ai hoqi sistemin e nënzonimit për kategorinë “Peizazh i Mbrojtur”, duke eliminuar një nga instrumentet kryesore që garantonte mbrojtje më të fortë për pjesët ekologjikisht më të ndjeshme të territorit. Po ashtu, vendimmarrja u zhvendos nga institucionet e specializuara për mbrojtjen e natyrës drejt Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, një institucioni me mandat kryesisht zhvillimor. Pra, edhe pse emri i zonës mbeti i njëjtë, regjimi i mbrojtjes ndryshoi në mënyrë thelbësore.

Është po aq e rëndësishme të kuptohet se kategoria V e IUCN-së nuk është një kategori zhvillimi; është një kategori konservimi me përdorim të qëndrueshëm. Fakti që ajo lejon aktivitete njerëzore nuk do të thotë se lejon çdo lloj zhvillimi. Çdo ndërhyrje duhet të jetë në përputhje me objektivin themelor të kësaj kategorie: ruajtjen afatgjatë të peizazhit, habitateve, biodiversitetit dhe proceseve ekologjike që i japin zonës vlerën e saj. Ky është standardi i IUCN-së dhe ky është edhe standardi evropian.

Për më tepër, Pishë Poro–Narta është një nga zonat më të veçanta në Shqipëri. Brenda saj bashkëjetojnë pothuajse të gjitha kategoritë kryesore të mbrojtjes sipas IUCN-së: Parku Kombëtar i Lumit të Egër Vjosa, tre monumente natyre, ish-Rezervati Natyror i Menaxhuar Pishë Poro dhe, që nga viti 2025, e gjithë delta e Vjosës është njohur ndërkombëtarisht si Rezervë Biosfere e UNESCO-s. Kjo tregon se kemi të bëjmë me një kompleks natyror me vlera të jashtëzakonshme, ku çdo vendimmarrje duhet të udhëhiqet nga parimi i kujdesit dhe jo nga logjika e zhvillimit afatshkurtër.

Në fund të fundit, një zonë e mbrojtur nuk mbrohet nga emri që ka në hartë, por nga rregullat që zbatohen për ta mbrojtur. Mund të ruash të njëjtin emërtim, por nëse redukton kufijtë, dobëson instrumentet e mbrojtjes dhe zgjeron aktivitetet e lejuara, atëherë ke ndryshuar vetë përmbajtjen e mbrojtjes. Pikërisht kjo është arsyeja pse ndryshimet e Ligjit nr. 21/2024 janë kundërshtuar nga organizatat mjedisore, komuniteti shkencor dhe Bashkimi Evropian, i cili ka kërkuar qartë shfuqizimin e amendamenteve që dobësojnë regjimin e mbrojtjes së natyrës në Shqipëri.

Nëse Parlamenti Evropian do t’i hiqte amendamentet 4 dhe 17, çfarë pasojash konkrete do të kishte kjo për mbrojtjen e zonës së Nartës dhe për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE?

Nëse Parlamenti Evropian do t’i hiqte amendamentet 4 dhe 17, kjo do të ishte një humbje e rëndësishme, jo vetëm për mbrojtjen e Nartës, por edhe për cilësinë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë. Këto amendamente nuk janë thjesht fjali në një rezolutë. Ato janë një sinjal politik dhe institucional se mbrojtja e natyrës, zbatimi i ligjit dhe përafrimi me standardet evropiane nuk mund të trajtohen si çështje dytësore.

Ligji nr. 21/2024 është i lidhur drejtpërdrejt me atë që po ndodh në Zvërnec, sepse ka dobësuar regjimin e mbrojtjes së zonave të mbrojtura dhe ka hapur rrugën për zhvillime intensive turistike brenda territoreve me vlera të larta ekologjike. Nëse Parlamenti Evropian do t’i hiqte referencat kritike ndaj këtij ligji, kjo do të krijonte përshtypjen e gabuar se dobësimi i mbrojtjes së natyrës është i pranueshëm në rrugën drejt BE-së. Dhe ky do të ishte një mesazh shumë i rrezikshëm.

Për Nartën, pasoja konkrete do të ishte dobësimi i presionit politik dhe institucional për të ndalur ose rishikuar vendimmarrjet që cenojnë integritetin ekologjik të zonës. Kjo zonë nuk ka nevojë për më pak vëmendje evropiane; ka nevojë për më shumë kontroll, më shumë transparencë dhe më shumë garanci që çdo vendim të jetë në përputhje me objektivat e ruajtjes.

Për procesin e integrimit, pasoja do të ishte po aq serioze. Shqipëria është në një fazë ku negociatat kërkojnë prova konkrete të përafrimit me acquis-në e BE-së, jo vetëm deklarata politike proevropiane. Në kapitujt që lidhen me mjedisin, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, vendi duhet të tregojë se ligjet nuk miratohen për t’iu përshtatur projekteve, por se projektet përshtaten me ligjin dhe standardet evropiane.

Nëse amendamentet nuk do të ishin miratuar, qeveria mund ta përdorte këtë si një fitore politike për të legjitimuar Ligjin nr. 21/2024 dhe projektin në Zvërnec, gjë që, për hir të së vërtetës, e ka bërë që ditën kur u miratua rezoluta, pikërisht duke dezinformuar opinionin publik. Por, edhe sikur kjo të kishte ndodhur, duhet kuptuar se problemet mjedisore nuk zhduken vetëm sepse hiqen nga një dokument politik. Ato mbeten në terren, në habitatet që dëmtohen, në ligjin që dobësohet dhe në besimin publik që cenohet.

Prandaj, ruajtja e amendamenteve 4 dhe 17 është e rëndësishme. Ajo konfirmon se integrimi evropian nuk është vetëm një proces negociatash teknike, por edhe një proces përgjegjësie. Shqipëria nuk mund të kërkojë të mbyllë kapitujt e negociatave, ndërkohë që hap boshllëqe të reja në mbrojtjen e natyrës. Standardet evropiane nuk janë dekor për fjalime; janë detyrime që duhet të zbatohen në ligj dhe në terren.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.